0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Përse sulmohet Fuad Ramiqi?

Më të lexuarat

1.
Në datën 6 nëntor 2013 gazeta Express që botohet në Kosovë, dhe njihet si gazeta e SHIK-ut apo më saktë media e gangsterëve që mbajnë në pushtet kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, botoi një shkrim me titull “Politikani që mbron islamizmin në Kosovë rezulton agjent i Kundërzbulimit Serb (KOS)”. Shkrimi i cili ishte një mish-mash faktesh, shpifjesh, kërcënimesh, dhe raportesh agjenturore i ngjante kryekëput shkrimeve që botoheshin në Shqipëri në Gazetën Shqiptare në kohën e Fatos Nanos kundër muslimanëve. Kokteji i shpifjeve, kërcënimeve, aludimeve dhe fakteve që ishin sjellë në këtë shkrim ishte gatuar në mënyrë të atillë që të linçonin publikisht njërin prej aktivistëve më me famë të Islamit në Kosovë, Fuad Ramiqin.

Spiunët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, apo të kujtdo agjencie tjetër që kishin furnizuar Expressin me të dhëna mbi Fuadin, në raportin që kanë botuar tregojnë se dinë shumë mbi Fuadin, të cilin, edhe pse kundër tij – mesa unë di – nuk ka ndonjë urdhër prokurorie për hetim për ndonjë krim, rezulton se ilegalisht e gjurmojnë këmba këmbës sikur të jetë armik i Kosovës. Spiunërit e Thaçit dinin për shembull që Ramiqi ka qenë një nga themeluesit e Forumit Musliman të Kosovës, që është drejtuesi kryesor i Partisë LISBA, që ka qenë veprimtar i LDK-së, zëvendes i komandantit të Forcave të Armatosura të Republikës te Kosovës gjatë kohës së luftës, që ka takuar kryeministrin turk Erdogan etj. Por faktet e dhëna nga gazeta Express, përziheshin me shpifje dhe aludime tamam si ato që bëjnë apo bënin në Shqipëri islamofobë sikur Kastriot Myftaraj dhe Piro Misha.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencën është një organizatë e mbushur me katundarët e cubat e Hashim Thaçit. Shumë spiunë që punojnë sot për këtë agjenci, besoj që duhet të vijnë nga ish-anëtarët e bandave kriminale që u ndërtuan në Kosovën e pas luftës dhe bën me qindra krime në vend, ndër të cilat dyshohet që të jetë edhe vrasja e rivalit kryesor të Hashim Thaçit, Ahmet Krasniqit. Megjithatë, tamam si në tregimin e hajdutit që thërret “kapeni hajdutin” edhe në shkrimin në fjalë, autorët anonimë të traktit kundër Fuad Ramiqit, e akuzojnë të fundit si të dyshuar në vrasjen e eprorit të tij në FARK, e për më tepër e shpallnin agjent të Kundërzbulimit Serb (KOS).

Hetimi i AKI-së kundër Fuad Ramiqit është kriminal, ilegal dhe kundër të gjithë ligjeve të Kosovës. AKI-ja e ka të ndaluar që hetimet e saj t’ia jap mediave. Hetimet e saj duhet t’i jepen vetëm prokurorisë, kur prokuroria ngre një akuzë kundër një qytetari. Gazeta Express që ka botuar këtë linçim ka shkelur ligjet e Kosovës në shumë pika. E para shkelje ka të bëj me faktin që ajo i referohet dokumentave të klasifikuara sekrete të një institucioni të pavarur të sigurisë siç është AKI. E dyta, edhe sikur raporti i AKI-së të jetë i vërtetë kodi i gazetarisë në Kosovë, ligji mbi privatësinë, ligji kundër shpifjes, ligji për lirinë e shprehjes etj nuk lejon që kundër qytetarëve kosovarë të bëhen kësi linçime publike. Edhe sikur Fuad Ramiqi të ishte armik i Kosovës, fytyra, emri mbiemri dhe familja e tij duheshin mbajtur sekret sipas të gjitha ligjeve në fuqi në Kosovë, pasi me shkrimin që Express ka botuar ka vënë në rrezik jetën e Ramiqit. E në anën tjetër nëse Fuad Ramiqi do të ishte agjent e kriminel siç gazeta Express pretendon, kundër tij do të duhej të niste një proçes penal-juridik, duhej të hapej gjyq dhe të shpallej fajtor nga gjykata. Vetëm pasi të ishte gjetur fajtor për të gjitha këto akuza gazeta Express dhe spiunët e AKI-së mund të publikonin shpifjet e tyre.

2.
Sulmi i ulët dhe ilegal që hafijet e Hashim Thaçit kanë bërë kundër liderit islamist kosovar nuk është as i pari dhe as i fundit në historinë e fitneve, shpifjeve dhe sulmeve që spiunazhet shqiptare kanë bërë në historinë e tyre kundër qytetarëve të Kosovës por edhe Shqipërisë. Në këto 20 vite e fundit ne kemi parë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, sesi spiunazhet e huaja dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë kanë sulmuar një sërë figurash publike shqiptare. SHIK-u i Kosovës qëndron i akuzuar për bërjen e një numër ekzekutimesh mafioze gjatë dhe pas luftës, ndërsa në Shqipëri, SHISH-i ka sulmuar politikanë e persona publikë në vazhdimësi në vitet e fundit. Pjesë e sulmeve të spiunazheve shqiptare kanë qenë edhe hoxhallarët e besimtarët muslimanë të Shqipërisë dhe Kosovës. Në Shqipëri psh. sipas dëshmive të hoxhë Artan Kristos, ky i fundit u burgos dhe u akuzua për nxitje të terrorizmit vetëm për faktin pse nuk pranoi t’ia shes shpirtin Shejtanit e të bashkëpunojë me SHISH-in kundër besimtarëve të tjerë muslimanë. Në Kosovë, hoxhë Shefqet Krasniqi e shumë hoxhallarë të tjerë kanë qenë pre e sulmeve të AKI-së dhe organizmash të tjerë, vetëm për faktin se ketë hoxhallarë gëzojnë mbështetje të madhe në opinionin publik dhe kundërshtojnë politikat anti-islamike të qeverive kosovare.

3.
Personat që lexojnë këtë shkrim mund të pyesin; përse i sulmon dhe shpif AKI-ja dhe SHISH-i besimtarët dhe aktivistët muslimanë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë? Dhe po ashtu, pyetja lind se ku qëndron problemi në shkrimin që AKI-ja ka botuar kundër Fuad Ramiqit?
Arsyeja pse AKI-ja, por me raste edhe SHISH-i i Shqipërisë i sulmojnë besimtarët dhe aktivistët muslimanë sot në Ballkan, lidhet me pozicionin gjeopolitik që dy vendet shqiptare gëzojnë sot në Evropë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet e vetme me shumicë muslimane në Evropë. Evropa dhe Perëndimi nuk i duan muslimanët, e duke qenë se të dy shtetet shqiptare sot janë haptazi koloni të Perëndimit, guvernatorët perëndimorë që komandojnë Tiranën dhe Prishtinën nuk lejojnë në asnjë mënyrë që në dy vendet shqiptare muslimanët të kenë pushtet demokratik apo të jenë pjesëmarrës në politikën e vendit. Ne kemi parë shumë qartë Kosovën psh. e cila që prej krijimit të saj si satelit i NATO-s në vitit 1999, është ngrehur si një republikë militante laik-katolike. Shtetarët jo-demokratik kosovar që nga Atifete Jahjaga që emëroi ambasadori Dell e deri te Hashim Thaçi që u përzgjodh si lider i Kosovës nga Madeleine Albrighti – përkundër Ahmet Krasniqit – në mënyrë të vazhdueshme i kanë treguar opinionit publik kosovar se këta dy kllounë janë vendosur në pushtetin e Kosovës për të luftuar Islamin e muslimanët kosovarë. Kjo është arsyeja pse në një kohë që në shkollat e Kosovës dhe institucionet e saj publike, populli indoktrinohet me laik-katolicizëm, e herojtë e shtetit kosovar variojnë që nga katoliku Skënderbe e deri te Nënë Tereza, vajzat me shami dëbohen dhunshëm nga aksesi ndaj arsimit dhe administratës publike. Qeveria kosovare dhe ambasadat e huaja që komandojnë ushtrinë e “shoqërisë civile” dhe mediale në Kosovë, në mënyrë të vazhdueshme, sulmojnë Bashkësinë Islame të Kosovës dhe kryemuftiun e saj, besimtarët dhe çdo demonstrim publik të Islamit në vend, me qëllim që Islami dhe muslimanët kosovarë të nënshtrohen, trëmben dhe pranojnë rolin e dhimive apo qytetarëve të dorës së dytë, në republikën e trafikantëve të veshkave që NATO ka ndërtuar në Ballkan.
Arsyeja pse Fuad Ramiqi linçohet publikisht dhe ilegalisht nga spiunët e Hashim Thaçit, të cilët e shpallin agjent serb dhe vrasës të shokut të tij, bëhen me qëllim frikësimi dhe defamimi publik të liderit islamist kosovar. Fuad Ramiqin e shkretë më parë e kanë deklaruar si anëtar të Hamasit, e tani nga Hamasi duan ta çojnë në Beograd.

4.
Sulmi që bëhet kundër Fuad Ramiqit synon që me një gur të vrasë disa zogj. Zogu i parë që AKI-ja e Hashim Thaçit kërkon të vrasë është “larja e duarve” me vrasjen e Ahmet Krasniqit. Logjika dhe faktet që kemi parë deri më sot mbi krimet e SHIK-ut në Kosovë, tregojnë logjikshëm që Ahmet Krasniqin e vranë grupet kundërshtare kosovare që më pas edhe morrën pushtetin në Kosovë. Akuzimi që i bëhet zëvendësit të Krasniqit, Fuad Ramiqit si i dyshuar në vrasjen e tij dhe si bashkëpunëtor i Beogradit, bëhet sipas stilit që austro-hungarezët vijuan në Shqipëri në vitin 1913-1914, kur shpifën dhe akuzuan Esat Pashë Toptanin si vrasës të Hasan Riza Pashës. Edhe pse dëshmi të shumta tregojnë që Hasan Riza Pashën e vranë katolikë shqiptarë që ishin në shërbim të Malit të Zi, austro-hungarezët të cilët e kishin halë në sy Pashën e Tiranës, për famën që mori në mbrojtën e Shkodrës dhe mobilizimin që i bënte muslimanëve shqiptarë – ata përdorën shpifjen kundër tij në mënyrë që ta kthenin nga hero në armik të Shqipërisë. Këtë gjë kërkon edhe SHIK-u apo AKI-ja e Hashim Thaçit të bëj sot me komandant Fuad Ramiqin. Ata duan ta diskreditojnë, ta bëjnë tradhëtar, ta izolojnë nga masat e kosovarëve që e shohin si hero – e më pas – nëse kanë mundësi edhe ta eleminojnë sikur Ahmet Krasniqin. Në anën tjetër, sulmi publik që bëhet kundër Fuad Ramiqit dhe shokëve të tij, synon që ti jap mesazh të gjithë besimtarëve muslimanë në Kosovë e t’u tregojë që 1. Vëlla Hashimi ju survejon të gjithëve, dhe 2. nëse doni të drejta për Islamin në Kosovë, Hashimi dhe Atifetja do t’u shpallin agjentë të Beogradit dhe një ditë mund t’u gjejë edhe fati i Ahmet Krasniqit.

5.
Unë e njoh personalisht Fuad Ramiqin. Ai është burrë i drejtë, fukara, besimtar musliman që ka brengë për krimet që po bëhen në Kosovën e pas luftës. Si shumë veteranë të tjerë të luftës ai jeton në varfëri. Ndryshe nga cubat e Hashim Thaçit të cilët u pasuruan pas luftës duke vjedhur e grabitur pasuritë e popullit, Fuadi që është i papunë, i parrogë dhe i diskriminuar publikisht nga regjimi laik-katolik kosovar, ka vendosur që të ndihmojë muslimanët e Kosovës që të mbrojnë të drejtat e tyre. Nëpërmjet aksioneve të tija qytetare por edhe politike publike ai lobizon për të drejtat e muslimanëve në Kosovë kudo e ngado. U kërkon drejtorëve te shkollave të lejojnë vajzat me shami të vazhdojnë studimet, kërkon që në Prishtinë e gjetkë të ndërtohen xhami në mënyrë që muslimanët të mos falen në borë e në shi si fukarej, kërkon që në Kosovë të mbrohen vlerat e familjes të cilat po shkatërrohen nga invazioni kulturor i Perëndimit etj. Fuad Ramiqi është njeri idealesh të larta. Ai nuk është langaraq si shumë politikanë të tjerë kosovarë që janë vënë në shërbim të agjenturave perëndimore të cilat po LGBT-izojnë e degjenerojnë vendin. Me dijet dhe eksperiencën që ka, po të ishte mynafik e oportunist, do të ishte kyçur në ndonjë parti politike të korruptuar apo OJQ të financuar nga Perëndimi e do të kishte bërë goxha lekë.
Megjithatë ai nuk ka pranuar të ndjekë këtë rrugë. Ai ka vendosur të ndjekë rrugën e Shaban Polluzhës dhe herojve të tjerë të historisë së Kosovës, të cilët nuk pranuan t’ia shesin shpirtin Shejtanit e të bëhen me kaurët e Beogradit apo Vatikanit. Nga që i dhimbet Kosova dhe tradita e saj, ai është kyçur në Partinë Lëvizja Islame Bashkohu. Nga që i dhimbet Islami, ai i qëndron në krah hoxhallarëve kosovarë dhe vajzave me shami, të cilët janë viktima të vazhdueshme të represionit policor dhe agjenturor të regjimit të Hashim Thaçit.

6.
Unë e njoh personalisht Fuad Ramiqin. Dhe me aq sa kam pare, dëgjuar e kuptuar, jam mëse i bindur se ai është një burrë trim dhe fisnik, besimtar dhe veprimtar i arrirë. Është patriot shqiptarist dhe në asnjë mënyrë nuk do të pranonte të bashkëpunonte me Beogradin kundër vendit të tij. Sulmi personal dhe i ulët që u bë kundër tij nga gangsterët e Hashim Thaçit nuk është as i pari dhe as i fundit. Në Shqipëri ne kemi parë sulme edhe më të ulëta në këto 20 vitet e fundit. Edhe unë personalisht jam sulmuar nga islamofobët e Shqipërisë, sikur Piro Misha me kompani, të cilët më kanë akuzuar për agjent, ekstremist, shiit, vehabit e turlifarë shpifjesh, vetëm për faktin se kam mbrojtur në vazhdimësi të drejtat e muslimanëve shqiptarë. Qëllimi i shpifjeve dhe sulmeve që agjenturat bëjnë kundër aktivistëve muslimanë në Kosovë dhe Shqipëri, është që t’i diskreditojnë, izolojnë e trembin aktivistët nga puna fisnike që ata bëjnë në mbrojte të fesë së Muhamedit a.s.. Mynafikët dhe fitnexhijtë kërkojnë që t’i izolojnë veprimtarët nga besimtarët. Ata duan që muslimanët shqiptarë të jenë raja të bindur taksapagues ndaj regjimeve të Tiranës dhe Prishtinës, dhe në asnjë mënyrë të mos i lejojnë që të kthehen në qytetarë aktivë dhe vendimarrës në vendet e tyre.

7.
Fuad Ramiqi dhe shokët e tij që luftuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia, nuk pranojnë që të jenë qytetarë të dorës së dytë në Kosovën të cilën ata e çliruan vetë. Për këtë arsye edhe linçohen e diskreditohen në publik. Megjithëkëtë, unë jam i besimit që shpifjet kundër Ramiqit dhe shokëve të tij nuk do të pijnë ujë. Besimtarët e vërtetë kosovarë duhet të kujtojnë ajetet e Kuranit në suren Huxhurat ku Allahu i këshillon besimtarët që të mos besojnë shpifjet e njerëzve të ligj kundër njerëzve të mirë. Për këtë arsye unë edhe u apeloj qytetarëve kosovarë që ti qëndrojnë në krah Fuad Ramiqit dhe Partisë së tij në mbrojtje të Islamit në Kosovë, edhe pse spiunërit e Hashim Thaçit do të përdorin turlifarë taktikash për t’i thyer, trembur e diskredituar ata, ashtu siç bën edhe qafirët e Mekës kundër Muhamedit a.s. dhe shokëve të tij. Por, muslimanët e Kosovës nuk duhet të gënjehen nga shejtanërit e AKI-së në lidhje me Fuad Ramiqin. Ata duhet që Fuadin ta gjykojnë sipas këshillës së Jezu Krishtit, i cili në Ungjill na këshillon e thotë që: pema duhet gjykuar nga frytet e saj. E frytet e Fuad Ramiqit janë të mira për Islamin e muslimanët e Kosovës. Për këtë arsye ai edhe duhet ndjekur e mbështetur!/kohaislame.com

Shkruan Dr. Olsi Jazexhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit