-1.6 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Përse Shqipërisë i është cënuar siguria kombëtare?

Më të lexuarat

Blendi Fevziu

Shqipëria ka përballur dje një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit. Nuk bëhet fjalë thjeshtë për vjedhjen e disa miliona eurove, shuma ekzakte e të cilave nuk dihet ende e nuk bëhet publike; nuk bëhet fjalë që ngjarja përsëritet identik dy vite më pas dhe vjedhja ndodh sërish brenda pistës së aeroportit; nuk është kaq i rëndë fakti që protagonist është i njëjti person, i dënuar edhe për dy vjedhje të mëparshme; as fakti që në kërkim policor si një person shumë i rrezikshëm ai vërtitej lirshëm në zonën e aeroportit dhe në periferitë e Tiranës; as që kishte informacion tejet të saktë për transfertat e valutës e me siguri edhe për shumat që transportoheshin; as për faktin që i gjithë operacioni i mirëmenduar dhe me shumë impenjim financiar dhe llogjistik ishte organizuar pa rrjedhur asnjë informacion tek policia, shërbimi informativ apo strukturat e tjera të sigurisë; as për faktin që vjedhja në vetvete ngjante më shumë me një prej filmave më të sofistikuar të Hollivudit.

Jo.

Të gjitha këto janë tejet të rëndësishme dhe duhen analizuar një nga një. Por ngjarja është shumë më e rëndë, madje më e rënda e viteve të fundit për një tjetër arsye. Shqipërisë nuk i janë vjedhur 7, 8, 10 apo 12 milion euro. Shqipëria i është cënuar deri në themel siguria e saj. I ka rënë ose ka falimentuar siguria e një prej vendeve më të kontrolluara dhe tësigurta, aeroportit. Aeroporti i një vendi anëtar të NATOS, aeroporti civil e njëkohësisht ushtarak, ku ndodhet Komanda e Forcave Ajrore, është thyer me lehtësinë më të madhe nga pesë banditë. Banda ka pasur synim vjedhjen e valutës, por ajo mund të kishte bërë çfarë të donte. Mund të kishte marrë peng avionin ku tashmë qenë ulur 160 pasagjerë, mund ta kishte hedhur atë në erë, mund të kishte marrë peng presidentin e vendit që u kthye nga Danimarka me po atë avion, apo ndonjë zyrtar të lartë amerikan që udhëtonte pak më vonë. Nëse në vend të hajdutëve do të kishin qenë 4 terroristë, Shqipëria do ishte sot në faqet e para të gjithë shtypit botëror, duke bërë lajmin më të keq për të. Dhe kjo ndodh në Aeroport. Në një prej vendeve të sigurisë më të lartë! Të rralla janë vendet në botë, që kanë një siguri të tillë. Më ka qëlluar të udhëtoj në aeroporte të izoluar e të vegjël afrikanë, aziatikë apo të amerikës qëndrore, por siguria e aeroporteve është një çështje jashtë çdo diskutimi. Pas sulmeve mbi kullat Binjake dhe Pentagonin më 11 Shtator 2001, e gjithë bota ka investuar shumë në sigurinë e aeroporteve dhe në kontrollin e tyre. Shqipëria jo! Ndaj them që Shqipërisë i është cënuar siguria kombëtare.

Siguria e Aeroportit nuk është vetëm detyrë e shoqërisë koncesionare. Më 2 Shkurt 2011, Qeveria Shqiptare ka ngritur një Komitet Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili është i ngarkuar edhe për sigurinë e Aeroportit Nënë Tereza. Komiteti ka për Kryetar Drejtorin e Autoritetit civil dhe nënkryetar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Anëtarë të tij janë Drejtori i Doganave, Drejtori i Kufirit, Shefi ushtarak i forcave ajrore, Drejtori i Emergjencave Civile, Drejtori i ANTA dhe shumë e shumë zyrtarë të tjerë të lartë. Komiteti mblidhet çdo tre muaj, por asnjë dokument nuk vërteton dot se kur është mbledhur për herë të fundit ky komitet.

E gjithë kjo shpurë zyrtarësh të lartë të sigurisë duhej të kishte vënë re që koncesionari nuk i respektonte detyrat e veta. Siç mund të konstatonte që nga vjedhja e parë që objekti ndoshta më i rëndësishëm në vend ishte lehtësisht i depërtueshëm dhe i pambrojtur. Pra, pa asnjë diskutim, Shteti ka falimentuar i gjithi, bashkë me koncesionarin që në gjithë këto vite se ka fshehur kurrë arrogancën e tij. Arrogancë që nuk dihet nga buron.

Ndaj në Rinas nuk janë vjedhur thjeshtë disa milion dollarë. Në Rinas ka rënë siguria kombëtare e Republikës së Shqipërisë dhe ka marrë një goditje fatale besimi i partnerëve tek ne. Një ngjarje që me siguri do ngelet sërish pa përgjegjës, si gjithnjë në një vend ku ndëshkohet me të drejtë një shitës që shet pa kupon tatimor dhe falen pa të drejtë dhe në mënyrë flagrante zyrtarë që janë përgjegjës për humbjen e milionave dhe cënimin e sigurisë së vendit.

Kjo është realisht fatkeqësi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit