11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Përse Rusia mbështet Asadin?

Më të lexuarat

Interesi strategjik dhe gjeopolitik i Rusisë në Siri është shfrytëzimi i portit në Tartus – më shumë se shitja e armëve për regjimin e presidentit Bashar al-Asad.

Për sa kohë shfrytëzon Moska portin e Sirisë, Tartus, si një bazë strategjike detare në Mesdhe?

Marina sovjetike ka nisur të përdorë portin e Tartusit për nëndetëset dhe anijet sipërfaqësore nën marrëveshjen e vitit 1971 me Damaskun. Bashkimi Sovjetik ka qenë furnizuesi kryesor me armë i Sirisë dhe Tartusi është përdorur për armët sovjetike, të blera nga Damasku.

Skuadra e Pestë Sovjetike ka përdorur po ashtu bazën për t’u ngarkuar me karburante dhe furnizime të tjera. Marina sovjetike ka pasur pika të ngjashme mbështetëse edhe në Egjipt. Por, ajo është larguar nga bazat në Egjipt në fund të viteve 1970, duke dërguar anijet dhe pajisjet në Tartus.

Në mes të viteve 1980, Tartusi është bërë Pika e 720-të e Mbështetjes Logjistike për marinën sovjetike. Marina ruse ka vazhduar të shfrytëzojë Tartusin edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Si ka arritur Rusia të ruajë praninë në Tartus pas rënies së Bashkimit Sovjetik?

Më 1990, Siria i kishte Moskës 13.4 miliardë dollarë borxhe, kryesisht nga blerjet e armëve. Në maj të vitit 2005, ministri rus i Financave, Aleksei Kudrin, ka nënshkruar marrëveshje me homologun sirian, Muhamed al-Husein, me të cilën ka anuluar 73 për qind të borxheve siriane nga koha sovjetike.

Rusia ka vazhduar të gëzojë të drejtat e bazës në Tartus nën marrëveshjen e vitit 1971, si rezultat i marrëveshjes për anulimin e borxheve, e cila po ashtu i ka hapur rrugën Damaskut për blerje të reja të armëve nga Rusia.

Si e ka forcuar prezenca e Rusisë në Tartus regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Asad?

Tartusi është pika e pranimit të dërgesave të armëve ruse në Siri. Si për blerjen e armëve të reja, si për kthimin e atyre për riparim në Rusi, Tartusi është qendra transite e Sirisë.

Porti është i lidhur me një rrjet të zhvilluar të rrugëve dhe autostradave. Operatori kombëtar hekurudhor “Chimins de Fer Syriens” vepron po ashtu në rrugët ushtarake të transportit nga Tartusi në qytetet e mëdha të të gjithë Sirisë.

Si u shërben Tartusi interesave strategjikë dhe gjeopolitikë të Rusisë?

Edhe një gjysmë-baze në Tartus do t’i lejonte marinës ruse të zgjeronte praninë e saj në lindje të Detit Mesdhe.

Baza më e madhe dhe më e rëndësishme ushtarake e Rusisë në një vend të huaj është ajo në Detin e Zi, në Sevastopol të Ukrainës. Për t’u vendosur në Det të Zi, luftanijet ruse duhet të kalojnë përmes Ngushticës së Bosforit, e cila është militarizuar nga Turqia – anëtare e NATO-s.

Nën Konventën Montreux të vitit 1936, Bosfori është vlerësuar si një korsi ndërkombëtare e anijeve me kufizime ushtarake. Turqia tani mban të drejtën, sipas një amendamenti të vitit 1982, të mbyllë Ngushticën sipas gjykimit të saj, në kohë paqeje dhe lufte.

Kjo e bën Tartusin – bazën e vetme të Rusisë në Mesdhe – një aset jetik dhe strategjik, jashtë Bosforit. Si një port i thellë, aty mund të ankorohen edhe nëndetëse bërthamore. Tartusi po ashtu forcon aspiratat për pushtet të madh të Rusisë dhe rrit ndikimin e saj në diplomacinë rajonale.

A mund të ndikohet shfrytëzimi rus i Tartusit me përmbysjen e regjimit të Asadit?

Analistët pajtohen se vetot e Rusisë ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat dënojnë dhunën e Asadit ndaj disidentëve, ashtu si edhe shitja e armëve ruse për regjimin, lënë të kuptohet se një qeveri opozitare, që do të zëvendësonte Asadin, do të përpiqej t’i hiqte Rusisë të drejtat në Tartus.

Vjeshtën e kaluar, kur kryengritja popullore kundër regjimit të Asadit është rritur, Rusia ka ndërmarrë hapa për të zgjeruar të drejtat e bazës për luftanijet e saj në Venezuelë.

Ajo po ashtu ka vendosur një task-forcë detare në Tartus, të cilën Moska e cilëson si mision afatgjatë trajnues në Mesdhe dhe Atlantik./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit