-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Përse fitoi Erdogani?

Më të lexuarat

Shkruan: Ibrahim Kalın*

Më 24 qershor zgjedhësit turq shkuan në votime për zgjedhjet me rëndësi kritike presidenciale dhe parlamentare. Niveli i pjesëmarrjes përsëri ishte i lartë, mbi 80 për qind. Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) e konsolidoi rizgjedhjen e tij duke marrë 52,5 për qind të votave që në raundin e parë. Ai mori rreth 10 milionë vota më shumë se kundërshtari i tij më i afërt. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK PARTI) korri një fitore tjetër të madhe me 42,5 për qind të votave. Aleanca Popullore, e përbërë nga AK PARTI dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), ka siguruar shumicën komode në Parlament.

Rezultatet tregojnë besimin e vazhdueshëm të popullit ndaj Erdoanit dhe partisë së tij. Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja që i jepet sistemit të ri presidencial. Kështu, Erdoani është zgjedhur si presidenti i parë i sistemit të ri. Në garën e ashpër zgjedhore, Erdoani zhvilloi një fushatë efektive dhe e ruajti popullaritetin e tij në popull. Partitë e opozitës arritën të marrin vota në një nivel të caktuar, por nuk arritën të fitojnë mjaftueshëm për të sfiduar qëndrimin e fortë të Erdoanit në politikën turke. Duke qenë në pushtet për 16 vjet dhe me 13 fitore zgjedhore dhe një referendum, Erdoani kryesoi ndaj rivalëve të tij më të afërt me një diferencë më të madhe se 20 për qind. Momentalisht në botë, nuk ka asnjë figurë tjetër politike që mund të arrijë një sukses të tillë. Kjo flet jo vetëm për gjenialitetin e tij politik, por edhe për realitetet sociopolitike të Turqisë, të cilat shumë vëzhgues të jashtëm nuk i kuptojnë.

Erdoani dhe partia e tij, AK PARTI e kanë ruajtur popullaritetin e tyre në Turqi falë performancës së fuqishme që vazhdon nga viti 2002. Shumica dërrmuese e votuesve e përgëzojnë udhëheqjen e Erdoanit dhe pohojnë se ai i ka zgjidhur me sukses problemet e ekonomisë turke, ka krijuar një sistem politik më elastik dhe gjithëpërfshirës dhe i ka bërë njerëzit të përfitojnë më shumë në fushat e ekonomisë, politikës dhe mobilizimit social. Sekreti i suksesit të Erdoanit buron nga politika e tij që i jep prioritet popullit. Përtej grindjeve të pafundme të politikës partiake dhe identitare, Erdoani ka punuar pa u lodhur për të rritur nivelin e standardit jetësor të miliona familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme duke investuar në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, rrugë, aeroporte dhe strehim publik. Ai ka qenë një kampion i politikave të drejtësisë sociale, të cilat kanë funksionuar në të mirën e qytetarëve që jetojnë në zonat urbane dhe rurale në të gjithë vendin.

Sekreti i suksesit të Erdoanit nuk qëndron vetëm në politikën e shërbimeve; ai i ka hapur rrugën përfaqësimit të identiteteve të ndryshme në sferën sociale dhe politike; ai ka mundësuar që fetarët, kurdët, alevitë dhe pakicat jo-myslimane siç janë: hebrenjtë, komuniteti ortodoks grek, armenët dhe asirianët, të mund të shprehen lirshëm. Ndalimi i gjuhës kurde është hequr dhe me këtë ata kanë mundur të shprehin veten në mënyrë më të lirë si komunitetet e tjera etnike. Rrugët drejt lëvizjes sociale vertikale dhe horizontale u hapën edhe për ata. Në fakt, në radhët e lëvizjes së tij Erdoani u ka ofruar hapësirë edhe shumë qytetarëve kurdë, ndërsa ka krijuar lidhje të forta me njerëz nga të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë këtu edhe kurdët. Duke bërë një dallim të qartë midis organizatës terroriste të PKK-së dhe kurdëve, Ergoani i ka çliruar ata nga shtypja dhe rrënimi i këtij rrjeti terrorist, i cili kujdeset më shumë për mbijetesën e vet se sa për çështjet reale që i interesojnë popullit kurd.

Në politikën e jashtme, ai ka zgjeruar perspektivën ndërkombëtare të Turqisë dhe ka arritur në rajone të ndryshme si Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Ai nuk e sheh politikën e jashtme si një lojë, ku njëri fiton e tjetri humb. Të qenurit e Turqisë anëtare e NATO-s dhe një kandidate për në BE nuk e pengon atë të angazhohet në rajonet e tjera të botës. Në të vërtetë, një konceptim prej 360 gradësh i politikës së jashtme është i nevojshëm për interesat kombëtare të Turqisë në një botë të trazuar përtej kufijve të saj. Përpjekjet e Turqisë për të ndihmuar njerëzit e shtypur të botës kanë bërë jehonë në mënyrë globale dhe kanë mbledhur mbështetjen e qindra-milionë njerëzve në botën myslimane dhe gjetkë.

Analizë në kuadër të serialit radiofonik “Perspektiva Globale“ nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara…

Thirrja e Erdoanit për një drejtësi globale, të cilën mund ta përmbledhim me parullën ‘Bota është më e madhe se 5’, mund të ketë irrituar disa qendra të fuqisë, por ai i drejtohet në këtë mënyrë një prej gabimeve themelore të rendit aktual global. Kështu që nuk ka asgjë për t’u habitur që fitorja e Erdoanit nuk festohet vetëm nga njerëzit në Turqi, por edhe nga popujt në Ballkan, Palestinë, Somali, Mianmar, Afganistan, Pakistan, Azinë Qendrore dhe në shumë vende të tjera. Opozita duhet të fillojë të marrë përgjegjësinë për mangësitë e saj. Gjatë 16 viteve të fundit, Erdoani promovoi mbikëqyrjen civile mbi ushtrinë dhe reduktoi fuqinë e atyre që e mbanin veten si kujdestarë të vetë-emëruar të shtetit turk. Në këtë pikë, mënyra e vetme për të ushtruar pushtetin politik në Turqi ishte fitorja e zgjedhjeve të përgjithshme. Erdoani hyri në garë duke e njohur këtë sfidë dhe fitoi. Partitë e opozitës duhet të punojnë më shumë dhe të dëgjojnë më me kujdes se çfarë thonë votuesit turq jashtë zonave të tyre të rehatisë të rrethuara nga politikat identitare dhe fushatat shpifëse.

Dezinformimi mbi zgjedhjet turke javët e fundit nuk mungoi aspak. Disa gazetarë të mediave perëndimore në vend të raportimit të fakteve në terren vepruan si të ishin aktivistë apo këshilltarë politikë që promovonin kandidatët e opozitës. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, parashikimet e tyre për humbjen e Erdoanit rezultuan përsëri të rreme. Mbulimi selektiv i tyre kishte një agjendë të qartë në drejtim të manipulimit të lexuesve dhe shikuesve, por asnjë nga këto taktika nuk funksionoi. Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi kredibilitetin e gazetarëve perëndimorë. Më e keqja është se ata vazhdojnë të mos arrijnë të kuptojnë dinamikën shoqërore dhe politike të Turqisë. Këto zgjedhje duhet të jenë një mësim tjetër për ta.

Disa vëzhgues të jashtëm nuk mundën të shikonin ardhjen e fitores së Erdoanit, sepse ata varen nga burime jo të besueshme informacioni, nga individë dhe grupe të margjinalizuara që ofrojnë perspektiva të njëanshme ose që nxjerrin përfundime rreth Turqisë në takimet me dyer të mbyllura që mbajnë me grupet e ekspertëve në kryeqytetet perëndimore. Disa nga “ekspertët” e vetëshpallur në lidhje me Turqinë nuk zotërojnë as kredencialet më themelore për të bërë ndonjë analizë serioze rreth Turqisë. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit nuk kanë të bëjnë vetëm me Erdoanin, por edhe me opozitën. Rezultatet janë të qarta. Ndërsa Turqia po hyn në një epokë të re me sistemin e saj presidencial, ajo vazhdon të jetë një ishull stabiliteti dhe prosperiteti në një rajon të trazuar.

*Zëdhënës dhe nënseketar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit