1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Përse femrat e pranojnë Islamin?

Më të lexuarat

Në kohën kur Islami po ballafaqohet me trajtime të mediave kundërshtare veçanërisht në lidhje me statusin e gruas në Islam, do të ishte plotësisht e çuditshme të kuptohet se Islami është religjioni me përhapjen më të shpejtë në botë, dhe edhe më ironike të kuptohet se shumica e të konvertuarve në Islam janë femra.Statusi i femrave në shoqëri s’është as çështje e re, e as nuk është i rregulluar tërësisht. Kur përmendet Islami, për shumicën termi ‘grua muslimane’ nxit përfytyrimin e nënave të rraskapitura e të mbyllura, ‘viktima’ të shtypura, të çmendura për t’u bërë perëndimore, etj..
Të tjerët shkojnë edhe më tej duke shpjeguar se si hixhabi është pengesë dhe e mbulon mendjen e femrës dhe komentet se femrat e konvertuara janë të marra ose tradhtare të gjinisë së tyre. Unë i hedh poshtë akuzat e tilla dhe u parashtroj atyre pyetjen vijuese: përse aq shumë femra që kanë lindur dhe janë rritur në shoqëritë e ashtuquajtura ‘të civilizuara’ të Evropës dhe të Amerikës janë të gatshme ta refuzojnë ‘lirinë dhe pavarësinë’ e tyre për ta pranuar religjionin i cili supozohet se i shtyp ato dhe merret plotësisht si i dëmshëm për to?
Si e krishtere e konvertuar në Islam, unë vetëm mund ta tregoj eksperiencën time personale dhe arsyet e refuzimit të ‘lirisë’ të cilën femrat pretendojnë ta kenë në këtë shoqëri në favor të religjionit të vetëm i cili emancipon femrat duke na dhënë status dhe pozitë, i cili është tërësisht unik kur krahasohet me atë të jomuslimaneve.
Para se ta pranoja Islamin kisha prirje të forta feministe dhe i kam arsyertuar ato saherë që ishte parasysh gruaja. Megjithatë, vëreja se problemet e reja të grave rriteshin pa u zgjidhur problemet e mëparshme në mënyrë të kënaqshme. Sikur edhe shumë gra të tjera, dëshiroja ta akuzoj Islamin si religjion diskriminues dhe shtypës i cili u jep burrave privilegje më të mëdha. Dhe, të gjitha këto vinin prej njeriut që as nuk e njihte Islamin, dhe prej atij që ishte i verbër prej injorancës dhe e kishte pranuar këtë përcaktim të Islamit me qëllim të shtrembëruar.
Megjithatë, pavarësisht nga kritikat e mia për Islamin, përbrenda, unë nuk isha e kënaqur me statusin tim si grua në shoqëri. Më dukej se shoqëria përcaktonte terma të tillë si ‘pavarësi’ dhe ‘liri’ dhe pastaj këta terma pranoheshin prej grave pa pasur ne mundësi të përpiqemi të pyesim apo t’i kundërshtojmë ato. Ishte, qartë, një kontradiktë e madhe në mes asaj se çka u thuhej grave në teori dhe asaj çka aktualisht ndodhte në praktikë. Për këtë, çdoherë mendoja më shumë sepse në vete ndjeja një zbrazëti të madhe. Unë fillova ngadalë të arrij fazën kur pakënaqësia ime me statusin tim si grua në shoqëri, ishte vërtet një reflektim i pakënaqësisë me vetë shoqërinë. Çdo gjë dukej të ishte e degjeneruar, pavarësisht nga deklarimet se vitet e nëntëdhjeta do të ishin dekadë e suksesit dhe përparimit. Më dukej se diçka thelbësore më mungonte prej jetës sime dhe asgjë nuk mund ta mbushte këtë vakum.
Të jesh e krishterë nuk nënkuptonte diçka për mua dhe fillova të pyes për vlefshmërinë e të kujtuarit Zotin vetëm në një ditë të javës- të dielave. Isha e pakënaqur me konceptin e Trinisë dhe adhurimin e Jezusit.
Përfundimisht, fillova të interesohem për Islamin.
Në fillim, interesohesha vetëm për çështjet, të cilat veçanërisht lidheshin me gratë. Isha e befasuar. Prej asaj çka lexova dhe mësova, kuptova mjaft për veten si grua, dhe gjithashtu rreth asaj se ku qëndronte shtypja e vërtetë e gruas: në çdo sistem dhe mënyrë tjetër të jetës jashtë Islamit. Grave muslimane iu kishin dhënë të drejtat e tyre në çdo aspekt të religjionit me përcaktime të qarta të rolit të tyre në shoqëri- sikurse edhe burrave- me asnjë padrejtësi kundër njërit prej tyre. Sikur që thotë Allahu: “Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë, mashkull ose femër duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhenet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie.”(En-Nisa: 124).
Kështu, pasi i korrigjova idetë e mia të gabuara rreth statusit të vërtetë të gruas në Islam, unë kërkoja më tepër. Dëshiroja të gjeja atë që do të plotësonte vakumin në jetën time. Vëmendja ime ishte përqëndruar në besimtarët dhe praktikuesit e Islamit. Unë duhej të ngrisja themelet e besimit islam në veten time pasi vetëm atëherë do të kuptoja ku duhet të ndryshoja dhe kujt t’i jepja përparësi. Vetëm kur e studion besimin islam, të bëhet i qartë se pse ky sistem është kaq i ngjeshur, i pa të meta dhe gjithëpërfshirës i detajeve.

Përktheu nga anglishtja: Fexhrie Kaçiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit