-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Përse është bërë obligim agjërimi?

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.
Në legjislacionin e All-llahut të Madhërishëm pa dyshim që ka fshehtësi, në dispozitat e Tij ka urtësi dhe në krijesat e Tij ka qëllime. Andaj disa prej këtyre fshehtësive, urtësive, qëllimeve e arsyeve janë të njohura për mendjen e njeriut dhe mund të arrihet të kuptuarit e tyre e disa të tjera janë të pakapshme dhe të paarritshme për mendjen e tij, qoftë kjo për një kohë të caktuar apo përfundimisht. Po ashtu, edhe agjërimi ka fshehtësitë, urtësitë dhe qëllimet e tij e që për disa prej tyre na ka treguar vetë All-llahu, ku në një prej ajeteve të Tij thotë: “O ju të cilët keni besuar, u është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte edhe tek ata që ishin para jush në mënyrë që të bëhëni të devotshëm.”
Pra, agjërimi është një prej rrugve drejt devotshmërisë ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe agjëruesi është personi më i afërt ndaj All-llahu të Madhërishëm, pasi ka zbrazur stomakun e tij për të pastruar zemrën dhe ka tharë mushkritë
e tij për të lagur me lot sytë e tij, andaj si të mos jetë më i afërmi ndaj Krijuesit të tij? Është vërtetuar nga Profeti [sallall-llahu alejhi ve sel-lem) të ketë thënë: “O ju të rinj, kush ka mundësi të përballojë martesën, le të martohet, pasi ajo është ruajtje për shikimin dhe mbrojtje për organet gjenitale e kush nuk ka mundësi, atëherë le të agjërojë, ngase agjërimi është më i dobishëm për ta.”

Prej urtësive të tjera të agjërimit apo prej dobive të tij është se agjërimi ngushton kapilarët e gjakut dhe organet tretëse që janë edhe vendet nëpër të cilat kalon djalli e që me ngushtimin e tyre ngushtohet dhe mundësia e cytjeve të tij.
Agjërimi, po ashtu, është një mundësi e mirë për të thyer egon, dobësuar epshin dhe zvogëluar mundësinë për të rënë në ndonjë mëkat apo për të akumuluar mendime negative, pasi njeriu gjatë agjërimit shpenzon energji dhe ndihet më rehat, andaj i jep mundësinë që të ndiejë më shumë kënaqësi shpirtërore.
Prej urtësive të shumta të agjërimit është edhe ajo se ai i mundëson agjëruesit të ndiejë urinë dhe me anë të saj të ndiejë dhimbjet dhe vuajtjet e vëllezërve të tij të varfër skamnorë dhe të vobektë, agjërues dhe jo agjërues prej tyre të cilët ndoshta me ditë të tëra nuk mund të gjejnë ushqim pe të ngopur veten e tyre, andaj kjo e bën agjëruesin që të jetë në përkrahjen e tyre, të jetë në ndihmën e tyre dhe në shërbim tyre duke u zgjatur dorën e ndihmës dhe të mbështetj vëllazërore dhe humane.

“O agjërues që ke braktisur ushqimin tend nga dashuria jote për Krijuesin.
Përgëzoje veten në Ditën e Gjykimit! 
Me mëshirën që do të vijë për agjërimin.”

Agjërimi, po ashtu, është një shkollë edukative e cilën njeriu edukon shpirtin e tij, egon dhe epshin e tij. Me anë të agjërimit, po ashtu, njeriu edukon veten e tij në uljen e shikimit, pastrimin e zemrës, ngritjen shpirtërore dhe ruajtje e gjymtyrëve trupor.
Agjërimi është një vepër që çdo herë mbetet në mes Krijuesit dhe krijesës së Tij, është një vepër që nuk mund ta dijë askush të vërtetën dhe realitetin e saj përveç All-llahut të Madhërishëm, përkundër namazit, haxhit apo zekatit, andaj edhe vlera e saj është shumë e madhe. Në lidhje me këtë është vërtetuar se All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “Çdo vepër, përveç agjërimit, është për birin e Ademit. Agjërimi më përket Mua dhe Unë shpërblej për të.”
Të parët tanë e kanë kuptuar agjërimin si një mundësi për vepra të mira, shpërblime të mëdha, sezon adhurimesh dhe përkushtimesh ndaj All-llahut të Madhërishëm, andaj ata qanin nga gëzimi për ardhjen e tij dhe qanin nga pikëllimi për largimin e tij.
Të parët tanë e kishin kuptuar shumë mirë rëndësinë dhe vlerën e agjërimit dhe të muajit të Ramazanit, andaj netët e tij i kishin shndërruar në namaz nate, në ruku dhe në sexhde, në përkushtim dhe nënshtrim ndaj All-llahut të Madhërishëm,
ndersa ditët i kishin shndërruar në lexim të Kur’anit, në thirrje ndaj Allahut të Madhërishëm dhe në këshilla e mësime rreth fesë së All-llahut të Madhërishëm
Të parët tanë e kishin kuptuar drejt agjërimin, andaj qetësoheshin gjatë tij, e kishin si dritë të syve dhe rehati për shpirtrat e tyre, ata pastronin zemrat me mësimet e tij, edukonin shpirtrat me qëllimet e tij, skalitën egon me urtësitë e tij, ndaj edhe u zgjeroheshin gjokset me ardhjen e këtij muaji të madhërishëm
Ashtu siç është transmetuar nga të parët tanë, tregohet se ata uleshin në xhami gjatë Ramazanit dhe lexonin Kur’an, e mësonin atë përmendësh dhe kështu ruanin gjuhën dhe sytë e tyre nga rënia në mëkate.

Durimtarët triumfuan, fituan ata që mposhtën egot e tyre dhe pësuan disfatë e humbën ata që iu nënshtruan epsheve të tyre, andaj edhe u larguan nga radhët e ushtarëve në rrugën e All-llahut të Madhërishëm.
Sa i përket urtësive të All-llahut të Madhërishëm në agjërim mund të përmendim disa prej tyre: Agjërimi është devotshmëri ndaj All-llahut të Madhërishëm, dorëzim ndaj urdhrave të Tij, fitore ndaj egos së njeriut, triumf ndaj vetes, skalitje e besimtarit për kohë të vështira dhe përgatitje shpirtërore për sakrificë në rrugën e All-llahut, largim të epsheve, shëndet trupor, falje mëkatesh, unitet dhe bashkim, ndjenjë e urisë për të mundësuar solidarizimin me skamjen e skamnorëve dhe varfërinë e të varfërve. E All-llahu i Madhërishëm e di më së miri.

Agjërimi, o ju agjërues, është unitet dhe bashkim në mesin e muslimanëve, pasi ata ndiejnë uri në të njëjtën kohë dhe ushqehen në të njëjtën kohë, agjërojnë së bashku dhe bëjnë iftar së bashku, andaj agjërimi është vëllazërim dhe bashkim në mesin e besimtarëve.
Agjërimi është falje mëkatesh, shlyerje e gabimeve. Është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) të ketë thënë se: “Xhumaja deri në xhuma, umreja deri në umre dhe Ramazani deri në Ramazan janë falje për mëkatet nëse nuk bie në ndonjë prej të mëdhave.”
Agjërimi është shëndet për trupin e njeriut, pasi ai bën lirimin nga mbetjet që kanë mbetur në të dhe që janë tepricë e dëmshme. Po ashtu, rregullon punën e zemrës, pastron organet tretëse dhe stomakun, pastron gjakun, si dhe qetëson shpirtin dhe ngre moralin e besimtarëve, duke i shtuar ati edhe vlerat e etikës së tij.
Nëse njeriu agjëron, atëherë zemra e tij do të jetë e zbutur, do të jetë i përkushtuar, stomaku i tij do të jetë i pastruar, potenciali epshor i tij do të jetë i dobësuar, andaj edhe lutja e tij është prej lutjeve të plotësuara, ngase ai është më afër All-llahut të Madhërishëm sesa të tjerët në kushte normale.
Në agjërim ka fshehtësi të mëdha, ngase ai është shembull për nënshtrim ndaj All-llahut të Madhërishëm, përgjigje për thirrjen e Tij, dorëzim ndaj urdhrave të Tij, sepse njeriu heq dorë nga ushqimi dhe pija vetëm që të fitojë kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm. Agjërimi është fitore dhe triumf i besimtarit ndaj vetes së tij, pasi ajo është gjysma e durimit, sepse nëse njeriu nuk është në gjendje të bëjë durim dhe të përballojë vështirësitë agjërimit ai nuk do të jetë në gjendje të mposhtë dhe të nënshtrojë egon dhe epshin e tij.
Po ashtu, ai është një eksperiencë dhe përvojë shumë e bukur, një shëmbëlltyrë e lartë për qenien e njeriut, pasi njeriu do ta kuptojë se sa është në gjendje të përballojë vështirësitë e jetës, se sa është në gjendje të përballojë dhe të japë nga vetja e tij, nëse e kërkon nevoja të dalë në luftë për hir të All-llahut të Madhërishëm dhe në rrugë të All-llahut të Madhërishëm, e po ashtu e kupton se sa është në gjendje të japë nga vetja e tij për të kontribuar në thirrjen për hir të All-llahut të Madhërishëm. Për këtë arsye, kur Taluti kishte dëshirë që të mposhtte armikun e tij, All-llahu i Madhërishëm e kishte sprovuar me një lumë, e këtë All-llahu i Madhërishëm na e përshkruan kështu: “E kush pi prej tij nuk është prej meje e kush nuk pi prej tij ai është prej meje përveç atyre që marrin pak.”

“30 Mësime për agjëruesin” Aid el-Karni

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit