1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Përse Allahu kërkon nga njerëzit ta adhurojnë?

Më të lexuarat

Pyetja:

Përse Allahu kërkon nga njerëzit ta adhurojnë?

***

Përgjigja:

Në kohën që po jetojmë, ne si muslimanë shpeshherë gjendemi përballë një morie dyshimesh, të cilat vijnë anëekënd dhe që jo rrallë ndodh që të luhasin e lëkundin besimin e atyre që janë me besim të dobët apo të painformuar. Për shkak se sot ateizmi dhe afetarizmi është kthyer në një lloj trendi të ri është normale që muslimanët të hasin dhe ballafaqohen me pyetje, të cilat për disa ndoshta mund të jenë të sikletshme dhe jo aq të lehta për t’u përgjigjur. Një ndër këto pyetje që bëhet rëndom nga jofetarët, madje që mund t’i vijë nëpër mend edhe muslimanëve – si shkak i këtyre ndikimeve – është dhe pyetja “Përse Allahu kërkon nga njerëzit që ta adhurojnë?” Ose “Çfarë fiton Zoti nga adhurimi i njerëzve?”.

Pyetjen e parë mund ta bëjnë edhe njerëz praktikantë, të cilët janë kureshtarë të dinë urtësitë e adhurimit dhe pse Allahu u kërkon krijesave që ta adhurojnë Atë, ndërsa pyetja e dytë vjen vetëm nga ateistët apo dashakeqët, të cilët duan të vënë në siklet besimtarët, pse jo dhe të luhasin besimin e tyre. Ndaj në këtë shkrim do të përpiqemi të flasim rreth kësaj teme, duke u munduar ta sqarojmë në atë mënyrë, që të qetësojmë besimtarin dhe t’i përgjigjemi e të informojmë çdokënd që posedon arsye të shëndoshë.

Kontradiktat në thelbin e problemit

Nëse një problem të caktuar e kupton siç duhet, atëhere ke gjetur fillin e përgjigjes. Në përgjithësi, nëse do të shohim me kujdes dyshimet që paraqesin ateistët, do të vëmë re se ato bartin një sërë pasaktësish, prandaj është mirë që para se të përmenden argumentet që i hedhin poshtë këto dyshime, të realizojmë rrëzimin e tyre nga brenda, duke vënë në pah pikërisht këto kontradikta dhe pasaktësi që ato bartin.

Edhe ky lloj dyshimi nuk është i shkëputur nga ajo që cituam më lart; ai është kontradiktor në vetvete dhe këtë duke e parë në disa aspekte:

  • Kundërshtia që vjen nga ateistët është e ndërtuar mbi parimin e njerëzores së Zotit dhe qëllimet e tij

Në përgjithësi ateistët që pyesin për “dobitë” e Zotit nga adhurimi i njerëzve, kanë një problem në perceptim: ata nuk mund të shkëputen dot nga përshkrimi i Zotit mbi bazat e idhujtarisë parahistorike, idhujtari e cila i percepton perënditë si konkurente me njerëzit në ndjenjat dhe dëshirat e tyre. Kështu ato e privojnë njeriun si shkak i zilisë dhe lakmisë, si dhe përleshen me njëra-tjetrën se kush do të ketë pushtet mbi gjithësinë! Pra në këtë këndvështrim njerëzorja, që ata i kanë dhënë Zotit është se:

  • Veprimet e njeriut dhe kërkesat e tij – në përgjithësi – janë të iniciuara si shkak i nevojës.
  • Sipas tyre dhe Zoti vepron dhe kërkon.
  • Përfundimi – sipas tyre – është se Zoti ka nevojë!

Megjithëse ateistët kanë gabuar rëndë në përfundimin e tyre, sepse ngjashmëria në emra apo veprime – mes Zotit dhe krijesave – nuk d.m.th. ngjashmëri edhe në realitete dhe esencë.

  • Kërkesa për kryerjen e diçkaje nuk tregon domosdoshmërisht mangësi te kërkuesi

Pyetja se përse Zoti kërkon që njerëzit ta adhurojnë, vjen edhe si pasojë e perceptimit se kërkesat në përgjithësi shfaqin dobësi dhe nevojë! Ky perceptim është totalisht i gabuar, në lidhje me Zotin e Madhëruar, madje ky perceptim nuk është korrekt edhe në shumë veprime të njerëzve, sepse mjeku mund të kërkojë nga pacienti që të hapë gojën për t’i dhënë ilaçin që do t’i bëjë dobi, ndërkohë që nga ky veprim është pikërisht pacienti ai që përfiton dhe jo mjeku.

I njëjti rregull vlen edhe në lidhje me adhurimin që ne ia drejtojmë Zotit Fuqiplotë, pra urdhri i Tij, që ne ta adhurojmë, nuk tregon aspak se Ai e bën këtë si shkak i nevojës apo që të plotësojë mangësitë – i Lartësuar është Zoti Madhështor!

Kërkesat që vijnë nga Zoti janë fund e krye në të mirë dhe në dobi të krijesave, sepse Zoti është i Përsosur në qenien dhe cilësitë e Tij. Bindja dhe adhurimi që i kushtojnë krijesat Atij nuk i shtojnë kurrgjë në Zotërim dhe Madhështi, madje dhe vetë adhurimi që ne i kushtojmë Atij, është një begati me të cilën Ai na ka furnizuar: “Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë, Atij i përket bindja e besimi përherë. A mos vallë do t’i frikësoheni tjetërkujt, përveç Allahut? Çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” Nahl: 52-53

  • Njohja që kemi ne rreth qenies së Zotit është e kufizuar

Në fakt ka një rregull që thotë se “Gjykimi rreth diçkaje është rrjedhojë e përfytyrimit të saj”. Pyetja që lind vetvetiu është, se a ka mundësinë dhe kapacitetin njeriu – i cili sado të zhvillohet mbetetet sërisht i kufizuar – që ta njohë realitetin e qenies së Zotit dhe përsosmërinë e Tij, që kështu të mund ta bazojë këtë pretendim që ai ngre?!… Që të ngresh pretendime të tilla – se Zoti kërkon që të adhurohet, sepse ndien nevojë – duhet që më parë ta njohësh me detaje dhe në mënyrë të hollësishme Qenien hyjnore të Zotit, gjë që jo pretenduesit, por askush nuk mund ta perceptojë në mënyrë reale Qenien Madhështore të Zotit Fuqiplotë; dhe vetëm kjo mjafton për ta rrëzuar që në themel këtë pretendim. Allahu në Kuran thotë: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” Shura: 11
Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Ndërsa ata nuk mund ta përfshijnë Allahun me njohje.” Ta Ha: 110

Mendjet njerëzore e kanë të pamundur të arrinë në perceptimin e Qenies Madhështore të Zotit, ndaj dhe është shprehur drejt dijetari islam Ibn ebi Jezid Kajravani kur thotë: “Atë (Zotin) nuk arrijnë dot ta përshkruajnë përshkruesit dhe nuk mund ta imagjinojnë dot medituesit. Mendarët meditojnë në faktet e Tij dhe nuk përpiqen të imagjinojnë Qenien e Tij.” [1]

Njeriu është mirë që nëpërmjet madhështisë së ekzistencës së universit, të përudhet në madhërimin e Atij, që e ka bërë të ekzistojë duke parë kështu dhe bujarinë e Tij të tejskajshme. “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, si dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë): ‘O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto. I lartësuar qofsh (nga çdo e metë)!’” Ali Imran: 190-191

 

Përgjigjet rreth këtij problemi

Përgjigjen e këtij problemi – Përse Allahu kërkon nga njerëzit që ta adhurojnë – do të mundohemi ta japim duke e shtjelluar si më poshtë:

E para: Mesazhi hyjnor (Kurani) është shprehur qartë, se Zoti kurrsesi nuk vepron pa qëllim. Çdokujt që do të hedhë vështrimin në ajetet e Kuranit do t’i shpaloset qartë prova që jep mesazhi përmbyllës, se Allahu i Lartësuar nuk vepron kurrë pa qëllim. Përkundrazi, Ai e ka krijuar çdo gjë me një përsosmëri dhe urtësi mahnitëse, e cila padyshim që është në përputhshmëri me madhështinë e Tij, si Zot i kësaj gjithësie. Allahu thotë: “Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim). Sikur të donim argëtim, Ne do ta bënim me gjërat pranë Nesh (si engjëjt, hyrijet etj.), nëse do të bënim diçka të tillë.” Enbija: 16-17
Në një ajet tjetër Allahu thotë: “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?! I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor!” (Muminun: 115-116). Këto ajete dhe të tjera pohojnë, se Allahu e ka krijuar çdo gjë për një qëllim të caktuar e me një urtësi të pashembullt dhe një përfitim, i cili kthehet pikërisht te vetë krijesa, sepse Krijuesi është i vetëmjaftueshëm.

E dyta: Mesazhi hyjnor (Kurani), pohon se Allahu nuk ka nevojë që njerëzit ta adhurojnë. Ashtu sikurse e përmendëm më lart, një kategori njerëzish i shtyn iluzioni i tyre të besojnë, se përderisa Allahu kërkon nga krijesat që ta adhurojnë, atëhere Ai ka nevojë që të plotësojë disa boshllëqe apo dëshira të Tij! Madje dikush përpiqet që ta argumentojë këtë edhe me ajetin kuranor:
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Dharijat: 56

Për fat të keq, ata të cilët bëjnë këto lloj përpjekjesh, nëse do të vazhdonin leximin e ajeteve do të kuptonin, se janë lodhur kot, sepse atje shemben të gjitha përpjekjet e tyre: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” Dharijat: 56-58

Në fakt, këto nuk janë ajetet e vetme, të cilat shpalosin këtë dëshmi, përkundrazi Allahu e sqaron këtë edhe në ajete të tjera kur thotë: “Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju, nëse e falënderoni.”
Zumer: 7
Në një tjetër ajet Allahu thotë: “Dhe Musai tha: ‘Nëse mohoni ju dhe të gjithë ata që janë në Tokë, (dijeni se) Allahu është vërtet i Vetëmjaftueshëm dhe plot lavdi.’” (Ibrahim: 8) Ndërsa në një tjetër thotë: “E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” Ali Imran: 97
E njëjta gjë shpaloset edhe në një hadith madhështor kudsij [2], ku Allahu na tregon për vlerën që ka bindja dhe kundërshtimi në pushtetin e Tij: O robërit e Mi, ju nuk mund të arrini dëmin që Mua të më dëmtoni e as të arrini dobinë që Mua të më bëni dobi. O robërit e Mi, sikur i pari dhe i fundit prej jush, njerëzit dhe xhinët të ishin si njeriu që ka zemrën më të devotshme prej jush, kjo nuk do ta shtonte mbretërinë Time aspak. O robërit e Mi, sikur i pari dhe i fundit prej jush, njerëzit dhe xhinët të ishin si njeriu që ka zemrën më të prishur prej jush, kjo nuk do ta bënte aspak të mangët mbretërinë Time…”  [3]

Zoti Madhështor nuk ka asnjëfarë dobie dhe përfitimi nga adhurimi i njerëzve, përkundrazi, janë vetë njerëzit ata të cilët kanë përfitime nga adhurimi që i kushtojnë Zotit. Katade – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Allahu nuk i ka urdhëruar robërit e Tij si shkak i nevojës dhe nuk i ka ndaluar ata si shkak i kopracisë, përkundrazi, i ka urdhëruar me atë që u sjell atyre dobi dhe i ka ndaluar nga ajo që i dëmton.” [4]
E treta: Allahu adhurohet, sepse Ai e meriton një gjë të tillë. Adhurimi në fakt është shprehje e nënshtrimit dhe përuljes së plotë ndaj Krijuesit, i Cili me mirësinë e Tij ka mundësuar çdo gjë për krijesat. Ibn Kajim el Xheuzije ka thënë: “Adhurimi perfekt është si pasojë e dashurisë së përkryer dhe dashuria e përkryer vjen si shkak i përsosmërisë së atij që do. Allahu i Lartësuar është i përkryer në çdo aspekt, tek Ai nuk mund të imagjinohet mangësia për asnjë çast. Padyshim Atë që posedon këto cilësi të përkryera, është e pamundur për zemrën që të mos e dojë, madje Ai do të jetë gjëja më e dashur për zemrën, për aq kohë sa mendja dhe natyrshmëria do të jenë të shëndosha. E nëse Allahu do të jetë më i dashuri për zemrën, atëhere është e pamundur që ky person të mos e adhurojë dhe t’i bindet Atij… [5]

“Adhurimi është një realitet shpirtëror që shfaqet në veprimet e zemrës dhe të gjymtyrëve e që ngrihet mbi dy baza: dashurinë dhe nënshtrimin e plotë. Ndërsa këto e kanë zanafillën nga përjetimi i begative që nxisin dashurinë, si dhe ndjenja e dobësisë në qenie dhe vepra, të cilat nxisin nënshtrimin e plotë.” [6]
Pra, adhurimi është një realitet i cili shpreh lidhjen midis Krijuesit dhe krijesës, Furnizuesit dhe të furnizuarit, Begatuesit dhe të begatuarit.

Robi, sa më shumë të ngjitet në shkallët e njohjes së Zotit të tij dhe sa më shumë të njohë madhështinë dhe përsosmërinë e Tij, aq më shumë do t’i shtohet vetëdija dhe dëshira për ta adhuruar Atë. Adhurimi është një ndjenjë e brendshme e robit, e cila shpalos dobësinë, pafuqinë dhe mangësinë e tij, përballë përsosmërisë, madhështisë dhe pushtetit absolut të Zotit.

Njeriu ndien në natyrën e tij domosdoshmëri, që të tregojë dhe shfaqë mirënjohje ndaj çdokujt që i gjendet pranë, e ndihmon apo e mbështet; ai shfaq lavde, vlerëson dhe çmon cilindo që kryen vepra të larta. Nëse këto ai e ndjen detyrë t’i shfaqë kundrejt krijesave siç është dhe vetë, atëhere ç’mund të thuhet në lidhje me Zotin, i Cili është Dhuruesi, Furnizuesi dhe Begatuesi i pashembullt?!…

E katërta: Zotërimi dhe pushteti absolut i Zotit, janë në përputhje me realitetin e adhurimit. I gjithë Universi dhe ç’gjendet në të, qëndrojnë të përulur dhe të nënshtruar përballë madhështisë së Krijuesit të tyre. Ato lundrojnë në rrugën e bindjes, duke zbatuar urdhrat e Zotit të Gjithëpushtetshëm. Allahu thotë: “Atij (Allahut) i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Gjithçka i përulet Atij.” (Rrum: 26) – Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Atij i përulen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir dhe tek Ai do të kthehen të gjithë?!” Ali Imran: 83

Bindja dhe adhurimi që tregon njeriu karshi Allahut, realizon pikërisht harmonizimin me pjesën tjetër të këtij universi gjigand dhe vetëm duke realizuar adhurimin e Zotit, njeriu mund ta jetojë jetën duke lundruar dhe ecur bashkë me pjesët e tjera të universit. Çdo gjë në ekzistencë është krijuar për njeriun dhe në shërbim të tij, në mënyrë që njeriu të realizojë adhurimin dhe bindjen karshi Zotit. Kështu do të mund të plotësohet sistemi universal, ku çdo gjë është e nënshtruar, nga atomi më i vogël e deri te galaktika më e madhe.

E pesta: Njeriu ka nevojë që ta adhurojë Allahun, në mënyrë që të arrijë ta njohë si duhet vetveten. Njeriu është një ndër pjesët e kësaj gjithësie gjigande dhe një tullë në ndërtesën e saj madhështore. Njeriu, në mënyrë që të arrijë të njohë vetveten, patjetër që ka nevojë të dijë vendndodhjen dhe rëndësinë që ka në këtë univers, si dhe ç’pozicion ka ai në të. Njeriu, duke soditur madhështinë dhe precizionin e gjithësisë arrin të kuptojë më mirë Madhështinë e Krijuesit të saj dhe kur të arrijë ta njohë Atë si duhet, do të ecë drejt kënaqësisë së Tij me përulje dhe duke e madhëruar.

Adhurimi i Allahut është kthim në natyrën e qenies njerëzore, me anën e të cilit njeriu gjen qetësinë e shpirtit dhe krenarinë e vetes. Ai njeri që do të largohet nga adhurimi i Zotit, Krijuesit të gjithësisë, padyshim që do të bëhet skllav i çdo gjëje tjetër që është e ulët përpara Tij, si pasuria, posti, epshi dhe çdo krijesë tjetër, që është si vetë ai apo edhe më e ulët.

E gjashta: Allahu dëshiron t’i përgjigjet lutjeve të robit dhe do që mes Tij dhe robit të ketë komunikim. Shpirti i adhurimit dhe esenca e tij është pikërisht lutja që robi ia drejton Zotit të tij, me të cilën afrohet tek Ai dhe fiton dashurinë, mëshirën dhe dhuratat e pafundme të Zotit të Lartësuar. Kështu që adhurimi është një marëdhënie reciproke dhe një lidhje komunikimi e vazhdueshme.

Në një hadith kudsij Allahu i lartësuar thotë: “E kam ndarë namazin [7] mes Meje dhe robit Tim në dy pjesë. Kur robi thotë: ‘Falënderimi është i Zotit të botëve’, Unë them: ‘Më falënderoi robi Im’. Nëse thotë: ‘Mëshiruesi, Mëshirëbërësi’, them: ‘Më lavdëroi robi Im’. Nëse thotë: ‘Sunduesi i Ditës së Gjykimit’, them: ‘Më lartësoi robi Im’. Nëse thotë: ‘Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë’, Unë them: ‘Kjo është mes Meje dhe robit tim. Robit Tim i takon çfarë kërkon’. Kur thotë: ‘Na udhëzo në rrugën e drejtë’, Unë them: ‘Kjo i përket robit Tim.” [8]

Kështu namazi përsëritet disa herë gjatë ditës dhe sa herë që e kryen namazin me zemër të gjallë, të vëmendshme dhe të kujdesshme, padyshim se Zoti do t’i dëgjojë fjalët dhe lutjet me kënaqësi dhe dashuri. Dhe si shpërblim Ai i dhuron robit begati dhe mirësi që nuk kanë të reshtur. Besimtarin që e adhuron Zotin do ta gjesh gjithmonë afër me Zotin, të lidhur me Të në çdo vend apo kohë, ndaj dhe Zoti këtë përkujdesje ia shpërblen me një përkujdesje edhe më të madhe. Në një tjetër hadith kudsij Allahu thotë: Unë jam te mendimi i robit për Mua dhe jam me të kur më kujton. Nëse më kujton në veten e tij, do ta kujtoj në Veten Time. Nëse më kujton në ndonjë kuvend, do ta kujtoj në një kuvend më të mirë. Nëse më afrohet një pëllëmbë, do t’i afrohem një kut. Nëse më afrohet një kut do t’i afrohem një pash. Nëse do të vijë drejt Meje duke ecur, Unë do shkoj drejt tij duke vrapuar.”  [9]

Nga këtu bëhet e qartë, se adhurimi që robi shpreh karshi Zotit, nuk është një nënshtrim nga zori, i ftohtë dhe pa shije, përkundrazi, ai është një mjet komunikimi dhe marrëdhënie, ku robi është gjithmonë i fituar. Madje Zoti kënaqet që ta përmendë robin e Tij më shumë se ç’kënaqet robi kur përmend Zotin e vet; Zoti e përmend në tubime më madhështore se ato të robit, si dhe i afrohet robit më shpejt dhe më shumë se ai Zotit.

E shtata: Adhurimi është rrugë drejt favoreve, meritave dhe nderimit. Jeta e vërtetë është ajo, udhëtimi në të cilën të çon drejt një synimi të qartë, ndërkohë që jeta e ateistit është thjesht një kotësi për të cilën filozofi ateist Quentin Smith ka thënë: “Ne kemi ardhur nga hiçi, pa asnjë shkak dhe për asnjë qëllim”. [10]

Nga vlerat më të larta është që njeriu të ecë me përpjekje dhe seriozitet drejt një qëllimi të çmuar, në mënyrë që të realizojë shpresat e tij. Nëse përpjekjet e njeriut në këtë dynja kryhen për të arritur sukses në provimin e kësaj bote, që të arrijë kënaqësinë e Zotit, gradat e larta të Xhenetit dhe të shpëtojë nga zjarri, padyshim që ky është një qëllim për të cilin ia vlen të lodhesh. Allahu e krijoi njeriun që ta mëshirojë, ta nderojë dhe ta ngrejë lart pozitën e tij, por ai këtë mund ta arrijë vetëm duke adhuruar Zotin, Krijuesin e vet.

Adhurimi me të gjitha format e tij është një rrugë e mbushur me kënaqësi e lumturi dhe Allahu në këtë rrugë e vlerëson punën e vogël me një shpërblim të madh dhe të pakrahasueshëm. Pra, Allahu kërkon nga robi vepra të pakta dhe të lehta, në mënyrë që ta shpërblejë me dhurata të mëdha dhe të shumfishta. Atëhere kush ka më shumë përfitim nga adhurimi, Zoti i Gjithëpushtetshëm dhe i Vetëmjaftueshëm, apo robi që shpërblehet shumëfish në krahasim me atë që vepron?

E gjitha kjo sa përmendëm, tregon se Zotit Madhështor e meriton adhurimin; adhurimi është një nevojë njerëzore, sepse qenia njerëzore do të vuajë nëse mbi të nuk do të shkëlqejnë rrezet e mëshirës që burojnë nga lidhja me Sunduesin Fuqiplotë. E pra, adhurimi është jeta e vërtetë dhe burimi i kënaqësisë që sfidon çdo kënaqësi.

Për ta mbyllur: Nëse dikush të pyet: “A nuk është Allahu i vetëmjaftueshëm ndaj nesh dhe adhurimit tonë?”, përgjigju: “Sigurisht, por jemi ne ata që kemi nevojë për Të në çdo çast të jetës sonë.” Nëse të pyesin: “E ç’lidhje ka mes këtyre të dyjave?”,- përgjigju: “Allahu na krijoi, Ai na furnizon, jeta jonë është në dorën e Tij, ndërkohë që Ai është i vetëmjaftueshëm, ndërsa ne nevojtarë për Të, kështu që adhurimi i Tij është pikërisht përkthimi i kësaj lidhjeje. Nëse robi do të tregohet mendjemadh dhe nuk do ta adhurojë Allahun, atëhere ai ka treguar kryeneçësi dhe arrogancë.” Allahu nuk na ka urdhëruar për atë që Ai ka nevojë, por na ka urdhëruar për atë që ne kemi nevojë.

Përzgjodhi dhe përktheu:

Bledar Tefik Haxhiu

—————————-

[1] Risale Ibën ebi Jezid Kajravani, Dar Fadile, Kajro: fq. 17.

[2] Hadithi kudsij është fjalë e përcjellë nga Pejgamberi, por kuptimi është inspirim nga Allahu i Lartmadhërishëm. Dallimi në mes Kuranit dhe hadithit kudsij është se me Kuran falim namaz dhe me recitimin e tij adhurojmë Allahun, ndërsa me hadith kudsij nuk adhurohet Allahu e as që mund me të të falet namazi.

[3] Muslimi: (2577).

[4] Kaidetul Mehabe, Ahmed bin Abdulhalim bin Tejmije: (fq: 183).

[5] Miftah Daru Seade, Ibën Kajim: (2/88).

[6] Uabilu Sejb, Ibën Kajim: (fq: 8).

[7] Namazi në këtë hadith, personifikon suren e parë të Kuranit, që është surja Fatiha, dhe kjo për faktin se kjo sure është ajo me të cilën realizohet falja të cilën robi ia drejton Allahut.

[8] Muslimi: (904).

[9] Buhariu: (7405) dhe Muslimi: (6981).

[10] William Craig and Quentin Smith, Theism Atheism, and Big Bang Cosmology (New York: Oxford University Press, 1993), p.135.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit