Papa Benedikti XVI i ka bërë thirrje publikisht pasardhësit të tij, Papa Françeskut, të heqë dorë nga shugurimi i burrave të martuar, një iniciativë tejet e pazakontë në Vatikan, sipas gazetës franceze Le Figaro.
Përballë mungesës së priftërinjve, sidomos në Amerikën Latine, sinodi sugjeroi shugurimin e burrave të martuar në moshë të pjekur, mundësisht vendas.
Papa Françesku duhet të vendosë për këtë çështje shumë të ndjeshme në javët e ardhshme.
Benedikti XVI, i cili hoqi dorë nga froni papal në 2013, bëri që mesazhi i tij të bëhej i njohur në një libër të shkruar me kardinalin ultrakonservator Robert Sarah, fragmentet e të cilit u botuan nga e përditshmja franceze.
“Është urgjente dhe e nevojshme që të gjithë, peshkopët, priftërinjtë dhe laikët, të kthehen në pikëpamjen e Kishës dhe beqarisë priftërore që mbron misterin e saj”, vunë në dukje autorët e librit.
Ata kërkojnë që Kisha të mos lejohet të bjerë nën “ndikimin e këqijave që kërkojnë të degradojnë beqarinë priftërore”.
“Heqja e martesës në mënyrë që të jetë plotësisht në dispozicion të Zotit është bërë pikë referimi për shërbimin e priftërisë”, shkruan Benedikti. /tesheshi.com/