4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Përplasen deputetët e koalicionit qeverisës

Më të lexuarat

Me përshëndetjen për Rezolutën për Kosovën të miratuar në Këshillin e Evropës në Strasburg, ka nisur seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për këtë vit.

Ligjvënësit opozitarë thanë se pasqyra e Kosovës e paraqitur në Këshillin e Evropës, ishte mjaft e errët. Ata kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ballafaqohet me sfidat që paraqiten në këtë rezolutë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Qeveria e Kosovës, në vend se të fshihej pas një paragrafi të mirë të kësaj rezolute, do duhej të merrej me sfidat e paraqitura aty. Osmani tha se edhe pse kjo rezolutë konsiderohet hap pozitiv sa i përket aspektit politik të kontakteve, pasqyra e Kosovës aty paraqitet mjaft e errët.

“Fjalët që mbizotërojnë janë korrupsion, krim i organizuar, varfëri, mungesë e sundimit të ligjit, trafikim i njerëzve, dhunë, joefikasitet dhe fenomene tjera negative që në fakt janë pasqyrim i një realiteti të hidhur me të cilin duhet të ballafaqohet Qeveria e Kosovës”, tha Osmani, transmeton RTK.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi, tha se këtë rezolutë gjithë skena politike duhet ta sheh si sinjal të kohës së veprimit, duke ndryshuar qasje, në mënyrë që pozita të largojë zyrtarët me qasje abuzive, ndërsa opozita të largojë energjitë negative. Ai i bëri ftesë të hapur AAK-së për bashkëqeverisje, duke thënë se partnerin aktual, AKR-në, e tipizon mungesa e kohezionit dhe vizionit politik.

“Është koha për të bërë ndryshime në Qeveri dhe në politikat qeverisëse. Për këtë arsye lidershipi karizmatik i AAK-së, duhet të reflektojë realisht për interesat e vendit dhe jo të rrëshqas në kalkulime të papranueshme, për të përvetësuar nga momenti ndonjë objektiv të paarritshëm, sepse edhe nuk mund ta arrijë. Duhet të pranojë bashkëqeverisje të kërkuar”, tha Krasniqi.

Kjo deklaratë e Krasniqit, ka nxitur reagimin e shefes së Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re, Myzejene Selmani.

“Të apelojë të shkosh te kryetari i partisë tënde dhe të kuptosh a do të rrish në koalicion apo jo, sepse shumë e rrugës është që t’i së pari ke nevojë ta shikosh veten a je për koalicion apo jo”, tha Selmani.

Ndërkohë edhe çështja e Luginës së Preshevës u bë temë në seancën e Kuvendit. Zenun Pajaziti, deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për veprimin e dhunshëm të autoriteteve të Serbisë, ndërsa kërkoi nga përfaqësuesit politikë të Luginës që të jenë të bashkuar në përgjigje të këtyre veprimeve dhe të marrin masa të koordinuara për kthimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së.

Kurse, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu e akuzoi kryeministrin Hashim Thaçi për mospërkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ky kryeministër i akuzon qytetarët e pambrojtur dhe të pa përkrahur për dobësi. Kjo është e pandershme dhe pafytyrësi e papranueshme”, tha Aliu.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në rend dite në seancën plenare, përveç pikave të tjera, ka edhe zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës dhe anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media. /kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit