5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Përmbytet varka me muslimanë të Arakanit, disa të vdekur

Më të lexuarat

KUTUPALONG (AA) – Një varkë me muslimanë të Arakanit të ikur nga dhuna e ushtruar nga ushtria dhe budistët radikalë në shtetin e Arakanit në Mianmar është përmbytur në Gjirin e Bengalit në rrugë për në Bangladesh, ndërsa aktualisht janë gjetur trupat e pajetë të pesë viktimave në varkë që humbën jetën si pasojë e përmbytjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i sigurisë, Yakub Ali, i cili tha se trupat e pajetë të pesë viktimave janë gjetur sot në orët e mëngjesit nga banorët e fshatit Shah Prir Dwip të Bangladeshit.

Autoritetet theksuan se supozohet që në varkë të kenë qenë 35 persona dhe se ekzistojnë shqetësime për rritjen e numrit të viktimave.

Në ndërkohë, Shah Kemal, zyrtar në Ministrinë për Menaxhimin e Katastrofave të Bangladeshit, njoftoi se planifikohet ndërtimi i një kampi të ri për strehimin e mbi 123 mijë muslimanëve të Arakanit që kanë arritur në Bangladesh që nga fillimi i sulmeve në Arakan më 25 gusht.

Kemal tha se kampi mendohet të ndërtohet në rajonin Tyingkhali në qytetin Cox’s Bazar, në të cilin gjenden kampet ku veçmë qëndrojnë muslimanë të Arakanit.

Ndërkaq, zyrtari lokal Ali Husein ka thënë se planet për kampin e ri ende janë duke u diskutuar dhe se qeveria është duke e biseduar “këtë gjendje mjaft të komplikuar” në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare.

Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

OKB njofton se mbi 123 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh, megjithëse dhjetëra mijëra vazhdojnë të presin në zonën kufitare.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit