1. Mbulesa pikë së pari është përgjegjësi e vetë femrës muslimane. Allahu i Lartësuar në shumë vende në Kuran e ka obliguar ta mbulojë trupin e saj duke përdorur mënyra të ndryshme.
Ndonjëherë, Allahu i Lartësuar e obligon atë nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit salallahu alejhi ue selem, duke shpallur: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë vellot mbi kraharorin e tyre.” (En-Nur, 31)
Ndonjëherë u është drejtuar femrave nëpërmjet grave të të Dërguarit salallahu alejhi ue selem, duke iu drejtuar grave të Muhamedit salallahu alejhi ue selem, mirëpo duke pasur për qëllim të gjitha femrat muslimane. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme.” (El Ahzab, 33)
Pra, gruaja është përgjegjëse për mbulesën e saj dhe ajo do të japë llogari para Allahut të Lartësuar nëse nuk e vendos mbulesën, edhe nëse burri apo përgjegjësi i saj janë të kënaqur me zhveshjen e saj ose e ndalojnë të vërë mbulesën.
Allahu i Lartësuar thotë: “Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (shënimin – për veprimin) e tij e në Ditën e Gjykimit, Ne do t’ia prezantojmë atij libër të hapur. “Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes.” (El Isra, 13-14)
“Secili njeri është peng i asaj që ka punuar.” (Et-Tur, 21)
Kurse Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk dëgjohet krijesa në haramet (ndalesat) e Allahut. Dëgjimi bëhet në gjëra të lejuara.” Buhariu 13/130 në Fet’h el Bari dhe Muslimi 6/15.
Pra, nuk lejohet të dëgjohet askush nëse ky urdhër është haram të kryhet, qoftë ai babai, vëllai, djali, burri apo dikush tjetër.
2. Përgjegjësia e dytë për mbulesën e femrës i bie kujdestarit të femrës (atij që kujdeset për të), qoftë ai babai, djali, vëllai, burri apo dikush tjetër.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre.” (En-Nisa, 34)
Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar burrat që ta ruajnë veten e tyre dhe familjen e tyre nga zjarri i xhehenemit: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim, 6)
Kurse Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Dërguari salllahu alejhi ue selem ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe përgjegjës për tufën e tij, prijësi i popullit është bari dhe përgjegjës për tufën e tij (popullin e tij) dhe burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për familjen e tij.” Buhariu 853, 2416 dhe Muslimi 1829.
Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo person të cilit Allahu ia ka dhuruar udhëheqjen ndaj dikujt, qofshin ata pak ose shumë, do ta llogarisë Allahu i Lartësuar në Ditën e Gjykimit për atë se a i ka kryer obligimet e Allahut ndaj tyre apo jo, e në veçanti do të llogaritet për familjen e tij.” Ahmedi në Musnedin e tij 2/15, 5/25.
Nuk ka dyshim se shumica e përgjegjësve të familjes sot nuk janë duke e kryer amanetin që Allahu i Lartësuar u ka dhënë, domethënë që të kujdesen për familjen e tyre dhe për veshjet e bijave apo bashkëshortes. Për këtë shkak, shumë dijetarë kanë dhënë fetva në lidhje me përgjegjësinë e meshkujve ndaj grave apo bijave të tyre.
Dijetari i njohur Muhamed HabibuAllah Esh-Shinkiti ka thënë: “Dalja e femrave me funde të shkurtra dhe të ngushta, të cilat e shfaqin auretin e femrës, është haram sipas gjithë dijetarëve dhe argumentet nga Kurani dhe Suneti janë të shumta për këtë. I ndalohet çdo muslimani ta lejojë vajzën, gruan apo motrën e tij të dalë e zhveshur, pa mbulesë.
Dhe çdo person i cili lejon gruan (apo vajzën) e tij të dalë e pambuluar dhe e zhveshur, ai është mëkatar dhe harami i shkruhet edhe atij duke mos iu pakësuar mëkati i gruas aspak.
3. Përgjegjësia e dytë për mbulesën e femrës i bie prijësit të muslimanëve
Prijësi i muslimanëve (kryetari) e ka për obligim të kujdeset për mbrojtjen e fesë dhe gjithashtu e ka për obligim ta ruajë popullin e tij nga haramet dhe t’ua bëjë të pamundur atyre bërjen e harameve. Në këtë rast, e ka për obligim t’i ndalojë femrat të dalin të zhveshura nëpër rrugë, me qëllim që t’i mbrojë njerëzit prej haramit dhe prej sprovave të ndryshme.
Nëse të gjithë këta tre përgjegjës nuk i kryejnë obligimet e tyre ndaj mbulesës islame, atëherë që të gjithë janë mëkatar dhe do të japin llogari para Allahut të Lartësuar.
E lusim Allahun e Lartësuar që t’i udhëzojë femrat muslimane në rrugën e drejtë, të mbulohen ashtu siç i ka obliguar Allahu i Madhëruar dhe ashtu siç kanë vepruar edhe gratë e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem. duke mbuluar tërë trupin nga shikimet e meshkujve të huaj.
Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi
14.12.2008