3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Përfundimi i vitit dhe përfundimi i ymrit

Më të lexuarat

Ditët kalojnë, hënat ndërrohen, vitet ikin, qefini përgatitet, veprat regjistrohen dhe dita e takimit dita ditës afrohet…
Për çdo ditë gjenerata vijnë në dynja dhe gjenerata ikin nga dynja….
Kurse shkujdesi i ka kapluar shumicën e zemrave të njerëzve, madje shumë njerëz sot, e shkatërrojnë ahiretin dhe e ndërtojnë dynjanë.
Sot, shumica e njerëzve nuk nervozohen pse shkelen dispozitat e Zotit, mirëpo shumë hidhërohen nëse u merret ndonjë gjë nga dynjaja e tyre…
Tregtari i habitur pas tregtisë së tij dhe nuk shikon se si e fiton, me haram ose me hallall, nuk shikon as si e harxhon, në hallall ose në haram!!
Nëpunësi zgjohet i trishtuar mos ka mbetur vonë për në punë, mirëpo rahat flenë nga punët e ahiretit!
Gratë, janë ç’veshur nga petku i moralit dhe nderit dhe i bëjnë shumë vepra që e hidhërojnë Allahun!
Gratë synim të vetmin të tyre kanë komoditetin e kësaj bote e aspak nuk interesohen për ahiret…
Brenga e Islamit dhe brenga për ahiret nuk ekziston në mendjen e shumë njerëzve të sodit…
Të paktë janë ata që nuk kanë rënë nën ndikimin e materializmit bashkëkohor.
Edhe më pak janë ata që janë të sinqertë dhe të vërtetë.
Vallë a ka kush merr mësim?!
Kaloi ky vit, sikurse ditët e këtij viti mos të kishin qenë asgjë.
Dymbëdhjetë muaj, filloi hëna e re e si fije, pastaj u bë pesëmbëdhjetëshe, pastaj filloi sërish të hollohet derisa u humb e tëra. Pastaj erdhën muajt tjerë, muaj pas muaji derisa erdhëm në fundin e vitit, dhe përfundoi edhe ky vit!!
Allahu ekber sa shpejt po shkojnë ditët!
Sa shumë bëhet mëkate!
Sa pak merret mësim!
Njeriu kalon nga kjo dynja ashtu sikur kalojnë edhe muajt.
Po të pyesim secili prej nesh dikë që është plak, për fëmijërinë e tij, ai do të tregon se shumë shpejt ka kaluar, sikur të ishte dje, mirëpo akoma e ka shpresën e madhe.
I riu e ka harruar fëmijërinë dhe shpreson të jetojë gjatë, e kur plaket e qan rininë. Kështu është dynjaja, mirëpo ku janë të mençurit dhe ata që marrin mësim?!
A mjafton të jemi ymërgjatë?
Nuk duhet mbështetur në faktin se a jem ymërgjatë ose jo, por në veprat e mira që i veprojmë.
Vallë autoriteti i njerëzve qëndron me ta edhe në var?
Apo pasuria shkon dhe hyn me ta në var?
Shpëtimi është për atë që e përmirëson gjendjen e tij të brendshme dhe të jashtme dhe i përfundon ymri me vepra të mira.
Kurse humbja është për atë që brendësinë e ka rrënuar dhe i përfundon ymri me vepra të këqija.
Njeri si të vdes ashtu edhe ringjallet, sepse transmeton Xhabiri radijAllahu anhu, nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë:
( يبعث كل عبدٍ على ما مات عليه )
“Ringjallet njeriu ashtu si ka vdekur”. (Muslimi).
Këtë e dëshmon edhe hadithi të cilin e ka thënë Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, për njeriun në ihrame, i nisur për në haxh, të cilin e rrëzoi deveja dhe vdiq:
يبعث يوم القيامة ملبياً
“Do të ringjallet duke thënë telbijen (dmth: lebejke Allahume lebejke). (Buhariu).
Dhe hadithi i Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ku tregon se shehidi do të ringjallet me gjakun e plagëve në trup, ngjyra do të jetë ngjyrë gjaku, kurse aroma, aromë misku”. (Buhariu).
Duhet të jemi të gatshëm të ballafaqohemi me vdekjen e mos të na befasojë, andaj duhet të qëndrojmë larg mëkateve dhe veprave të liga.

Frika e myslimanëve të parë nga përfundimi i keq

Myslimanët e parë, të cilët ishin shembull në dije dhe devotshmëri kishin shumë frikë të madhe nga përfundimi i tyre i keq.
بكى سفيان الثوريُ ليلة إلى الصباح ، فقيل له : أبكاؤك هذا على الذنوب ؟
فأخذ تبنة من الأرض وقال : الذنوب أهون من هذه ؟ إنما أبكي خوف الخاتمة . [ العاقبة في ذكر الموت والآخرة للأشبيلي 175 ]
Një natë qau Sufjan Theuri deri në mëngjes. I thanë: po qan për mëkatet që ke?
E mori një grusht dhé dhe tha: mëkatet janë më të lehta se ky grushti i dheut, mirëpo qaj nga frika prej përfundimit të keq”.
وقال عطاء الخفاف : ما لقيت سفيانَ إلا باكياً فقلت : ما شأنك ؟
وقال : أتخوف أن أكون في أم الكتاب شقياً [ السير7/266]
Ata El-Hafaf tha: Sufjanin çdo herë e kam takuar duke qarë. I thashë: ç’ke? Tha: kam frikë mos vallë jam i regjistruar në Librin kryesor si fatzi”.
Sehl Tusteriu thotë:
خوف الصديقين من سوء الخاتمة عند كل خطرة وعند كل حركة وهم الذين وصفهم الله إذ قال ( وقلوبهم وجلة ).
“Frika e njerëzve të vërtetë (sidikin) nga përfundimi i keq ekziston në çdo ide dhe çdo lëvizje. Ata janë ata që i ka përshkruar Allahu duke thënë: “Zemrat e tyre i kanë në trishtim”.

Shkaqet e përfundimit të keq

Prej shkaqeve më të mëdha për përfundim të keq është prishja e zemrës duke e prishur besimin, edhe në qoftë se pjesa e jashtme është në rregull. Kjo ndodh nëse njeriu bie në shirk, idhujtari ose vazhdon në bidate.
Shirku, idhujtaria e pengoi axhën e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, Ebu Talibin që ta thotë shehadetin në momentin e dergjës. Kurse sa e sa bidatxhi u ka përfunduar jeta në mënyrë të keqe.
Bërja e mëkateve të mëdha dhe insistimi në mëkate ta prishin zemrën, lajmërojnë përfundimin e keq dhe fatzi.
Njeriu në momentin e dergjjes e përsërit atë që më shumë e ka thënë ose e ka vepruar, qoftë e mirë ose e keqe.
Sa e sa njerëz kanë vdekur ose duke pirë alkool, ose duke bërë zina, prostitucion ose duke përdorur drogë, ose iu ka frenuar gjuha dhe nuk ka mund ta thotë as shehadetin. Zoti na ruajt.
Muxhahidi, rahimehull-llah, thotë:
ما من ميت يموت إلا مُثّل له جلساؤه الذين كان يجالسهم [ الكبائر للذهبي 100 ] .
“Secili njeri që vdes, i paraqiten shokët me të cilët ka ndejtur”.
Dijetarët përfundimin e keq e kanë ndarë në dy kategori:
1- Kategoria më e rëndë është rasti kur njeriu në grahmat e vdekjes fillon të dyshojë në Zot ose të mohojë Atë, e ti merret shpirti në këtë gjendje. S’ka dyshim se njeriu që shkon te Zoti në këtë gjendje, e pret dënimi i përhershëm dhe i dhembshëm.
2- Kategoria e dytë, e cila është më e lehtë se e para, është momenti kur ai është në grahmat e vdekjes ti shkojë ndërmend dashuria për ndonjë gjë të mirë të kësaj bote ose për epsh. Ti paraqitet kjo para syve të tija dhe t’ia kaplon tërë zemrën, saqë nuk i kujtohet asgjë tjetër përpos kësaj gjëje.
Vallë sa peshon dynjaja në zemrën tonë?!
Vallë, ç’kemi bërë gati për në ahiret?!
Ne punojmë, lodhemi, rraskapitemi, vuajmë, qëndrojmë, mirëpo vetëm për jetesën e kësaj dynjaje, kurse ahiretin e kemi harruar tërësisht. Edhe nëse i kryejmë disa adhurime, ato nuk kanë shije, nuk kanë kënaqësi dhe nuk ofrojnë prehje. Sepse tërë kënaqësia, shija dhe prehja na ofrohet kur fitojmë pasuri, ose autoritet ose pozitë.
Fatkeqësia më e madhe është kur një njeri vepron vepra të mira, mirëpo është regjistruar në librin e të fatzinjve. Njerëzit e shohin duke bërë mirë dhe ia kanë lakmi, mirëpo nuk ia dinë nijetin e tij të prishur, brendësinë e kalbur dhe syefaqësinë në veprat e tija.
Sehl ibën Sadi, radijAllahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, u takua me idhujtarët dhe luftoi me ta. Kur u kthye Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, në kampin e tij dhe të tjerët shkuan në kampin e tyre, mbeti një njeri prej shokëve të Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili nuk linte askënd që kishte mbetur mbrapa ushtrisë idhujtare e mos ta godiste me shpatë. Sahabët thanë: askush nuk ka luftuar sikur ky njeri. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, tha:
( أما إنه من أهل النار )
“Ai është prej banorëve të xhehenemit”.
Një njeri prej nesh tha: unë do ta shoqëroj vazhdimisht. Doli me te. Kur ecte, ecte edhe ky, kur ndalej, ndalej edhe ky dhe kur nxitonte, nxitonte edhe ky. Ky njeri tregon: u plagos ky njeri me një plagë të rëndë. E shpejtoi vdekjen duke e venduar dorezën e shpatës në tokë kurse majën e shpatës në gjoks, pastaj u lëshua mbi shpatë dhe e mbyti vetveten. Ky njeri erdhi me vrap te Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, duke thënë: dëshmoj se ti je i Dërguar i Allahut. I tha: çka ndodhi? Tha: njeriu për të cilin the se është banor i xhehenemit dhe njerëzit u habitën me këtë lajm. Unë e përcjella atë derisa u lëndua rëndë. E kur u lëndua e shpejtoi vdekjen duke e venduar dorezën e shpatës në tokë, kurse majën e saj në gjoks dhe u lëshua mbi shpatë dhe e vrau vetveten. Atëherë Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, tha:
( إن الرجل ليعمل عمل أهل الجنة فيما يبدو للناس وهو من أهل النار ، وإن الرجل ليعمل عمل أهل النار فيما يبدو للناس وهو من أهل الجنة ، وإنما الأعمال بالخواتيم ) رواه مسلم 112 .
“Ndodh që ndonjë njeri të veprojë me vepra të banorëve të xhenetit, ashtu si i duket njerëzve, kurse është prej banorëve të xhehenemit. Ndodh që ndonjë njeri të veprojë me vepra të banorëve të zjarrit, ashtu si i duket njerëzve, mirëpo është prej banorëve të xhenetit. Veprat vlerësohen sipas fundit”. (Muslimi).

Rëndësia e përmirësimit të zemrës dhe veprave

Vendi i varrosjes, momenti i vdekjes, numri i atyre që ta përcjellin xhenazen, as nuk ti shtojnë të mirat e as nuk i pakësojnë të këqijat.
Mund që këto raste të jenë shenjë e mirësisë dhe argument i shpëtimit, siç është dëshmia e burrave të devotshëm për ndonjërin se është i mirë, sepse ata janë dëshmitarët e Allahut në tokë, mirëpo kryesorja është përmirësimi i zemrës dhe pranimi i veprave.
S’ka dyshim se njerëzit gjykojnë sipas asaj që shohin, kurse zemrat i di vetëm Allahu, subhanehu ve teala.
Vendi nuk e shenjtëron askënd, por ajo që e shenjtëron dikë është puna që bën, siç ka thënë Selman Farisiu.
Sa njerëz, adhurues të mëdhenj, kanë shndritur nga adhurimi, janë parë gjurmët e vullnetit dhe lumturisë, kanë fituar famë dhe autoritet, mirëpo ka vendosur Caktimi që të kthehet mbrapa dhe t’i përfundojë ymri me vepra të këqija.
Është e ditur se nuk mund të ketë përfundim të keq ai që e ka të shëndoshë zemrën dhe gjymtyrët i zbatojnë obligimet që ka ndaj Zotit.
Kurse ai që ka zemrën e prishur dhe insiston në mëkate të mëdha, atij mund ti ndodh që mos të pendohet para vdekjes dhe të shkon te Allahu me mëkate të mëdha.
Ndodh që ndonjë njeri e kaplon ndonjë mëkat, ose ndonjë refuzim, ose ndonjë shpifje, e cila ia pushton zemrën dhe ia robëron mendjen, andaj këtij nuk i bën dobi as përkujtimi, as këshilla, kurse në momentin e agonisë së vdekjes i vjen shejtani dhe ia merr besimin.
Besimtari duhet të kujdeset për përmirësimin e zemrës së tij, të nxitojë në fitimin e kënaqësisë së Zotit të vet dhe ta lute Atë që ti ofrojë përqendrim në rrugë të drejtë deri në vdekje, sepse zemrat janë mes dy gishtave të Allahut, i ndërron si dëshiron Ai.
Me përfundimin e këtij viti, vallë kemi marrë mësim nga ajo që kaloi?!
A nuk kemi frikë nga përfundimi i keq?!
Pse mëkatari nuk nxiton të pendohet te Allahu dhe ti rreket veprave të mira?!
Ndoshta Allahu ia pranon pendimin dhe e regjistron në mesin e njerëzve të lumtur, i cili asnjëherë më nuk do të vuan.
Allahun e lusim të na përmirësojë zemrat dhe vepra, të na dhuroi përfundim të mirë dhe të na bëjë nga ata që i ka pranuar dhe me të cilët është i kënaqur.
Përgaditi: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit