Nga: ALBAN TARTARI
Përafrim përfitues me Turqinë
Republika turke është një nga shtetet me protokollin zyrtar më të përpiktë. Ndoshta kjo vjen nga e kaluara perandorake apo edhe nga një kulturë shtetërore militare me një disiplinë të lartë, që Mustafa Qemali la pas. Por ajo që bie në sy është se edhe protokollet më strikte zbuten kur vjen puna te politika dhe diplomacia. Edi Rama, kryeministri i zgjedhur ishte për herë të dytë në Stamboll, në kryeqytetin popullor të Turqisë (Ankaraja është zyrtarja!) në harkun kohor të disa muajve. Në të dyja rastet është takuar me kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan, njeriun që e ktheu Turqinë, nga një shtet i falimentuar në vitin 2002, në një prej fuqive ekonomike të Evropës. Nëse në takimin e parë Erdogan u përpoq që ky takim të dukej sa më miqësor, personal e larg protokolleve shtetërore, në takimin e dytë ai shoqërohej nga 4 ministra – mes të cilëve edhe ministri i Jashtëm Davutoglu, ministri i Shëndetësisë dhe ai i Rendit, ministri për Bashkëpunimin Ekonomik, kryekëshilltari për Politikën e Jashtme dhe këshilltari për Ballkanin; ashtu si edhe zoti Rama me 4 emra të projektuar për në qeverinë e re, Bushati, Tahiri, Haxhinasto dhe Beqja. Takimi i dytë u zhvillua në zyrën e punës së kryeministrit Erdogan në Pallatin Dollmabahçe, pallati i sulltanit të fundit, por edhe zyra e parë e punës e Ataturkut… Përse zyrtarët e republikës strikte turke për nga ana e protokollit dalin jashtë skemave? Përse një takim i tillë kaq i gjerë (i njoftuar për median turke) me zyrtarët shqiptarë në pritje për t’u konstituuar? Kjo ndodh sepse është hera e parë që Shqipëria, përmes kryeministrit të ri, po shfaq një dëshirë kaq të hapur për të bashkëpunuar me Turqinë. Personalisht i kam ndjekur marrëdhëniet dypalëshe që nga viti 1997. Marrëdhënia politike është cilësuar e shkëlqyer, e shoqëruar me “buzëqeshje protokollare”…, por asnjëherë një lider shqiptar nuk ka bërë deklaratën e zotit Rama se “Turqia është partneri ynë strategjik”. RTV publik i Turqisë, TRT, në edicionin shqip do t’i jepte një vend të zgjeruar, duke cituar zotin Rama në deklaratën e tij, se në këtë takim u vendosën piketat e bashkëpunimit dypalësh. Interesi i mediave ishte i madh, përfshirë këtu edhe rrjetin e CNN në gjuhën turke CNNTürk, gazetat “Zaman” dhe “Sabah”. “Today’s Zaman”, e përditshmja turke në gjuhën angleze, do theksonte se energjia, bujqësia dhe turizmi mund të jenë fushat e bashkëpunimit. Edhe gjatë qeverisjes 8-vjeçare socialiste, marrëdhënia mbeti në terma protokollarë, kjo edhe për faktin se Turqia kishte hallet e veta ekonomike, por edhe politike. Pas vitit 2002 ish-kryeministri Nano, nuhati fuqizimin e Erdoganit dhe Turqisë bashkë me të. Dhe nuk është rastësi që ai mori pjesë si dëshmitar së bashku me kryeministrin italian Berluskoni në dasmën e vajzës së kryeministrit Erdogan në vitin 2004… Më pas, shtyrja në vitin 2005 nga qeveria e re e disa privatizimeve për një periudhë dyvjeçare, e ftohu ritmin e marrëdhënies. Por, pas vitit 2007 pati një afrim të ndjeshëm. Por jo deri në rangun strategjik ku qëndronin Italia dhe Greqia. Marrëdhëniet e mira politike patën pasqyrim në një rritje të lehtë të investimeve turke në Shqipëri, por jo me ndonjë ndikim në shtimin e tregtisë së produkteve shqiptare në Turqi. Ky vend është një prodhues i madh, por edhe një konsumator i madh me një popullsi prej 75 milionë banorësh. Nga ana tjetër, industrialistët turq në 5 vitet e fundit po kërkojnë vende me krah më të lirë pune sesa në Turqi, për të ngritur fabrikat e tyre. Ata duan të përfitojnë edhe nga taksat e ulëta të këtyre vendeve, krahasuar me Turqinë. Një deklaratë e fundit e Tritan Shehut nga PD, tregon se ende Greqia dhe Italia shihen si partnerët qendrorë (që në fakt janë), por nuk analizohet fare fakti që nga ana ekonomike këto vende jo vetëm që s’mund ta ndihmojnë Shqipërinë, por se janë fokusuar te prioritetet e tyre të daljes nga kriza, që s’mund të përputhen kurrsesi me interesat ekonomike shqiptare.Shqipëria duhet të ecë përpara në këtë drejtim dhe fqinji më i fuqishëm sot, e të paktën për 10 vitet e ardhshme, është Turqia. Turqia dhe potencialet e saj ekonomike ende mbeten të panjohura në Shqipëri. Kjo, edhe për shkak se debati për të, në median dhe shoqërinë tonë, më shumë është fokusuar te historia dhe të gogoli i vdekur me emrin “neo-osmanizëm”. Kjo, edhe për shkak të deklaratave populiste nëpër takime zyrtare për “miqësira e vëllazërira” me shkëmbime gjaku e martesa të ndërsjella, që në fakt s’kishin asnjë lidhje me interesat ekonomike mes dy vendeve. Turqia sot është ekonomia e 17-të më e fuqishme e botës (me një GDP prej 794 miliardë dollarësh), dhe Erdogan me ambicien e tij dëshiron që në 100-vjetorin e republikës turke (në vitin 2023) ky vend të jetë në dhjetëshen e parë të botës. Edhe në këtë vit të vështirë për ekonominë globale, Banka Botërore parashikon një rritje prej 3.6 për qind për ekonominë turke. Duke parë ngadalësinë shqiptare në marrëdhëniet ekonomike, Turqia në vitet e fundit ka kthyer sytë edhe nga vende të tjera në Ballkan. Nuk po përmend Kosovën dhe Maqedoninë, që kanë marrëdhënie të mira me Ankaranë zyrtare dhe biznesin e Stambollit, e as Malin e Zi, që çuditërisht ka hapur një faqe të re me Turqinë. Bëhet fjalë për Serbinë. Në dy vitet e fundit, zyrtarët serbë kanë bërë maksimumin për të ndërtuar një urë ekonomike me Turqinë, për të tërhequr investimet, por edhe tregtinë turke drejt zemrës së Evropës. Dhe përpjekjet e tyre kanë dhënë rezultate të dukshme, duke i afruar të dyja vendet, që ende i ndajnë shumë elementë të së kaluarës historike. Siç duket, kryeministri i zgjedhur Rama, e ka pasur parasysh këtë tablo ballkanase, por ndoshta edhe më gjerë, kur deklaron se Turqia tashmë është një partner strategjik. Sepse ai synon të rivitalizojë ekonominë shqiptare, përmes një bashkëpunimi ekonomik që do t’i vlente jo vetëm Shqipërisë zyrtare, por gjithë hapësirës shqiptare në Ballkan. Dhe ky zhvillim ekonomik do ta përafronte edhe më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Sa për çështje të tjera si e kaluara historike, duket se do jenë historianët ata që do vendosin, dhe jo politikanët.
*Autori është njohës i çështjeve turke
Marre nga balkanweb
…