Liderët e partive politike janë duke e bllokuar reformën zgjedhore. Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e AKR-ja nuk kanë arritur ende marrëveshje për çështjet kryesore të këtij procesi.
Burime të gazetës “Express”, kanë thënë se liderët janë duke pritur mendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e amendamenteve.
Liderët e partive politike kanë vendosur të mbajnë peng reformën zgjedhore që ka të bëjë me numrin e zonave zgjedhore, listat zgjedhore dhe pragun elektoral.
Gjasat janë shumë të mëdha që as javën e ardhshme të mos takohen Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli e Blerim Shala – për ta çuar përpara reformën zgjedhore.
Burime të gazetës kanë thënë se takimi mes liderëve nuk pritet të ndodhë pa u publikuar qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ndryshimet kushtetuese për mandatin dhe kompetencat e Presidentit.
“Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese janë të ndërlidhura mes vete. Çfarëdo vendimi që do të sjellë Gjykata për propozimet e amendamenteve, do të ketë ndikim në reformën zgjedhore”, ka thënë një zyrtar i afërt me reformën zgjedhore.
Ndryshe, Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka bojkotuar tri takimet e fundit për reformën zgjedhore, me arsyetimin se ka pasur agjendën e ngjeshur dhe se s`ka pasur koordinim mes Komisionit dhe Zyrës së Kryeministrit. / telegrafi / kohaislame /