0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Për një KMSH gjithëpërfshirëse

Më të lexuarat

KMSH-ja ka vuajtur që nga fillimi i saj, pas viteve ’90, nga mungesa e përfaqësimit dinjitar dhe demokratik të brendshëm. Me përjashtim të H. Sabri Koçit (rahmet pastë), për të cilin ka një konsensus të gjerë për pozicionin e tij në krye të KMSH-së, askush që erdhi pas tij nuk e pati këtë respekt.

Sigurisht që kishte nga kolegët e tij, të cilët mendonin se ata e meritonin të ishin në krye të KMSH-së, çka është e kuptueshme pse vjen diçka e tillë, mirëpo ajo që i dha autoritetin këtij njeriu ishte prapavija e tij biografike. Ai ishte më dinjitar se shumë prej kolegëve të tij, sepse ishte ndoshta i vetmi hoxhë i gjallë, që kishte vuajtur aq gjatë në burg për hir të fesë. Ai, edhe pse mund të mos kishte shkollimin e tyre formal me medrese, ishte hafiz i Kuranit, kishte mësuar arabisht dhe dijet islame me hoxhallarët e dikurshëm të Shkodrës dhe në vitet ’90, ishte nga të paktët njerëz të përgatitur në këtë drejtim. Sigurisht që ishte edhe orator i zoti dhe njeri që impononte respekt. Por mbi të gjitha, qe pikërisht vuajtja e tij nëpër burgjet e regjimit komunist antifetar, ky qëndrim burrëror që i dha vlerë atij më shumë se të tjerët, dhe në atë periudhë, njerëz të tillë me të drejtë shiheshin me respekt dhe admirim të veçantë, ndërkohë që shumë prej kolegëve të tij, jo thjesht kishin mbijetuar në regjimin komunist duke u përshtatur dhe bërë kompromis me të, por disa edhe e kishin tejkaluar këtë, duke qenë shumë më tepër sesa thjesht mbijetues në atë regjim gjakatar e kriminal.

Edhe gjatë kohës së tij pati probleme, sepse duke qenë se Hafizi ishte moshë e madhe dhe kolegët që i kishte poshtë vetes, një pjesë e tyre i përkisnin pikërisht brezit të kompromisit me regjimin e dikurshëm, kështu që KMSH-ja u mbush në mënyrë të parregullt me njerëz të padenjë dhe përfitues. Megjithatë, në fund të viteve ’90 pati një lëvizje të xhematit dhe KMSH-ja u bë disi më demokratike dhe më gjithëpërfshirëse dhe kjo gjendje zgjati deri në 2007-n, koha kur KMSH-ja filloi të hermetizohej, deri në kapjen e plotë të saj nga gylenistët në 2010-n.

Gjatë kësaj kohe pati zgjedhje deri diku të rregullta, sigurisht edhe me manipulime dhe parregullsi, por shumë më pak se ajo që erdhi më pas, ku u bënë edhe ndryshime statutore, të cilat blinduan kryesinë e KMSH-së, si de facto organi më i lartë i KMSH-së, duke i hequr kompetencat Këshillit të Përgjithshëm dhe Këshillave të Myftinive, ndërkohë asnjë reformë nuk u bë, që të bëhej një përfaqësim real demokratik i xhematit të xhamive.

KMSH është institucioni përfaqësues i xhematit të xhamive, kështu ka qenë konceptuar që nga themelimi i tij i parë, ndaj në statut është parashikuar në parim, që të ketë një kombinim në mes të emëruarve dhe të zgjedhurve, ku numri i të emëruarve nuk duhet ta kalojë atë të të zgjedhurve. Mirëpo, në realitet ky rregull është shkelur shpeshherë dhe ndërkohë shumë prej atyre që pretendohet të jenë “të zgjedhur”, rezultojnë të jenë të emëruar nga kryesia e KMSH-së, e cila i bën presion myftinjve të vendosin njerëzit që ajo do, sigurisht, mos pyet pastaj sa plotësojnë kriteret këta njerëz, kur që në themel, një veprim i tillë është ilegjitim dhe iu vjedh të drejtën dhe vullnetin xhematit, për të nxjerrë përfaqësuesit e tij në Këshillin e Përgjithshëm.

Një tjetër problematikë e rëndësishme gjatë gjithë kësaj kohe, ka qenë dëshira dhe vullneti i grupeve të ndryshme për ta kapur vetë drejtimin e KMSH-së dhe për të përjashtuar të tjerët, duke pretenduar se vetëm ata zotërojnë të vërtetën finale, kështu që vetëm ata e meritojnë drejtimin e KMSH-së. Nën petkun e këtij problemi, gylenistët e sotëm justifikojnë shpeshherë kapjen e tyre të KMSH-së, ndërkohë që edhe ata mendojnë po njëlloj, me dallimin e vetëm se nuk e shprehin publikisht, dhe nuk janë aq të sinqertë në marrëdhënie me të tjerët, siç janë të paktën të tjerët në këtë drejtim.

Ndarjet sektare dhe doktrinare nuk është e mundur të zhduken, por ajo që na bashkon dhe që është më e madhe dhe e rëndësishme, është të qenit muslimanë sunij, dhe se sfidat tona në këtë vend, më shumë sesa sektare brenda nesh, janë sfidat identitare dhe pse jo, edhe ekzistenciale. Kështu që në këto kushte, institucioni përfaqësues i muslimanëve duhet të jetë demokratik dhe gjithëpërfshirës, pasi kjo i zbut në maksimum fërkimet sektare dhe klanore dhe siguron një bazament të qëndrueshëm për zhvillim dhe stabilitet. Ndërkohë, debati për më të saktën dhe më të mirën reduktohet në një nivel më akademik, madje kalohet në plan të dytë dhe mund të kufizohet brenda rretheve dhe niveleve të caktuara.

Kështu që çdokush mund t’i ruajë brenda rrethit të tij bindjet e tij, por dhe mund t’i bëjë publike gjithashtu, dhe janë objekt debati dhe diskutimi, qoftë edhe publik, por ndërkohë, në një institucion përfaqësues është e nevojshme të biem dakord për minimalen që na bashkon dhe na shërben të gjithëve.

Mes nesh e dimë se kemi ndarje të tilla si: selefi, ihuanë, eshari, tabligs, sufi, nurxhi, sulejmanxhi, hanefi, hanbeli, shafi, maliki, pa medh’heb, me medh’hebe të përzier etj. dhe sigurisht që disa nga këto ndarje janë akaidore, fikhore dhe suluku, apo edhe politike e organizative. Mirëpo, që të gjithë ne në kohën dhe vendin ku jetojmë, sfidën më të madhe nuk e kemi për çështje metafizike të gajbit, të cilat edhe pse janë tepër të rëndësishme, epoka në të cilën jetojmë i ka nxjerrë në plan të dytë, duke na rrezikuar themelin e identitetit tonë të përbashkët islam dhe në veçanti, doktrinën sociale të Islamit, për të cilën kemi shumë pak mospërputhje teorike në parim.

Ajo, nga e cila ne rrezikohemi në këtë epokë të modernitetit dhe post-modernitetit është vetë feja, me ato tipare ekskluzive që Islami ka dhe të vërtetat që ai mbart dhe që janë themeli i përbashkët i gjithë muslimanëve, sidomos ne shqiptarët muslimanë që jetojmë në një pozicion gjeopolitik, ku Islami sulmohet nga të gjitha anët dhe ku rrezikojmë të zhbëhemi së qeni kulturalisht muslimanë së pari dhe pas kësaj, rënia në kufr është shumë më e lehtë.

Disa muslimanë, mes tyre edhe gylenistët, me vetëdije dhe pavetëdije kanë marrë përsipër ta përmbushin këtë agjendë (shih https://bit.ly/3J73Q5G ), përmes vjedhjes që i kanë bërë institucionit përfaqësues të muslimanëve në këtë vend. Por edhe sikur të mos jetë ky synimi dhe agjenda e tyre finale, ata do të ishin më të pranueshëm, nëse nuk do të uzurponin me pa të drejtë KMSH-në, dhe agjendën sektare të minoritetit të tyre ta impononin si agjendë të mbarë bashkësisë islame, përmes diktatit të tyre institucional dhe praktikës së kamufluar dhe të butë të margjinalizimit të të tjerëve, me të cilën ata operojnë.

KMSH-ja na përket të gjithëve dhe përfaqësuesit tanë duhet të dalin po prej nesh, në mënyrë të lirë, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, në një proces të ndershëm transparent dhe dinjitoz.

Kjo është ajo që kemi kërkuar përherë dhe vazhdojmë të kërkojmë për më se 15 vjet.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit