0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Për muslimanët që jetojnë jashtë shteteve islame

Më të lexuarat

Për muslimanët që jetojnë jashtë shteteve islame: Ndërmjet respektimit të vlerave të patjetërsueshme të fesë dhe detyrimeve që kërkon nënshtetësia

Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam

Vendimi 155 – 4/17

Asambleja e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, e dalë nga Organizata e Konferencës Islamike, në sesionin e saj të shtatëmbëdhjetë, të mbajtur në Oman (në Mbretërinë Hashimite të Jordanisë) në datat 28 Xhumadi Ula – 2 Xhumadi Ahir 1427/24-28 Qershor 2006, pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura në Akademi rreth çështjes së pajtueshmërisë së respektimit të vlerave të patjetërsueshme të fesë dhe detyrimeve që kërkon nënshtetësia, për muslimanët që jetojnë jashtë shteteve islame dhe pasi dëgjoi diskutimet që u zhvilluan rreth temës, vendosi:

Së pari: Me nënshtetësi kuptohet përkatësia (e një individi) ndaj një shteti të caktuar, që ka tokë dhe ekzistencë reale. Ndërsa me vlera të patjetërsueshme islame kuptohen dispozitat fetare doktrinare, praktike dhe morale, të cilat provohen nga tekstet e qarta fetare dhe për të cilat ka konsensus në Umetin Islam. Kjo përfshin çdo gjë që lidhet me ruajtjen e pesë domosdoshmërive të cilat janë: Ruajta e fesë, shpirtit, arsyes, pasardhësve dhe pasurisë.

Së dyti: Në këndvështrimin islam nuk ka asnjë ndalesë që muslimanët të kontribuojnë në shtetet joislame në aktivitete shoqërore, politike e ekonomike, në të cilat nuk bihet ndesh me vlerat e patjetërsueshme islame që përmendëm dhe në veçanti kur të qenit nënshtetas e kërkon këtë kontribut, por me kusht që këto aktivitete të mos rrezikojnë identitetin dhe dinjitetin e tyre islam.

Së treti: Lejohet që muslimanët në Perëndim të gjykohen para një gjykate joislame, kur kjo është rruga sesi fitohet një e drejtë apo vihet në vend një padrejtësi. Ndërsa çështjet që përfshihen në kodin familjar duhen patjetër që për to të ndiqen dispozitat islame, nëpërmjet gjykimit (arbitrazhit) islam, ose nëpërmjet marrjes së fetvasë dhe respektimit të saj.

Së katërti: Në rastin e dhënies së fetvave për muslimanët që jetojnë në shtete joislame, nuk fillohet nga parimi i rastit përjashtimor, por vetëm pasi të provohet se kemi të bëjmë me një situatë domosdoshmërie apo nevoje të përgjithshme, e cila krijon vështirësi apo sforco, dhe në çdo rast duhen pasur parasysh kriteret fetare, si për domosdoshmërinë ashtu edhe për nevojën, dhe duke u kufizuar brenda masës që këto të dyja kërkojnë.

Allahu e di më së miri!

Burimi: http://www.fiqhacademy.org.sa/qrarat/17-4.htm

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit