2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Për kë po bien kambanat në mes të Prishtinës?!

Më të lexuarat

Opinion

Shkruan: Avni Xhemajli

Nuk është as e re por edhe as e panjohur që një dekadë radhazi besimtarëve islam u mohohet e drejta e ndërtimit të Qendrës Kulturore Islame në kryeqytet, e cila tanimë paraqet një domosdoshmëri kohore dhe një nevojë urgjente si kurrë më parë, ndërtimin e së cilës për fat të keq ende e pengon dhe e pamundëson mosdhënia e lejes dhe hapësirës nga ana e autoriteteve komunale, institucionale e politike vendore; derisa në anën tjetër pa kurrfarë pengese përfundoi ndërtimi i katedrales katolike “Nënë Tereza” me përmasa grandioze piramidale në qendër të qytetit, në vendin në të cilin dikur gjendej gjimnazi historik i Prishtinës- “Xhevdet Doda”. Por, për kë po bien kambanat në mes të Prishtinës tani?

Derisa objektet e komunitetit katolik në Prishtinë, si për shembull kisha katolike në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, gjatë ceremonive të tyre fetare, nuk arrijnë t’i mbushin kurrë objektet e tyre me njerëz, bile as për gjysmë, barometër ky që më së miri pasqyron numrin dhe tregon se ka pasur apo nuk ka pasur nevojë për ngritje të objekteve si katedralja në mes të Prishtinës, dhe për më keq në vendin e njërit prej gjimnazeve më të njohura dhe më të suksesshme të Prishtinës- “Xhevdet Doda”, edhe pse nevoja për të ndërtuar dhe për të pasur shkolla në kryeqytet vazhdon ende të jetë shumë e madhe.

Konkretisht, nevoja e komunitetit katolik për ndërtimin e një katedraleje me përmasa të tilla në qendër të qytetit, është në shpërputhje të plotë, dhe si e tillë, për shumë arsye paraqet një provokim për qytetarët, kur kemi parasysh se në mungesë të infrastrukturës së objekteve shkollore, nxënësit në kryeqytet detyrohen që ende t’i vijojnë mësimet me 3 deri në 4 ndërrime, gjë që nuk ndodh askund në Evropë- siç është edhe rasti i vet nxënësve të ish-gjimnazit “Xhevdet Doda” të mbetur tash e sa vite pa shkollë duke u detyruar gjithë ato vite të ndjekin procesin mësimor në kushte të mjerueshme  të shpërndarë nëpër shkolla të ndryshme të kryeqytetit; dhe, gjithashtu përbën edhe një provokim shtesë, ku në mungesë të Qendrës Kulturore Islame për shkak të mosdhënies së lejes për ndërtimin e saj nga ana e autoriteteve komunale, besimtarët islam detyrohen që ende të thërrasin ezanin rrugëve të kryeqytetit dhe obligimet e tyre fetare t’i kryejnë nën qiellin e hapur.

Menjëherë pas përfundimit të muajit të bekuar Ramazan në të cilin gjendemi tani, kjo gjë do të dëshmohet përsëri sikur edhe viteve të tjera me rastin e faljes së namazit të Fitër-Bajramit në Prishtinë. Kjo festë, besimtarëve islam edhe kësaj radhe në vitin 2010  ua kujton mëngjeset e ftohta të viteve të kaluara, kur zgjoheshin herët në mëngjes për të shkuar me nxitim në njërën prej atyre pak xhamive që gjenden në Prishtinë, me shpresë që secili për vete të gjejë brenda në xhami një vend për të falur namazin e Bajramit në mënyrë të dinjitetshme ndaj Zotit të Lartësuar. Mirëpo fatin për të gjetur një vend brenda xhamie edhe kësaj radhe do ta kenë vetëm ata njerëz të cilët zgjohen më herët se sa që normalisht do të duhej, kurse pjesa më e madhe si zakonisht edhe kësaj radhe Bajramin do ta falin sikur edhe viteve të kaluara: rrugëve të kryeqytetit në të ftohtë, nëpër baltë, borë apo shi. Po kështu, do të jetë pas pak muajsh gjatë festes së madhe të Kurban Bajramit.

Dhe ky lloj refreni për besimtarin islam tingëllon të jetë i njohur madje për çdo vikend. Shumë prej tyre për çdo fundjavë gjatë faljeve të xhumave në kryeqytet, por sidomos ata të cilët shkojnë paksa më vonesë për shkak të angazhimeve të ndryshme ditore që kanë në jetën e përditshme, çoftë puna, studimet apo shkolla, nuk gjejnë vend për falje në brendi të xhamive, përveç në ndonjë cep të oborreve, kurse xhamitë të cilat nuk kanë fare oborre, si për shembull xhamia “Hasan Beg” në Prishtinë, e njohur si xhamia e Katër Llullave, besimtarët detyrohen të falen nëpër terrasa dhe disa madje jo rrallë herë edhe nëpër shkallë të xhamive.

Në krejt këtë situatë, janë prej fatit besimtarët, nëse atë ditë merr kohë e mirë dhe jo e vështirë me acar, borë, shi apo vapë të madhe. Dhe, përderisa numri i besimtarëve çdo herë e më shumë është në rritje, kjo gjendje e keqe duket se nuk do të ndryshojë në kryeqytet, derisa BIK-ut të mos i jepet leja për ndërtimin e Qendrës Kulturore Islame dhe të xhamive të reja në kryeqytet.

Qendra Kulturore Islame në Prishtinë, në kompleksin e saj do të përmbante bibliotekën, sallën kompjuterike, qendrën studentore, institute kulturore, të shkencës e të gjuhëve të huaja, galerinë e arteve, një xhami me objekte të tjera përcjellëse, qendrën shëndetësore pa pagesë për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë për vizitat e tyre mjekësore, mensën për të ushqyer njerëzit e varfër, të ngratë dhe të pastrehë që s’mund ta sigurojnë shujtën e tyre ditore; një sallë vizitorësh, një pishinë, fusha të ndryshme sportive për të rinjtë dhe shumë objekte të tjera, që me një fjalë do të ishin në shërbim dhe shfrytëzim të te gjithë qytetarëve pa dallim.

Lëshimi i lejes për Qendrën Kulturore Islame dhe për ndërtimin e xhamive të reja nëpër lagjet ku ato ende mungojnë, si për shembull në lagjen Dardania apo lagjen Ulpiana dhe në lagjet e tjera të Prishtinës, do të zbusnin nevojën imediate për objekte të reja që kanë besimtarët islam, gjë që do të mundësonte faljen me dinjitet të namazeve të xhumave dhe të festave të mëdha të Fitër- dhe Kurban Bajramit.

Në kohën kur ndërtimi i Qendrave Kulturore Islame në qytetet e ndryshme të shteteve evropiane, si për shembull në Marseje të Francës apo në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tani, është realitet i prekshëm edhe pse në ato vende shumica e myslimanëve janë të emigruar dhe pakicë; është paradoksale që Qendra Kulturore Islame ende të mos ekzistojë në Prishtinë, ku besimtarët islam janë në shtëpinë e tyre dhe përbejnë shumicën. Por që në anën tjetër, ndërtimi i katedrales katolike të një komuniteti pakicë i cili nuk e përbën as edhe një për qind të popullatës në kryeqytet u realizua pa as edhe një të vetmen pengesë.

Po të ishte mbarë e mirë, Qendra Kulturore Islame në Prishtinë tashmë do të duhej të ishte punë e kryer dhe në funksion dhe shërbim të qytetarëve, dhe, në vend të kësaj që po flasim tani, do të duhej të debatonim dhe bisedonim se ku do të duhej të ndërtohej Qendra e dytë Islame në kryeqytet. Por fatkeqësisht, realiteti është krejt ndryshe, dhe e bën të nevojshme përpjekjen për të fituar të parën, ndërtimi i se cilës kishte filluar por që ishte ndërprerë më herët vite më parë, kur lejen e ndërtimit të saj, Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga LDK-ja, e anuloi vetëm pak kohë pasi e kishte lëshuar atë. Dhe, me anulimin e lejes u bë edhe ndërprerja e punimeve të ndërtimit të Qendrës, me ç’rast Komuna e Prishtinës e humbi një investim prej më shumë së 10 milion dollarësh. Ndërsa tani, duke mos e ofruar hapësirën dhe duke mos e lëshuar lejen për ndërtimin e saj, KK e Prishtinës po e mban pezull për vite me radhë një investim të gatshëm për Komunën e Prishtinës në vlerë prej më shumë se 15 milion euro.

Pra, lejimi i ndërtimit të katedrales katolike në njërën anë, kurse pengimi dhe ndalimi i ndërtimit të Qendrës Kulturore Islame në anën tjetër, është i padrejtë dhe përbën edhe një provokim tjetër, atë nga ana e autoriteteve komunale e institucionale, i shprehur me një dozë inferioriteti të paparë ndaj besimtarëve islam, ndaj të cilëve që sa kohë mbretëron një ftohtësi dhe një indiferencë e pashoqe, duke u bërë ende pengesë për moslejimin e ndërtimit të kësaj Qendre. Për këto arsye, Komuna e Prishtinës, politika dhe politikanët janë në borxh ndaj BIK-ut dhe besimtarëve islam dhe për të sanuar këtë borxh, duhet t’ua japin sa më parë lejen dhe hapësirën për ndërtimin e saj.

Sepse fundja, lejimi i njërës, përkatësisht favorizimi në këtë rast i pakicës, dhe, ndalimi i tjetrës, praktikisht diskriminimi në këtë rast i shumicës, nuk i shërben aspak për mirë kultivimit dhe avancimit të tolerancës ndërfetare e cila mbretëron me shekuj në vendin tonë. Por në rast përkeqësimi dhe prishjes së kësaj vlere jashtëzakonisht të madhe dhe po aq humane që na veçon e na dallon për mirë ndër popujt e tjerë të rajonit, Evropës dhe botës, faturën do ta bartë politika dhe politikanët. Por që të mos ndodhë një gjë e tillë, duhet të ujitin të gjithë ujë në vazon e tolerancës, duke i trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Njëherë për njëherë deri më tani, merita për këtë tolerancë fetare që kemi në vendin tonë, shkon ndaj atyre që është duke u bërë padrejtësi, ndaj besimtarëve islam, që si satisfaksion meritojnë një lavdërim për këtë gjë, mirëpo është për t’u parë me sy kritik heshtja që thuajse nuk bëjnë asgjë për t’i kërkuar dhe realizuar të drejtat që u takojnë; të cilat s’mund t’ju ndalohen as me vendime politike, as me ligj dhe me asgjë tjetër.

Në këtë aspekt, besimtarët islam duhet të bëhen më të zëshëm dhe të kërkojnë të drejtat e të tyre, të drejtën për ndërtimin dhe posedimin e Qendrës Kulturore Islame në qendër të Prishtinës dhe të xhamive nëpër lagjet ku atyre u mungojnë, gjë të cilën duhet bërë jo vetëm për këto arsye, por edhe për shumë arsye tjera, sepse në fund të fundit s’kanë ç’të humbasin. Dhe aq më tepër duhet bërë këtë gjë, kur në një vend si ne, ku nuk funksionon drejtësia, ku gjykatat e Ombudspersoni janë të politizuara e të paralizuara për kome nga nepotizmi, korrupsioni, familjarizmi dhe nga shumëçka tjetër, përgjegjësia bie edhe më tepër mbi shoqërinë civile të këtij mesi, si dhe mbi vet institucionet kompetente si BIK-u, etj.

Për ndryshe, në cilido vend të botës në të cilin ka sado pak drejtësi dhe që sado pak respektohen liritë dhe të drejtat fetare, nuk do të ndodhte kurrë kjo gjë çfarë është duke ndodhur tek ne. Dhe po të ndodhte një gjë e tillë ndaj njerëzve që janë shumicë; cilit do pushtet politik, herët apo vonë çmimi që do t’i vinte në faturë, do t’i kushtonte mjaft shtrenjtë, nëse jo me herët më se voni deri në ditën e zgjedhjeve. E them nga përvoja personale. Qytetarët e vendeve të Unionit Evropian, për shembull në Francë, Austri, Zvicër apo Gjermani nuk ua harrojnë politikanëve asnjëherë padrejtësitë e bëra ndaj tyre përgjatë mandatit qeverisës dhe ua kthejnë bumerang në ditën e zgjedhjeve. Kjo vetëdije e lartë e qytetarëve të vendeve të unionit, bën që politikanët të jenë shumë të kujdesshëm në raport me qytetarin, të drejtat dhe nevojat e tyre, çfarëdo qofshin ato. Në të kundërt, në këto rrethana, qytetari lehtësisht rrezikohet të rrëshqet nga vëmendja e institucioneve dhe të kalojë në margjina.

Kur jemi të zgjedhjet, institucionet dhe partitë politike po harrojnë se këta njerëz si shumicë, janë qytetarë të barabartë me pakicën ose se paku do të duhej të ishin e të trajtoheshin si të tillë; po harrojnë gjithashtu se janë taksapagues të barabartë me pakicën në kryerjen e obligimeve ndaj shtetit dhe obligimeve të tjera, se po ashtu janë të barabartë edhe në të drejtë vote, gjëra këto që nuk do të duhej t’i harronin, se paku këtë të fundit jo, sepse, sa herë që kalojnë zgjedhjet ato do të vijnë përsëri, ditë në të cilën do të mund të lahen kusuret herët apo vonë kur të mbushet mirë kupa.

Zgjedhjet qendrore të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm më 2011 në Kosovë, janë një mundësi e mirë të cilën qytetarët, besimtarët islam, munden dhe duhet ta shfrytëzojnë për realizimin e kërkesave dhe nevojave të tyre në përgjithësi, ndër tjera edhe atë për realizimin e ndërtimit të Qendrës Kulturore Islame dhe të xhamive të reja në kryeqytet (nëse deri atëherë nuk jepet leja dhe hapësira për ndërtimin e saj), duke i  kushtëzuar partitë politike dhe politikanët me votën e tyre. Ndikimi i politikës në kualitetin e jetës së qytetarit në përmasa kaq të mëdha dhe të drejtpërdrejtë, e bën të pashmangshme këtë logjikë dhe këtë mënyrë veprimi.

Veprimi me kushtëzim vote në këto rrethana inferioriteti ndaj qytetarit është i paevitueshëm dhe e bën edhe më të nevojshëm kur kemi parasysh faktin se politikanët janë mësuar që për shkak të presionit të zgjedhjeve dhe dëshirës për fitore, të bëjnë lloj-lloj premtimesh, por që, sapo të realizojnë qëllimet e tyre të ardhjes në pushtet, të harrojnë se çfarë i kanë premtuar qytetarit, duke bërë që premtimet e tyre të ngelin vetëm në fjalë goje dhe në letër. Pra, kjo lloj kontrate, të cilën me kushtëzim vote do të duhej ta dirigjonte dhe ta lidhte qytetari në raport me cilindo subjekt politik, nuk është aspak negativ. Përkundrazi, do të ndikonte në shtimin e përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimin e politikanëve duke ndikuar në këtë mënyrë në edukimin dhe kthimin e politikës për së mbari sadopak, ku institucionet dhe subjektet  politike do të viheshin në funksion dhe shërbim të qytetarëve dhe jo anasjelltas.

Prandaj, realizimi i ndërtimit të Qendrës Kulturore Islame në Prishtinë mbetet borxh i Komunës së Prishtinës dhe i institucioneve përgjegjëse, për të korrigjuar gabimin e bërë për gjithë këto vite ndaj BIK-ut dhe besimtarëve islam. Qendra Kulturore Islame duhet të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, në oborrin para Fakultetit të Filologjisë prej udhëkryqit e deri të ndërtesa e Radio Kosovës, vizavi me katedralen e cila tanimë u bë realitet; që në këtë mënyrë duke qëndruar njëra pranë-tjetrës të bëhen simbole të bashkimit dhe të bashkëjetesës, ta sforcojnë dhe ta thellojnë paqen dhe tolerancën ndërfetare në vendin tonë, dhe pse jo për të mos i dhënë Prishtinës edhe një pamje të re, metropolitane.

Kërkesa e Bashkësisë Islame e Kosovës, e besimtarëve islam dhe subjekteve tjera relevante, duhet të jetë këmbëngulëse që Qendra Kulturore Islame të ndërtohet në qendër të qytetit në vendin e lartpërmendur, përderisa nuk gjejnë ndonjë vend me të mirë dhe më të përshtatshëm për ndërtimin e saj. Përndryshe, nëse ndërtimi i saj imponohet të bëhet në ndonjë skutë a periferi të kryeqytetit, ku njerëzve do t’ju duhet të shkojnë me kombibus, me vetura etj., me siguri se Qendra nuk do ta ketë rolin, rëndësinë dhe as peshën e vet të cilën në të vërtetë do të duhej ta kishte.

Dhe derisa kambanat s’do të ndalen tash e tutje të bien në Prishtinë, besimtarët islam duket se edhe për vite me radhë do t’i përcjellë fati i njëjtë i deritanishëm i thirrjes se ezanit rrugëve të kryeqytetit dhe në mungesë të Qendrave Kulturore Islame dhe xhamive, të falen edhe për shumë bajrame të tjera dhe xhuma nën qiellin e hapur. Deri atëherë, toleranca ndaj besimtarëve islam do të mbetet tolerancë e baltës, borës dhe shiut. Kjo nuk është Kosova për të cilën edhe ne edhe të tjerët kemi sakrifiku dhe kemi luftuar, apo jo!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit