-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Për agjëruesin ka një lutje që nuk i refuzohet

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është transmetuar të ketë thënë se: “Agjëruesi ka një lutje që nuk i refuzohet… ” Përse?

Kjo sepse agjëruesi është fizikisht i dobët, shpirtërisht është i nënshtruar dhe i përulur para All-llahu të Madhërishëm në përpjekje për të kryer edhe një prej urdhrave të Tij, ai ka thyer rregullat e tij, ka hequr dorë nga ushqimi dhe pija, ka lënë anash epshet dhe egot e tij, të gjitha këto i ka bërë që të jetë sa më afër All-llahut të Madhërishëm, andaj devotshmëria e tij është në nivel më të lartë se çdoherë tjetër.

Në lidhje me këtë është vërtetuar nga Profeti (sal-lallllahu alejhi ve sel-lem) të ketë thënë se: “Lutja është adhurim.” Nëse vëren se një rob është duke iu përgjëruar All-llahut të Madhërishëm në lutjet e tij, dije se ai është më afër All-llahut dhe është i bindur në përgjigjen e Tij.
Prej sahabëve, All-llahu i Madhërishëm qoftë i kënaqur me ta, është transmetuar se kishin pyetur njëherë Profetin (sallall-llahu alejhi ve sel-lem) nëse All-llahu është afër që t’i luten apo larg që ta thërrasin. Me këtë rast kishte zbritur fjala e All-llahut të Madhërishëm si përgjigje për këtë: “E nëse të pyesin ty robërit e Mi për Mua, Unë jam afër dhe u përgjigjem lutjeve të lutësve andaj m’u lutni Mua dhe më besoni Mua në mënyrë që të udhëzoheni.”

Po ashtu, është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) të ketë thënë: “Me të vërtetë ju nuk jeni duke lutur një që nuk dëgjon, e as jeni duke lutur dikë që është larg, por, përkundrazi, jeni duke lutur të Dëgjueshmin dhe të Gjithëdijshmin, i Cili është më afër se damarët e gjakut tuaj.”

Lutja është një litar i zgjatur, një lidhje e fortë dhe një mundësi afrimi për tek All-llahu i Madhërishëm. Në lidhje me këtë, Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) thotë: “Nuk do të humbë askush që lutet.”

All-llahu i Madhërishëm na fton që ta lusim dhe kërkon prej nesh që të kërkojmë prej Tij për atë që kemi nevojë, andaj, në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.” Në një tjetër ajet, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehenem.”

Është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) të ketë thënë: “Zoti ynë zbret në qiellin e kësaj bote kur të mbetet pjesa e tretë e fundit të natës dhe thotë: A ka kush që kërkon e t’i jap, a ka kush që më lutet e t’i përgjigjem, a ka kush që kërkon falje e ta falë?”

Muaji i Ramazanit është muaji i lutjes, muaj i përgjigjes, muaji i pendimit dhe muaj i faljes.

Prandaj, o ti agjërues, që të është tharë goja nga agjërimi, të është boshatisur stomaku nga uria, të janë tharë veshkat nga etja, shto lutjet e tua me përgjërim, nënshtrim dhe sinqeritet ndaj All-llahut të Madhërishëm. Duke pasur parasysh se All-llahu i Madhërishëm i ka përshkruar robërit e Tij të devotshëm dhe përkushtimin e tyre ndaj lutjeve në këtë formë: “Ne ia pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjain dhe ia përmirësuam bashkëshorten atij. Ata përpiqeshin për punë të mira, na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh.”

Pa dyshim se për të lutur All-llahun e Madhërishëm në formën më të mirë të mundshme ka edukatë të caktuar që medoemos duhet ta dijë çdo besimtar, e në veçanti agjëruesit, para se të fillojnë t’i luten Krijuesit të tyre.

Prej tyre mund të cekim:

– Vendosmëria me zemër dhe ndjenja e sigurisë në miresitë e All-llahut të Madhërishëm dhe në përgjigjen e All-llahut që do t’u dhurojë lutësve të Tij.

Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërtetuar të ketë thënë se: “Të mos thotë askush prej jush: “O All-llah, nëse do më fal mua!” Por le të jetë i vendosur në kërkesën e tij , pasi askush nuk mund ta detyrojë All-llahun në diçka.”

– Lavdërimi, madhërimi dhe falënderimi ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe përshëndetjet dhe selamet ndaj Profetit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) në fillim, në mes dhe në fund të lutjes.

– Koha e pranimit të lutjes, siç janë pjesa e tretë e fundit e natës, kur njeriu është në sexhde, mes ezanit dhe ikametit, në fund të namazeve, në orën e fundit të ditës së xhuma, pas namazit të ikindisë, ditën e Arafatit etj.

– Mos kërkimi i diçkaje që është e ndaluar apo që është mëkat siç është çështja e lutjes për mosmbajtjen e lidhjeve me të afërmit, të mos lutet kundër dikujt apo në dëm të dikujt tjetër.

Andaj, o ti agjërues, para perëndimit të diellit ke një orë që është prej orëve më të mëdha, një orë para se të bësh iftar pasi kjo është koha kur uria dhe lodhja arrijnë kulmin e tyre e në të njëjtën kohë devotshmëria arrin piedestalin e saj, ndaj shtoje lutjen dhe shtoje përgjërimin tënd në këtë kohë dhe në lutjet e tua duke mos hequr dorë dhe duke mos pushuar së luturi dhe së kërkuari nga All-llahu i Madhërishëm.

Në kohën e syfyrit ke një orë andaj jepe mundin tënd dhe jepe maksimumin tënd në lutje dhe përgjërim ndaj Allllahut të Madhërishëm pasi ti je i dobët e Ai është i Gjithëfuqishmi, ti je i nevojshëm e Ai është i Gjithëpasuri, ti je kalimtar e Ai është i Pavdekshëm.

“O All-llah , faljen Tënde dhe të askujt tjetër e dëshirojmë!

O Ti që të gjitha krijesat të janë nënshtruar,

trokitëm dyert e mbretërve, por na u mbyllën.

E pamë që dyert e Tua janë të gjera dhe nuk mbyllen.”

Ibrahimi (alejhis-selam) e kishte lutur All-llahun e Madhërishëm duke i thënë: “Zoti im, më bëj mua prej falësve të namazit dhe pasardhësit e mi, o Zoti im, dhe na i prano lutjet. O Zoti im, më fal mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët në ditën e llogaridhënies.”

Musai (alejhis-selam) e kishte lutur All-llahun e Madhërishëm duke i thënë: “Zoti im më zgjero gjoksin dhe më lehtëso çështjen time.”

Sulejmani (alejhis-selam) e kishte lutur All-llahun e Madhërishëm duke i thënë: “Zoti im më fal mua dhe më dhuro pushtet, që nuk do t’ia dhurosh askujt pas meje, me të vërtetë Ti je Dhurues.”

I Dërguari ynë, Muhammedi (sal-lall-llahu alejhi ve sellem), e kishte lutur All-llahun e Madhërishëm, ashtu siç transmetohet në një transmetim të vërtetë në Sahihun e Imam Buhariut ku thuhet se: “Zoti im, Zoti i Xhibrilit, Mikailit, Israfilit, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Ti je që gjykon në mes të krijesave kur ata kanë mospajtime, më udhëzo mua në ato që nuk janë pajtuar nga e vërteta, me lejen Tënde, pasi Ti je Ai që udhëzon në rrugën e drejtë.”

Nga lutja ka dobi të shumta, por prej tyre do të përmendim disa:

Të adhuruarit ndaj All-llahut të Madhërishëm, të nënshtruarit dhe bindja ndaj Tij. Kjo është prej qëllimeve të adhurimeve dhe fryteve të saj.

– Adresimi i kërkesës, qoftë kjo për dhurimin e ndonjë të mire apo për ndalimin e ndonjë të keqjeje, duke pasur parasysh se këtë të drejtë, këtë kompetencë dhe këtë mundësi nuk e posedon askush tjetër përveç All-llahut të Madhërishëm.

– Akumulimi i shpërblimit tek All-llahu i Madhërishëm. Kjo ndodh në rast se nuk i përgjigjet lutjes së tij në këtë botë dhe All-llahu i Madhërishëm do t’ia ruajë shpërblimin e asaj lutje në Ditën e Gjykimit e kjo është më e mirë dhe më e dobishme për të.

Sinqeriteti në besim. Ky arrihet duke përmirësuar lidhjet dhe duke i forcuar ato me All-llahun e Madhërishëm në njërën anë, e në anën tjetër bëhet shkëputja e lidhjeve dhe e vartësisë nga njerëzit. E sa i përket kërkesave dhe lutjeve duke i adresuar ato vetëm tek All-llahu dhe duke mos ndierë nevojë për ndihmën e njerëzve.

O All-llah i Madhërishëm, na dhuro të mira në këtë botë dhe në botën tjetër, na ruaj nga dënimi i zjarrit! O Zot, mos na i lajthit zemrat tona pasi na i udhëzove ato dhe na dhuro neve mëshirë nga ana Jote se më të vërtetë Ti je dhurues!

Aid el-Karni

“30 Mësime për agjëruesit”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit