0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Pensionistët e TMK-së të irrituar në Thaçin

Më të lexuarat

Të irrituar në kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se me vendimin e tij për rritjen e pensioneve nuk i ka përfshirë edhe pensionistët e TMK-së, rreth 150 pensionistë të rajonit të Drenicës i kanë dërguar letër kryeministrit Thaçi, me anë të së cilës i kanë kërkuar atij që ta korrigjojë vendimin e tij.
Duke e vlerësuar vendimin e Thaçit si një “tërmet” që i ka goditur ata, pensionistët e TMK-së kanë pyetur kryeministrin Thaçi se cilës kategori të pensionistëve u takojnë ata, nëse jo atyre kontributdhënës, transmeton “Zëri”.
“Ne pensionistët e ZO të Drenicës jemi shokuar me lajmin se pensionet tona nuk do të rriten. Z. Kryeministër, ju keni premtuar se pensionet do të rriten për të gjitha kategoritë. Por, tani meqë ne nuk jemi përfshirë në rritje të pensioneve, duam t’ju pyesim dhe të dimë se cilës kategori të pensionistëve i takojmë ne. Ju e dini, se me nxjerrjen e Ligjit për TMK-në, paga e komandantëve ishte 600 euro, ndërsa e ushtarëve të thjeshtë 191 euro. Sot jetojmë me vetëm 136 euro në muaj. Si t’i mbajmë ne nga 10 anëtarë të familjeve me kaq pension?”, thuhet në letër për të shtuar:
“Ju thatë se pensionet do t’iu rriten pensionistëve kontributdhënës, por edhe ne pensionistët e TMK-së ishim kontributdhënës. Sa ishim në marrëdhënie pune paguanim kontributet për çdo muaj. Paratë tona i shfrytëzon Trusti Pensional i Kosovës, ku ne nuk kemi të drejtë t’i marrim paratë tona. Ju z. kryeministër keni premtuar se me ngritjen e pagave për pjesëtarët e FSK-së do të rriten edhe pensionet e TMK-së, por kjo nuk ndodhi kurrë. Përsërisim se ju vetë keni thënë se pensionet u ngriten atyre pensionistëve që janë kontributdhënës, e si duket keni harruar që pikërisht ne jemi pensionistë kontributdhënës, andaj do të dëshironim dhe njëkohësisht u kërkojmë juve që ta korrigjoni vendimin tuaj për ngritje të pensioneve, në mënyrë që edhe pensionistëve të TMK-së, të gjithëve pa dallim, t’ua rrisni pensionet, sepse ata bëjnë pjesë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës”, thuhet në mes tjerash në letër./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit