2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pendimi yt, gëzon Allahun

Më të lexuarat

Enes ibnu Malik (r.a), shërbëtori i Profetit (a.s) transmeton, se I Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu gëzohet me pendimin e besimtarit, më tepër se personi i cili rrëzohet nga deveja, apo e humbet atë në shkretëtirë dhe më pas e gjen”.

Ndërsa në transmetimin e imam Muslimit lexojmë sa më poshtë: “Allahu gëzohet më tepër me pendimin e besimtarit, sesa personi i cili ka udhëtuar me devenë e tij nëpër shkretëtirë dhe pastaj ajo i humbet dhe bashkë me të uji dhe ushqimi. E kërkon, por e humb shpresën për ta gjetur, pastaj shkon tek një pemë dhe nga lodhja shtrihet nën hijen e saj me shpresë të humbur. Duke qenë në këtë gjendje, e sheh devenë e vet duke qëndruar përpara tij, ngrihet, e kap për litari dhe nga gëzimi i madh thërret: O Zot! Ti je robi im, kurse unë jam zoti yt” nga gëzimi i madh shprehet gabimisht”.[1]

Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:

Ai është Enes ibnu Malik ibnun Nadr El Ensari.

Është shok i profetit (a.s) dhe i ka shërbyer atij. Ka lindur në Medine dhjetë vjet përpara vitit të hixhrit. E pranoi fenë Islame në moshë të vogël. E ëma, Ummu Sulejm, shkoi bashkë me të tek profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, ky është djali im, ai di shkrim dhe këndim, e solla tek ty që të të shërbejë. I Dërguari i Allahut e pranoi djalin dhe iu lut Allahut me këto fjalë: O Zot, shtoja  pasurinë dhe pasardhësit, jepi bereqet në atë që i ke dhënë”. Enesi (r.a) thotë: “Me të vërtetë unë kam shumë pasuri, po ashtu edhe pasardhës, numri i të cilëve arrin afërsisht deri në njëqind”.[2]

Kur ka qenë ende fëmijë ka marrë pjesë në betejën e Bedrit. Po ashtu ka marrë pjesë në Paktin e Hudejbijes, në çlirimin e Mekes, në betejat e Hunejnit, Taifit dhe Hajberit. Po ashtu ka qenë bashkë me profetin (a.s) kur ai (a.s) e kreu Umren dhe Haxhin. Ka qenë një shok i mirë i profetit (a.s) dhe asnjëherë nuk është ndarë prej tij, derisa ai (a.s) ndërroi jetë. Më pas ai u nis për në Damask dhe që andej për në Basra.

Ai njihet prej atyre sahabëve që ka qenë shumë i rregullt dhe i përkushtuar në namaz, si kur ishte rezident apo udhëtar. Ebu Hurejra (r.a) thotë: “Nuk kam parë askënd që t’i ngjajë profetit (a.s) në faljen e namazit si Enes ibnu Malik”. Falej aq gjatë, saqë këmbët i pikonin gjak. Njëherë ai ka thënë: “Nuk ka natë që unë mos ta shikoj të Dërguarin e Allahut”. Pasi tha këto, filloi të qante.

Enesi (r.a) ka transmetuar 2286 hadithe nga profeti (a.s). Vdiq në moshën 103 vjeç në vitin e 93 të hixhrit.

Allahu e mëshiroftë.

Shpjegimi i hadithit:

Sa e madhe është mëshira e Krijuesit ndaj krijesave? Sa e madhe është mirësia dhe shpërblimi i Allahut për robërit e Tij që pendohen?! Shenjat e mëshirës hyjnore demonstrohen në formën më të mirë e më të thjeshtë tek ky hadith profetik. Nëpërmjet këtij hadithi, njerëzit arrijnë të kuptojnë shumë mirë mëshirën e Allahut, që ka përfshirë gjithçka, arrijnë të kuptojnë se Allahu është Mëkatfalësi, Mëshiruesi, Pranuesi i pendesës dhe i Urti.

Në këtë hadith, profeti (a.s) na paraqet një skenë të ngjarjes të ilustruar në formën më të bukur; shkretëtirën, njeriun që ka hipur mbi deve, humbjen e devesë, ushqimit dhe ujit, kërkimin e ushqimit dhe ujit që janë baza e jetës sidomos për udhëtarin, më pas humbjen e shpresës për t’i gjetur ato, shtrirja nën hijen e pemës me shpresë të humbur duke pritur vdekjen, kur papritur ky njeri që i ka humbur shpresat e gjen devenë dhe bashkë me të ushqimin dhe ujin. Në këtë moment gëzimi e përfshin gjithë trupin e tij, e madhëron dhe e falenderon Allahun, mirëpo atë që dëshiron ta shprehë me zemër, e ngatërron me fjalët që i nxjerr nga goja. Por Allahu i Lartësuar ia fal këtë lapsus, sepse personi nuk e bëri këtë qëllimisht, por ai u shpreh kështu nga gëzimi që iu kthye shpresa.

Gëzimi i Allahut kur njeriu pendohet, është shumë herë më i madh se gëzimi i këtij personi që e gjeti shpresën e humbur. Nëpërmjet këtij shembulli, profeti (a.s) dëshiron të na tregojë, se mëkatarët asnjëherë nuk duhet ta humbin shpresën, por të kthehen tek Allahu duke u penduar sinqerisht, sado i madh që të jetë mëkati. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: O robërit e Mi, që e keni mbushur veten plot me mëkate, mos i humbisni shpresat nga mëshira e Allahut, sepse me të vërtetë Allahu i fal të gjitha mëkatet. Me të vërtetë Ai është Mëkatfalësi, Mëshiruesi.”[3]

Rregulla dhe dispozita fetare:

A i lejohet njeriut që të udhëtojë i vetëm?

Ky hadith dëshmon, se lejohet që njeriu të udhëtojë vetëm, sepse dhënia e shembujve nga ana e profetit (a.s) tregon për një gjë të tillë. Megjithatë në një hadith tjetër është transmetuar, se profeti (a.s) ka thënë: “Një udhëtar është një shejtan, dy udhëtarë janë dy shejtanë, ndërsa tre persona quhen udhëtarë”[4] Megjithatë, duke bërë përputhjen mes dy haditheve themi, se lejohet që njeriu të udhëtojë vetëm, por një gjë e tillë është e papëlqyeshme (mekruh). Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky hadith[5] tregon se është e rrezikshme që njeriu të udhëtojë i vetëm. Por këtu bëhet fjalë për ato udhëtime, ku nuk shkel këmbë njeriu. Ndërsa për udhëtimet nëpër të cilat ka plot njerëz dhe ti udhëton vetëm pa ndonjë shoqërues, kjo nuk përbën problem, sepse ti megjithëse udhëton vetëm, të duket vetja sikur je në mes të një vendbanimi. Si psh: kur shkon nga Kasimi për në Rijad apo nga Rijadi në Demam[6] ku përgjatë gjithë rrugës ka plot udhëtarë e kalimtarë. Në të vërtetë, ky udhëtim nuk konsiderohet vetëm. Ti je vetëm në makinë, por jo vetëm në udhëtim, sepse përreth teje ka plot njerëz që shkojnë e vijnë”.

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Pozita e pendesës tek Allahu i Lartësuar

2 – Dhënia e shembujve

3 – Motivimi

4 – Ngjallja e shpresës tek njerëzit

5 – Lapsusi nuk konsiderohet gabim

6 – Gëzimi është atribut i Allahut të Lartësuar

 

1 – Pozita e pendesës tek Allahu i Lartësuar:

Pendesa e njeriut ka një pozitë shumë më të lartë se çdo gjë tjetër. Ky hadith profetik e sqaron shumë mirë vlerën dhe pozitën e madhe që ka pendesa tek Allahu i Lartësuar, i Cili e pranon atë. Shiko se sa qartë dhe bukur shprehet profeti (a.s) në këtë hadith: “Allahu gëzohet me pendimin e besimtarit më tepër se personi i cili rrëzohet nga deveja, ajo humbet në shkretëtirë dhe më pas ai e gjen atë”. Ky hadith tregon, se pranimi i pendesës nga Allahu është i menjëhershëm dhe se Ai me faljen dhe mëshirën hyjnore e pranon atë, madje më tepër se kaq, Ai gëzohet.

Në këtë hadith, profeti (a.s) e shëmbëllen pranimin e pendesës, kënaqësinë dhe mëshirën e pakufishme të Allahut të Lartësuar me personin, të cilit i humb deveja në shkretëtirë, mjeti i transportit me të cilën duhet ta kalojë shkretëtirën. Pasi i kishte humbur shpresat dhe ishte shumë pranë vdekjes ai gjen devenë. Ai (a.s) e jep këtë shembull, për t’i nxitur njerëzit që të pendohen, duke u hapur atyre portën e shpresës dhe mëshirës. Sepse Allahu është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi, Bujari që i nderon njerëzit duke ia pranuar pendesën. Kështu që njerëzit e gjejnë shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër, duke u penduar tek Allahu.

Hadithi aludon rreth Bamirësisë së Allahut ndaj robërve të Tij që pendohen, sepse mëkatari i cili mëkaton, bie pre e shejtanit dhe ushtarëve të tij dhe nuk pret gjë tjetër përveç shkatërrimit. Kështu që, nëse Allahu ia pranon pendesën, del nga pesimizmi që e kishte kapluar dhe çlirohet nga vargonjtë e shejtanit dhe të ushtarëve të tij.

Gëzimi dhe lumturia e personit që gjeti devenë nuk mund të përshkruhet me fjalë, saqë ai nga gëzimi i madh u shpreh gabim. Kjo lumturi buron nga dëshira që ka ky person për të jetuar. Megjithatë, gëzimi i Allahut është më i madh se gëzimi i këtij personi, kur një njeri pendohet dhe kthehet tek Ai. Doktor Husejn Hashim thotë: “Gjetja e devesë i dha jetë këtij personi në këtë botë, ndërsa pendesa i dha jetë në botën tjetër. Pikërisht këtë gjë kërkon Allahu prej robërve të Tij, që ata të pendohen e të kthehen tek Ai, që të jenë të shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër”.

Shpëtimi i njeriut varet tek kryerja e urdhëresave dhe moskryerja e ndalesave. Mirëpo ndodh që njeriu nuk i kryen disa urdhëresa ose kryen disa ndalesa. Për pasojë ai edhe mund të ndëshkohet në këtë botë dhe në botën tjetër. Prandaj Allahu i Lartësuar urdhëron e thotë në Kuranin fisnik: “Pendohuni tek Allahu të gjithë ju o besimtarë nëse dëshironi të shpëtoni”[7].

Pikërisht për këtë arsye, pendesa zë një vend të rëndësishëm e të lartë tek Allahu, prandaj çdo besimtar duhet të kthehet e të pendohet tek Allahu.

2 – Dhënia e shembujve:

Dhënia e shembullit në këtë hadith është shumë e qartë. Imam El Kurtubi thotë: “Dhënia e shembullit konsiston në faktin, se mëkatari ka rënë pre e kurtheve të shejtanit dhe është shumë pranë humnerës. Por duke qenë se ai pendohet tek Allahu, shpëton përfundimisht nga kurthet e shejtanit dhe Allahu me faljen dhe mëshirën e Tij e përfshin në amnistinë hyjnore”.

Përngjasimi dhe dhënia e shembujve lënë një shije të mirë tek dëgjuesit. Ato janë më të pranueshme, sepse nguliten dhe rrënjosen më shumë në mendje. Me anën e shembujve zbulohet e vërteta dhe ato janë shumë kuptimplote e domethënëse.

Shembulli mund të jepet në rastin kur duhet për të motivuar njerëzit kur ata kanë nevojë por mund të jepet  edhe për të qortuar njerëzit kur ata kanë nevojë për një gjë të tillë. Shembulli jepet për të lavdëruar dikë dhe jepet kur një njeri ka një cilësi të mirë, në mënyrë që edhe njerëzit e tjerë të shëmbëllehen me të.

Dhënia e shembujve ka vlera edukative dhe propaganduese, si: kuptimi është më i përafërt tek dëgjuesit, sepse njerëzit e kanë zakon që gjërat abstrakte t`i shëmbëllejnë me gjërat e prekshme, sepse kështu e kanë më të lehtë për të kuptuar. Gjithashtu dhënia e shembujve zgjon ndjenjat dhe njeriu bëhet më aktiv. Njeriu nga vetë natyra që e ka krijuar Allahu gjithmonë anon nga dëgjimi i shembujve, sepse ato tingëllojnë shumë bukur në veshët e tij. Po ashtu ato janë një mjet bindës, sepse kur njeriu dëshiron ta tregojë diçka, e shëmbëllen me një gjë të njohur dhe si rrjedhojë ajo është e pranueshme tek dëgjuesit.

3 – Motivimi:

Përmbajtja e këtij hadithi nënkupton motivimin e njeriut për t’u penduar sa më shpejt tek Allahu i Lartësuar. Është e ditur, se tek njeriu ka shumë faktorë të jashtëm, që ndikojnë negativisht tek ai dhe si pasojë ai neglizhon ndaj detyrimeve fetare. Po ashtu njeriu është gatuar i tillë, që e do të mirën e të rendë pas saj dhe në të njëjtën kohë e urren të keqen dhe dëshiron të rrijë shumë larg prej saj. Kështu që, motivimi për të fituar shpërblimin e Allahut nëse njeriu i bindet urdhrave të Tij, është një çështje që njeriu e dëshiron me gjithë zemër dhe përpiqet maksimalisht që ta arrijë atë.

Motivimi është përdorur në shumë ajete kuranore. Në suren El Bekare Allahu i Lartësuar i ka motivuar besimtarët, duke i përgëzuar me Xhenet. Allahu i Lartësuar thotë: “Përgëzoji ata të cilët kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira se për ta janë përgatitur Xhenete, poshtë të cilëve rrjedhin lumenj. Sa herë ju jepet një fryt, ata thonë: ne kemi ngrënë edhe më parë si ky fryt. Atyre u jepet diç e ngjashme. Ata kanë edhe gra të pastra. Ata aty janë përgjithmonë”[8]. Motivimi e shtyn njeriun që të jetë më i përkushtuar dhe ta adhurojë më shumë Allahun, sepse ai ka shumë dëshirë që përfitojë nga premtimi i Allahut. Po ashtu motivimi rrit ndjenjën e durimit tek besimtari, duke shpresuar që vuajtjet, mundimet dhe sakrificat në këtë botë t’i zëvendësohen me begati në botën tjetër.

Motivimi ngulit në zemrën e njeriut shpresën, mendimin e mirë për Allahun, zellin për të bërë vepra të mira dhe braktisjen e veprave të këqija. Shpresa është myzhde që dëshmon për bujarinë e Zotit, siguri në shpërblimin e madh, falenderim ndaj amnistisë hyjnore dhe krijimin e raporteve të mira me Dhuruesin e të mirave. Nëse nuk do të kishte shpresë, atëherë nuk do të kishte as adhurim; zemra nuk do të madhëronte, gjuha nuk do të lutej dhe trupi nuk do të sakrifikonte duke bërë adhurim.

Mësuesi, edukatori dhe dijetari e kanë për detyrë, që në ftesën e tyre të bashkojnë mes dy të mirave. Qortimi nuk është e vetmja mënyrë për të kuruar problemin. Përkundrazi, motivimi mund të jetë më efikas. Ai i cili bën një analizë të Librit të Allahut dhe traditës profetike, do të dalë në përfundimin, se metoda e motivimit është përdorur më shumë se metoda e qortimit; do të gjejë se motivimi është më i këndshëm dhe më i pranueshëm tek audienca.

Megjithatë, vlera dhe dobia e shpresës nuk shfaqet, nëse ajo nuk shoqërohet me punë të mira. Shpresë nuk do të thotë që njeriu të zhytet në mëkate, të lërë pas dore kryerjen e adhurimeve, t’i hyjë në hak të tjerëve dhe të lërë mangët detyrimet që ka dhe pas kësaj të shpresojë që të shpëtojë nga Zjarri i Xhehenemit. Përkundrazi, njeriu duhet të punojë dhe të shpresojë, të përpiqet dhe të kërkojë, të sakrifikojë dhe të dëshirojë. Në të njëjtën kohë ai është i ndërgjegjshëm për mëkatet që kryen, por shpreson në faljen e mëkateve.

Nëse do të meditojmë në ajetet e Kuranit, do ta miratonim këtë fakt dhe do të besonim tek ky parim. Lexoje ajetin ku Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilët besuan dhe më pas emigruan dhe luftuan në rrugë të Allahut, shpresojnë mëshirën e Allahut. Allahu është Mëkatfalësi dhe Mëshiruesi.”[9] Lexo gjithashtu ajetin tjetër kuranor ku Allahu i Lartësuar thotë: “Padyshim ata të cilët e lexojnë Librin e Allahut, e falin namazin dhe shpenzojnë fshehtazi apo haptazi nga ajo që ju kemi dhënë, shpresojnë tek një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë Ai është Falës dhe Falenderues”[10]. Po ashtu lexo ajetin kuranor, ku Allahu i Lartësuar thotë: “A mund të krahasohet  ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që të ruhet prej botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij me jobesimtarin?! Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm ata që mendojnë, i pranojnë këshillat”[11]Pra, besimtarët kanë liçencën[12] e duhur për të shpresuar në mëshirën e Allahut.

4 – Ngjallja e shpresës tek njerëzit:

Thirrësi duhet ketë parasysh, që të ngjallë shpresën tek njerëzit si dhe ta kultivojë atë në zemrat e tyre. Kjo gjë vërehet mjaft qartë në këtë hadith, duke ngjallur shpresën tek njerëzit se porta e pendesës është akoma e hapur. Këtë e lexojmë në fjalët e profetit (a.s), i cili thotë: “ Allahu gëzohet më tepër me pendimin e besimtarit, sesa personi i cili rrëzohet nga deveja, e cila humbet në shkretëtirë dhe më pas ai e gjen atë”.

Njeriu informohet për mëshirën e pakufishme të Allahut, pranimin e pendesës, shlyerjen dhe faljen e mëkateve “O ju të cilët keni besuar pendohuni sinqeritet të plotë të Allahu, sepse Zoti juaj do t’jua shlyejë mëkatet dhe do t’ju fusë në Xhenete poshtë të cilëve rrjedhin lumenj.”[13] Gjithashtu ai informohet, se veprat e këqija zëvendësohen në të mira “Përveç atyre që pendohen dhe bëjnë vepra të mira. Të tillëve, veprat e këqija Allahu u zëvendëson me të mira. Me të vërtetë Allahu është Falësi dhe Mëshiruesi.”[14] Nëse informohet për gjëra të tjera të ngjashme, atëherë tek njeriu ngjallet ndjenja e shpresës tek mëshira e Allahut dhe si rrjedhojë ai synon që të afrohet sa më shumë tek Allahu me punë të mira dhe nuk denjon që të zbresë në gradën e ulët të mëkateve.

5 – Lapsusi nuk konsiderohet gabim:

Nëse njeriu gabimisht thotë fjalë, që nuk duhen thënë qofshin këto fjalë që flasin haptazi për kufër (mohim), atëherë këto fjalë nuk merren për bazë. Njeriu për të cilin flet ky hadith, nga goja e tij nxjerr fjalë që tregojnë për mosbesim. Fjalët “O Zot! Ti je robi im, kurse unë jam zoti yt” padyshim janë fjalë që tregojnë për mosbesim. Por duke qenë se ato fjalë dolën gabimisht nga goja për shkak të gëzimit të madh, nuk merren për bazë dhe nuk konsiderohen mëkat. E njëjta gjë ndodh, nëse njeriu shprehet gabimisht edhe për gjëra të tjera. Si psh: nëse gabimisht ofendon dikë pa ndonjë qëllim. Në të tilla raste, njeriu nuk është përgjegjës dhe nuk konsiderohet mëkatar, sepse ato nuk kanë qenë të qëllimshme. I ngjashëm me këtë rast është edhe rasti i betimit pa qëllim. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ju dënon nëse betoheni pa qëllim, por ju dënon për atë që vendosni në zemrat tuaja”[15].

Ndryshe është pozita e atij që tallet dhe bën shaka. Nëse ai që tallet, shpreh fjalë që tregojnë për mosbesim, ai konsiderohet mosbesimtar edhe nëse është duke bërë shaka, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i pyet, ata do të përgjigjen: Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim. Thuaj: a mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuar fenë, pasi patët besuar”[16].

Ai që tallet dhe bën shaka është shprehur qëllimisht, prandaj edhe është konsideruar mosbesimtar, ndryshe nga njeriu i cili shprehet gabimisht. Fjala e tij nuk merret parasysh.

6 – Gëzimi është atribut i Allahut të Lartësuar:

Ky hadith profetik pohon një prej atributeve të Allahut, që është atributi i gëzimit, pasi profeti (a.s) thotë: “Allahu gëzohet me pendimin..”  Dijetari i nderuar Ibnu Ebi El’iz El Hanefi thotë: “Ato atribute të cilat i ka pohuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, i pohojmë edhe ne, ndërsa ato atribute dhe cilësi të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë mohuar, i mohojmë edhe ne”[17].

Është detyrë e çdo myslimani, që të pohojë cilësitë dhe atributet e Allahut të Lartësuar pa i shtrembëruar ato, pa i anulluar, pa i përshtatur dhe pa i shëmbëllyer, duke u bazuar në thënien e Allahut në Kuran: “Atij askush nuk i ngjan. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.”[18] Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky hadith pohon atributin e gëzimit për Allahun e Lartësuar. Allahu i Lartësuar gëzohet, zemërohet, urren dhe do. Por këto atribute, absolutisht nuk janë të ngjashme me cilësitë tona, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Atij askush nuk i ngjan. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.” Ai gëzohet dhe ky atribut i shkon për shtat madhërisë së Tij dhe absolutisht nuk i ngjan gëzimit të krijesave të Tij”.

Epilog:

Vëlla i nderuar! Motër e nderuar!

A nuk ka ardhur koha që të pendohesh nga humbja e kohës?!

Sa kohë humb gjatë natës dhe ditës?

Sa herë të ndodh që ta harxhosh kohën e lirë kot në gjëra të padobishme

Sa kohë harxhon në internet, facebook, msn, skype..etj?

Sa kohë harxhon duke luajtur në kompjuter e “Play station”?

Pas gjithë kësaj kohe të harxhuar kot, sa kohë i ke lënë adhurimit të Allahut?

Koha është flori dhe absolutisht nuk duhet të shkojë dëm. Profeti (a.s) thotë: “Shumica e njerëzve kanë dy mirësi që nuk dinë t’i vlerësojnë; shëndetin dhe kohën e lirë.”[19]

A nuk ka ardhur koha që të pendohesh nga zararet e gjuhës?!

Çdo fjalë të cilën e nxjerr nga goja regjistrohet. Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu tre gjëra i urren tek ju; thashethemet, humbjen e pasurisë dhe pyetjet e tepërta.”[20] Bëj shumë kujdes nga fjalët që nxjerr nga goja, sepse melekët janë në pritje për të shkruar ato gjëra që ti i thua dhe ti do të japësh llogari për çdo fjalë që e thua.

Pendohu tek Allahu për thashethemet, përgojimet, fjalët e pahijshme, të sharat, ofendimet e gjithçka tjetër me të cilën Allahu nuk është i kënaqur.

Madje edhe zemra ka nevojë të pendohet

Foli zemrës që të pendohet nga pëlqimi i vetes, mendjemadhësia dhe egoizmi. Të gjitha këto janë sëmundje epidemike, që e shkatërrojnë besimin dhe e shpien njeriun në zjarrin e Xhehenemit. Pëlqimi i vetes e fshin punën e mirë, mendjemadhësia e privon hyrjen në Xhenet dhe  egoizmi është vrasje.

Nxito që të pendohesh sa më shpejt nga këto sëmundje dhe tregohu modest e i thjeshtë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


[1] Transmetimi i parë është transmetuar nga imam Buhariu, kurse i dyti është transmetuar nga imam Muslimi.

[2] Transmeton imam Muslimi.

[3] Sure Ez Zumer: 53.

[4] Transmeton imam Et Tirnidhiu. Hadithi është Hasen. Këtë hadith e kanë saktësuar imam Ibnu Haxher dhe dijetari i shquar Albani.

[5] Hadithi i transmetuar nga imam Et Tirmidhiu: “Një udhëtar është një shejtan..”

[6] Kasimi, Rijadi dhe Demami janë qytete në mbretërinë e Arabisë Saudite.

[7] Sure En Nur: 31.

[8] Sure El Bekare: 25.

[9] Sure El Bekare: 218.

[10] Sure El Fatir: 29-30.

[11] Sure Ez Zumer: 9.

[12] Shprehje figurative. Që do të thotë se ata veprojnë vepra të mira, ç`ka u mundëson që të shpresojnë (sh.pk)

[13] Sure Et Tahrim: 8

[14] Sure El Furkan: 70.

[15] Sure El Bekare: 225.

[16] Sure Et Teube: 65-66.

[17] Marrë nga libri “Shpjegimi i akides së Tahauit”

[18] Sure Esh Shura: 11.

[19] Transmeton imam Buhariu.

[20] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit