0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Pendarovski: Do të jem president për të gjithë

Më të lexuarat

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeson me 51,66 për qind të votave kundrejt kandidates Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka grumbulluar 44,73 për qind të votave.

Jehona e daljes së qytetarëve në votimin e sotëm në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46,70 për qind, respektivisht 844.365 qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës nga gjithsej 1.808.131 të regjistruar në listën e votuesve.

Pendarovski i cili mbështetej nga koalicioni qeveritar (LSDM, BDI, Alternativa dhe 28 parti tjera), grumbulloi 436.212 vota, ndërsa Siljanovska-Davkova, e cila mbështetej nga partia opozitare e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, grumbulloi 377.713 vota.

Në konferencën e parë për media pas mbylljes së procesit të votimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, falënderoi të gjitha partitë politike që mbështetën kandidaturën e Stevo Pendarovskit, por edhe të gjithë qytetarët.

“Rezultati i zgjedhjeve të sotme, është vërtetim se zhvillohemi akoma më shumë, se sollëm vendim të përgjegjshëm dhe se meritojmë të ecim para. Vendi ynë është në NATO. Vendi ynë është në Bashkimin Evropian”, tha Zaev.

Ndërkaq, kandidati për president, Stevo Pendarovski, u zotua se do të jetë president për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësitë etnike, fetare, apo partiake.

“Miq të nderuar, falënderimi më i madh i takon qytetareve dhe qytetarëve maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët, të cilët më dhanë nderin, përgjegjësinë dhe detyrën që të president për të gjithë. Do të jem president për të gjithë”, theksoi Pendarovski, i cili po ashtu falënderoi kundërkandidatët për pjesëmarrjen në atë që e quajti “zgjedhje demokratike të kristalta”.

Në konferencën për media të mbajtur në selinë e LSDM-së, të pranishëm ishin edhe kryesia e BDI-së dhe partnerëve tjerë të koalicionit qeveritar, si dhe simpatizues të shumtë të cilët pas përfundimit të konferencës vazhduan festën para selisë partiake.

Rrethi i parë i zgjedhjeve parlmentare u zhvillua më 21 prill kur Pendarovski me 323.892 vota dhe Siljanovska-Davkova me 319.364 vota kaluan në rrethin e dytë. Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, mori 79.921 vota dhe nuk u plasua për të garuar në rrethin e dytë.

Së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sot u zhvillua edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme lokale për kryetarë të komunave të Ohrit dhe Novo Sellës.

Sipas listës së votimit të KSHZ-së, 52.303 qytetarë kishin të drejtë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Ohër, ndërsa 11.365 në Novo Sellë. Sipas rezultateve paraprake në këto dy komuna kryesojnë kandidatët e LSDM-së, Konstatin Georgievski në Ohër dhe Nikolla Andonov në Novo Sellë.

Zgjedhjet lokale u thirrën edhe në Dibër, por aty u zgjodh kryetari i komunës në rrethin e parë, kur fitoi kandidati i BDi-së, Hekuran Duka./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit