-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

PDK ende s’e din kur do t’i mbajë zgjedhjet

Më të lexuarat

Janë bërë më shumë se një muaj që kur Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, mirëpo ende asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim. Zyrtarët e PDK-së thonë se zgjedhjet në Ferizaj kanë bërë që të shtyhen zgjedhjet partiake, të cilat, sipas tyre, gjithsesi do të nisin pas raundit të balotazhit në Ferizaj.

Menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Ferizajt, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet për të caktuar datën e fillimit të zgjedhjeve të brendshme. Këtë përgjigje jep zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, i pyetur pse nuk kanë nisur zgjedhjet brenda partiake, pavarësisht se Këshilli Drejtues i partisë ka marrë vendim që në muajin mars.

Stavileci tha se ai vendim i Këshillit Drejtues ka qenë vetëm për atë që zgjedhjet do të mbahen këtë vit, ndërsa për datën e fillimit të tyre, do të vendoset më vonë.

“Pas një periudhe, sidomos tash kur është shfaqur çështja e Ferizajt, ku kemi pasur zgjedhje të cilat në atë kohë nuk e kemi ditur se do të organizohen dhe dot përfundojnë në fund të këtij muaji. Më pas do të mblidhen përsëri këto organe dhe do ta caktojnë një datë se kur do të mbahen zgjedhjet e brendshme, por një është e sigurt se do të mbahen brenda këtij viti”, tha Stavileci për Radio Kosovën.

Nënkryetari për çështje organizative në PDK, Rrustem Mustafa, duke mos dashur të flas për shtyrjen e zgjedhjeve të brendshme, tha se ende nuk ka nisur asgjë në këtë drejtim. Ai theksoi se nuk janë formuar ende as komisionet që do të merren me organizimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, burimet brenda Këshillit Drejtues të PDK-së, bëjnë të ditur se nuk është vetëm çështja e Ferizajt, ajo që ka shtyrë këto zgjedhje, por edhe mosmarrëveshjet e brendshme që lidhen me ndryshimet në statut, por, po ashtu edhe procesi gjyqësor ndaj nënkryetarit të partisë, Fatmir Limaj. Zëdhënësi Stavileci e mohon një gjë të tillë.

“Jo, për arsye se diçka e tillë është paralajmëruar edhe më herët që ne do t’i mbajmë këto zgjedhje dhe brenda subjekteve politike, jo vetëm si ky rast por edhe raste të tjera, sikur tash çështja e Ferizajt, nuk janë ditur, mirëpo nuk do të ndikojë asgjë përveç diçka e jashtëzakonshme që mund të bëjë ndryshim për sa i takon datës”, tha Stavileci.

Ndryshe, zgjedhjet e brendshme në PDK pritet të sjellin befasi, për faktin se është paralajmëruar inkuadrimi i ish kreut të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli.

Ndërkohë kryeministri Hashim Thaçi, i cili e ka udhëhequr PDK-në që nga themelimi i saj, ka thënë se nuk ka vendosur ende nëse do të kandidojë sërish për kryetar të partisë, duke e lënë të hapur mundësinë që kryetari i ardhshëm i PDK-së të jetë një emër tjetër./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit