Zhao Yongju, 58-vjeç, punon si pastrues rrugësh në qytetin kinez Sheniang, dhe për plotë 30 vite i ka ndarë nga paga e tij një shumë të parave për të ndihmuar fëmijët e varfër që të shkollohen.
Ky burrë nga Kina çdo ditë largohet nga shtëpia rreth orës 5 të mëngjesit dhe kthehet në ora 9 të mbrëmjes. Për një muaj fiton rreth 350 dollarë, që nuk është një shumë e mjaftueshme për një jetë solide, por është interesant se si nga kjo pagë arrin të ndajë një pjesë dhe t’ua japë fëmijëve që nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë në mungesë të parave që mbulojnë shpenzimet e transportit, librat dhe gjërat tjera siç janë rrobat.
Besohet se për 30 vite ka arritur të dhurojë 170 mijë yuan (rreth 24,750 dollarë) me të cilat ka shkolluar rreth 45 fëmijë. Por, edhe pse ka pasur momente të vështira në jetë, ai për asnjë moment nuk ka menduar të tërhiqet nga kauza dhe kështu vazhdoi të ndajë një shumë të parave të pagës.
Për shumë vite ka punuar si rojtar në një fabrikë, e kur në vitin 2006 u shkarkua arriti të gjen një punë tjetër – atë të pastruesit. Megjithatë edhe përkundër pagës së ultë, gjithmonë ka arritur ta ndajë një shumë të parave për qëllime humanitare.
“Sikur gjithë njerëzit të ishin sikur ky pastrues, bota do të ishte më e mirë”, ka qenë një nga komentet që ka marrë më së shumti pëlqime në historinë e këtij burri, që është shpërndarë në masë të madhe në rrjetin social Weibo.