5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Pastat e dhëmbëve – çfarë nuk keni ditur

Më të lexuarat

Asnjë pastë dhëmbësh nuk i bën dhëmbët më të bardha se ç´janë, megjithëse reklamat thonë të kundërtën. Pasta heq njollat nga dhëmbët por kurrë nuk i zbardh ato.

Fluori është lënda më e rëndësishme e pastës së dhëmbëve. Ai forcon dhëmbët dhe rrit qëndrueshmërinë e tyre ndaj sulmeve të acideve. Fluori gjithashtu frenon gërryerjet e dhëmbëve dhe mund të ndihmojë dhëmbët me vrima të vogla. Mos blini një pastë dhëmbësh që nuk përmban fluor. Por edhe fluori duhet marrë në mënyrë të matur. Në Europë përqindja më e lartë e fluorit që lejohet të përmbajë një pastë dhëmbësh është 0,15 %. Mund të jetë e shkruar edhe si 1.500 ppm (pjesë për miljon). Të rriturit bëjnë mirë të përdorin një pastë dhëmbësh me përqindjen më të lartë të fluorit që lejohet.
Por ajo që është me rëndësi tek një lloj paste dhëmbësh nuk është vetëm përmbajtja e fluorit por edhe aftësia e përmbajtjes së pastës për të lidhur kimikisht fluorin me emajlin. Pasta dhëmbësh me një aftësi të tillë janë p.sh. Dentosal apo Euro Shopper. Pasta dhëmbësh me aftësi të keqe janë p.sh. Vademecum dhe Stomatol.

Dy lloje fluori mund të përdoren në një pastë dhëmbësh, fluorid natriumi (në anglisht quhet sodiumfluorid) dhe monofluorfosfat natriumi. Që të dyja mbrojnë dhëmbët ndaj gërryerjeve por lloji i parë mbron pak më mirë.

Që fluori të japë efektin më të madh në gojë duhet që dhëmbët të lahen dy herë në ditë, pas ngrënies së mëngjesit dhe pas ngrënies së darkës. Larja e dhëmbëve në darkë është më e rëndësishmja, meqënëse është e tërë nata përpara.

Dowen Birkhed që eshtë profesor në Shkollën e Lartë të Dentistëve në Goteborg të Suedisë thotë që efekti i pastës së dhëmbëve përmirësohet duke përzier shkumën e pastës me pak ujë dhe kaluar përmes dhëmbëve përpara se të hidhet jashtë gojës. Një shplarje e tillë dhëmbësh për 20 sekonda është një mënyrë e mirë për të bërë fluorin të futet në hapësirat e ngushta.

Përveç se fluorit disa pasta dhëmbësh përmbajnë lëndën bakteriepenguese të quajtur triclosan (triklosan), e cila ul rrezikun për malcimin e mishit të dhëmbëve dhe në përspektivë ul rrezikun që mishi të lëshojë dhëmbët. Por kjo lëndë është vënë në pikëpyetje nga bakteriologët pasiqë rreziku është gjithnjë e më i lartë që të krijohen bakterie rezistente kur përdoren së tepërmi lëndët bakteriepenguese.

Per Ramberg që është gjithashtu i Shkollës së Lartë të Dentistëve në Goteborg thotë se triclosan-i u këshillohet vetëm atyre që janë duke iu lëshuar dhëmbët.
Ai thotë gjithashtu se furçja nuk duhet mëshuar fort dhe lëvizur me të shpejtë gjatë larjes së dhëmbëve.

Sapuni i pastës së dhëmbëve është laurilsulfat natriumi i cili pastron dhëmbët dhe jep shkumën. Disa mund të jenë të ndjeshëm ndaj kësaj lënde, prandaj mund të zgjedhin pasta dhëmbësh që nuk e përmbajnë atë si Zendium, Dentosal apo Biotene.

Këto ishin disa nga përfundimet e një eksperimenti të bërë nga insituti suedez i provave dhe studimeve i ngarkuar me këtë detyre nga gazeta suedeze Dagens Nyheter.

Përgatiti Alvin Ekmekçiu
Burimi: Dagens Nyheter

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit