1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Pas debatit, BESA dhe PPD-ja me qëndrime të përbashkëta

Më të lexuarat

Tetovë, 29 gusht – Duke parë rëndësinë e konceptit të reformës zgjedhore, që është e aktualizuar në bazë të Marrëveshjes së Përzhinos, si dhe duke e parë nevojën imperative që në rrjedhat e kësaj reforme faktori politik dhe ai i jetës civile në Maqedoni të jetë i mobilizuar, konsiderojmë se është bërë detyrim ndërtimi i një pozicioni unik rreth kësaj reforme, duke parashtruar po ashtu një koncept unik reformues rreth kësaj problematike.

Nisur nga kjo, PPD-ja dhe Lëvizja BESA iu përgjigjën kësaj teme me një bashkëpunim, duke përfshirë edhe pjesë të sektorit civil, përfshirë këtu ekspertë, publicistë, analistë dhe opinionistë të pavarur.

Në takimin e sotëm, të mbajtur në Kodrën e Diellit, në një debat konstruktiv disaorësh u shprehën mendime të ndryshme për një koncept unifikues shqiptar, i cili nuk e merr parasysh vetëm rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e R. së Maqedonisë, por edhe ngritjen e cilësisë së përfaqësimit, si edhe ngritjen e nivelit të demokracisë.

Për këtë arsye në debat u konstatua se faktori politik shqiptar dhe ai i shoqërisë civile detyrimisht duhet të jenë protagonistë aktivë në procesin e reformës zgjedhore, në mënyrë që në tërësinë e këtyre reformave të përfshihet edhe pozicioni shqiptar, i cili krijon parakushte që faktori shqiptar në zgjedhjet e ardhshme ta efektuojë politikisht peshën reale të votuesve.

Në këtë panel nga publicistë dhe njohës të kësaj lëmi erdhën edhe propozime që, në qoftë se insistohet që në zgjedhje të shkohet me më shumë njësi zgjedhore, atëherë faktori politik shqiptar të propozojë dy alternativa: njëra që Maqedonia të ndahet në 12 njësi zgjedhore me lista shumëemërore, që japin nga 10 mandate, ose në 8 njësi zgjedhore, që japin nga 15 mandate.

Me këtë rast, në bazë të diskutimeve dhe alternativave që u propozuan, PPD-ja dhe Lëvizja BESA e miratojnë bashkërisht këtë qëndrim:

1. PPD-ja dhe Lëvizja BESA do të angazhohen vendosmërisht për modelin zgjedhor proporcional, ashtu që shteti do të jetë një njësi zgjedhore, por me lista të hapura zgjedhore dhe pa prag zgjedhor, kjo veçmas për arsye të përfaqësimit të bashkësive më të vogla etnike;

2. PPD dhe Lëvizja BESA po ashtu morën qëndrim që të jenë aktive në reformën tërësore të kodit zgjedhor, veçanërisht në përpliimin e listës zgjedhore dhe ristrukturimin e organeve zgjedhore, si në rrafshin lokal, por edhe në atë qendror.

Konkluzionet dhe pozicionet nga paneli i sotëm rreth tërësisë së reformave zgjedhore (duke përfshirë edhe mërgatën) do të përmblidhen në një material të sintetizuar dhe të argumentuar, të hartuar nga ekspertët e dy subjekteve përkatëse politike.

Materiali në fjalë do t’i dërgohet grupit punues për reforma zgjedhore dhe faktorit ndërkombëtar të përfshirë në bisedimet për gjetjen e modaliteteve më të mira në këtë temë.

© ZHURNAL.mk
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit