Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ia miratoi dorëheqjen nga posti i deputetit Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur në Hungari.
Ky i fundit e kishte njoftuar dorëheqjen para pak ditësh, pasi kishte filluar procedura për t’ia hequr mandatin e ligjvënësit me që mungonte më tepër se gjashtë muaj në vendin e punës. Letrën dërguar parlamentit e kishte shkruar në hungarisht dhe shërbimeve të parlamentit në Shkup iu desh një kohë për ta përkthyer atë.
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut shkruante në letrën e dorëheqjes se në këtë mënyrë dëshironte që të mos i vë në pozitë të vështirë kolegët e partisë së tij VMRO-DPMNE. Deputetët opozitarë, ndërkohë thanë se zotit Gruevski nuk i ishte lejuar që ta arsyetonte mungesën e tij mbi gjashtë muajshe, duke akuzuar pushtetin për përndjekjen e tij. Sipas rregullores së parlamentit, Nikolla Gruevski brenda një afati prej tridhjetë ditësh mund të kërkojë pagë në lartësi me rrogën mujore të deputetit në kohëzgjatje prej një viti.
Zoti Gruevski u dënua me dy vjet burg nga Gjykata themelore në Shkup për shkak të rolit të tij gjatë një tenderi për blerjen e një makine Mercedes me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh për nevojat e tij private dhe zyrtare. Kundër tij rëndojnë edhe akuza për vepra të tjera penale, por zoti Gruevski ka gjetur strehim në Budapest prej nga vështirë se mund të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut.
Po të martën, parlamenti ia miratoi dorëheqjen edhe deputetit të shumicës parlamentare, Pavle Bogojevski, i cili u gjet nën trysnitë e opozitës dhe të opinionit të gjerë lidhur me një skandal që kishte të bënte me lëndë narkotike, pas një bisede telefonike të publikuar nga një faqe ruse e internetit. Zoti Bogojevski thotë se kishte kërkuar një sasi të vogël vaj kanabisi për efekte shëndetësore për një nga familjarët e tij, por opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja hodhi akuza dhe dyshime se deputeti po përdorte kokainë.
Parlamenti në mënyrë të shpejtë miratoi dy deputetë të rinj në vend të zotërinjve Gruevski dhe Bogojevski./voa