Deputetët e Parlamentit Evropian ranë dakord se “certifikata e re e BE për COVID-19”, e cila zëvendëson Certifikatën e Gjelbër Digjitale, duhet të jetë në fuqi për 12 muaj dhe jo më gjatë dhe nuk duhet të pengojë lëvizjen e lirë.
Dokumenti, i cili mund të jetë në format digjital ose letër, do të vërtetojë nëse një person është vaksinuar kundër COVID-19, nëse dëshmon se ka një test negativ ose nëse është shëruar nga virusi.
Sipas euro deputetëve certifikatat nuk do të shërbejnë as si dokument udhëtimi dhe as nuk do të bëhet parakusht për të ushtruar të drejtën e lëvizjes së lirë, thjesht mbajtësit e saj nuk duhet t’i nënshtrohen kufizimeve shtesë të udhëtimit, si karantina, vetë-izolimi ose testimi.
Euro deputetët theksojnë gjithashtu që një vendimi i tillë u mor për të shmangur diskriminimin ndaj atyre që nuk janë vaksinuar ende . Gjithashtu vendet e BE duhet të “sigurojnë testime universale, të arritshme, në kohë dhe falas”.
Shtetet anëtare duhet të pranojnë certifikatat e vaksinimit të lëshuara në vendet e tjera anëtare për personat e vaksinuar me një vaksinë të autorizuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe më pas do të vendosin nëse ata do të pranojnë të njohin edhe vaksinat e listuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim emergjent.
Megjithatë do të jetë e nevojshme të verifikohen për të parandaluar mashtrimet dhe falsifikimet, ashtu si dhe vërtetësinë e vulave elektronike të përfshira në dokument.