Vallë do të dështojë intervenimi ndërkombëtar pas vendimit kundër tij të Parlamentit Britanik apo Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin veprime të njëanshme kundër Sirisë. Opsioni i fundit ka qenë reagimi i një zyrtari të lartë amerikan, gjatë së enjtes, vetëm pak momente pasi ligjvënësit britanik refuzuan propozimin e Cameron për ndërhyrje ushtarake në Siri.
“Mendoj se është një nga opsionet e mundshme”, tha zyrtari amerikan në kushtet e anonimatit. “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë atë çka mendojnë britanikët, por ne do të marrim vendimet e nevojshme për t’u marrë”, shtoi ai.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, është përballur me një goditje të rëndë, gjatë së enjtes, sa i përket nxitjes së tij për një kundërpërgjigje të fortë, përfshi edhe sulmet e mundshme ushtarake, kundër Sirisë, pasi Dhoma e Lordëve votoi kundër këtyre masave.
Votimi me 285 vota kundër dhe 272 vota pro erdhi vetëm pak minuta pasi parlamentarët refuzuan mocionin e Partisë Laburiste, për t’i dhënë më shumë kohë inspektorëve të armëve nga OKB për të mbledhur provat, nëse forcat e presidentit Bashar al-Assad kanë përdorur armë kimike në periferitë e Damaskut.
Cameron deklaroi pas votimit se do ta respektonte atë. “Kam një besim të verbër se është e nevojshme një kundërpërgjigje e ashpër ndaj përdorimit të armëve kimike, por gjithashtu besoj dhe dua të respektoj dëshirën e Dhomës së Lordëve”, tha kryeministri, duke shtuar se votimi reflektoi pikëpamjet e njerëzve, të cilët nuk duan të shohin Britaninë në veprime ushtarake. “E kuptoj shumë mirë këtë votim, ndaj dhe qeveria do të veprojë sipas tij”, shtoi ai.
Sekretari i Mbrojtjes, Philip Hammond, konfirmoi se Britania nuk do të përfshihet në ndonjë veprim ushtarak kundër regjimit të Assad.
“Mendoj se SHBA-të dhe vendet e tjera do të vazhdojnë të kërkojnë për mundësi veprimi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve kimike. Ata janë të zhgënjyer që Britania nuk do të përfshihet, por nuk besoj se mungesa e pjesëmarrjes sonë do të ndalë veprimet e tyre”, tha Hammond.
Ai shtoi se kryeministri ishte “i zhgënjyer” me rezultatin e votimit të parlamentarëve, që sipas tij do të dëmtojë marrëdhënien Londër-Ëashington. “Sigurisht, që do të krijojë disa çarje në këtë marrëdhënie speciale. Amerikanët e kuptojnë shumë mirë procesin parlamentar, por besoj se kanë mbetur të surprizuar nga shkalla e gjerë e kundërshtimit”.
Një takim me dyer të mbyllura i Këshillit të Sigurisë në OKB, gjatë së enjtes, përfundoi pa marrëveshje mbi një rezolutë për adresimin e krizës së Sirisë, siç deklaroi një diplomat perëndimor për CNN, në kushtet e anonimatit.
“Ishte e qartë se nuk kishte përputhje idesh dhe asnjë marrëveshje në letër. Është e qartë se përpjekjet tona janë tepër të ndryshme dhe po marrim tashmë në konsideratë hapat e tjerë”, tha diplomati.
Anëtarët e Këshillit të Sigurisë presin inspektorët e armëve të OKB-së, për t’i dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon hetimet, vetëm pak momente pasi të largohen nga Siria gjatë ditës së shtunë. Ban Ki-moon do të njoftojë menjëherë OKB-në, sapo të marrë rezultatet në duar./tch/kohaislame.com