Vendet e Ballkanit do të bien në recesion gjatë vitit 2020 për shkak të krizës së koronavirusit, me Shqipërinë e cila sipas parashikimeve të Bankës europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), do të pësojë tkurrjen më të madhe, ndërsa rritja e ekonomisë së saj do të zbresë në -9 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Raporti i BERZH u publikua ditën e sotme.
Sipas raportit të publikuar sot “ekonomia shqiptare do të preket ndjeshëm nga epidemia si pasojë e varësisë së saj së lartë nga turizmi dhe fasoneria. Një reduktim i pritshëm i dërgesave nga emigrantët do të ndikojë gjithashtu në rënie”, vlerëson raporti sipas të cilit “rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave në vend për ndalimin e përhapjes së virusit dhe kthimi në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.
Sipas parashikimeve të BERZH-it, ekonomia shqiptare mund të njohë një rimëkëmbje të shpejtë, duke u rritur me 12 përqind në vitin e ardhshëm.
Sa i përket Kosovës, e cila vitin e kaluar rregjistroi rritjen më të lartë në rajon, BERZH-i parashikon se “efektet e masave që synojnë kontrollimin e pandemisë, dhe një rënie të mundshme të dërgesave në para, pritet të rezultojnë në një rënie të PBB-së prej 5.0 përqind në vitin 2020, për t’ju rikthyer një rritjeje pozitive prej 7.5 përqind në 2021”.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit, do të preken nga kriza e koronavirusit përmes kanaleve të ndryshme. “Sektorët e shërbimeve, veçanërisht Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, do të ndiejnë efektin e masave bllokuese përmes rënies të të ardhurave. Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat kanë baza të forta prodhuese, mund të goditen më së shumti përmes prishjes së zinxhirëve të furnizimit global”.
Ndërsa Mali i Zi, sikundër dhe Shqipëri, pritet të goditet fort në sektorin e turizmit, për shkak të kufizimeve në lëvizjen e personave.