1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Paralajmërime për autonominë e veriut

Më të lexuarat

Ndërsa kanë filluar edhe zyrtarisht bisedimet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë paralajmërojnë institucionet e vendit, se në këto bisedime do të flitet edhe për dhënien e një statusi special për veriun e vendit.

Vetëm një ditë pasi ish-kryeadministratori i Kosovës dhe ish-ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner paralajmëroi mundësinë e diskutimit të një autonomie për veriun e vendit, të njëjtën gjë e ka thënë të shtunën edhe raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulirke Lunacek. Ajo është shprehur e bindur se pala serbe në dialogun me Prishtinën do të kërkojë autonomi të gjerë, ndoshta edhe status të veçantë për veriun e Kosovë.

Sipas analistëve, me këtë qasje Brukseli, duket se po bën me dije zgjidhjen përfundimtare akoma pa nisur procesi i negociatave.

Ndërkaq, mundësia për të parandaluar këtë, sipas tyre, ekziston vetëm nëse e tërë klasa politike njëzëri e kundërshton këtë ide dhe ia bën me dije BE-së, që ky opsion është i papranueshëm.

“Klasa jonë politike vazhdon të jetë e fragmentuar, e ndarë e përçarë rreth kësaj çështjeje, dhe sigurisht që kjo na imponon një zgjidhje të tillë”, tha analisti politik, Ardian Arifaj, shkruan “Zëri”.

Duke marrë shembull shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Arifaj tha se në atë kohë asnjë ndërkombëtar nuk e ka përkrahur idenë e shpalljes së pavarësisë, por bashkimi i klasës politike, duke theksuar se kjo është e vetmja zgjidhje ka bërë që të ndryshohet edhe mendja e ndërkombëtarëve, e që sipas tij, e njëjta vlen edhe sot për të parandaluar një autonomi për veriun. Ideja për autonomi për veriun, sipas tij, është një manifestim i politikës shumë shkurtpamëse të BE-së, për shkak se një gjë e tillë nuk e stabilizon situatën po përkundrazi e destabilizon. Përndryshe sipas Arifajt, BE ka një qëllim përderisa e tregon rezultatin përfundimtar akoma pa nisur negociatat.

Ndërsa Behxhet Shala thotë se deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm në Bruksel, janë parapërgatitje, paralajmërim sepse çështja e veriut të Kosovës sipas tij, ka përfunduar qëmoti.“Çështja veri është e zgjidhur, dhe krejt këto takime Thaçi-Dacic, këto vizita, deklarata të ndërkombëtarëve janë vetëm përgatitje e opinionit për diçka që do të na ndodhë”, tha Shala.

Ai fajëson ndërkombëtarët në rast se do të vijë deri tek kjo autonomi. “Ndërkombëtarët janë fajtorë sepse kanë luajtur një lojë të dyfishtë e të pamoralshme me Kosovën, duke punuar që vendin ta shndërrojnë në një Bosnjë të dytë. Ata thonë se kufijtë nuk lëvizin dhe këtë e dimë edhe ne, por brenda na ndajnë dhe na krijojnë një Bosnjë, dhe na bëjnë një shtet jofunksional”, shtoi Shala.

Nga ana tjetër, Skëndër Hyseni, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e pranon se një konsensus të gjerë, absolutisht që e forcon Kosovën dhe e ka peshën e vet. Megjithatë sipas tij, Kosova nuk duhet të frikësohet nga bisedimet, por duhet të frikësohet nga gatishmëria e një njeriut që mund të bëjë koncesione në dëm të shtetit të Kosovës.

“Prandaj, unë them se Kosova duhet të sillet si shtet në këto bisedime dhe derisa sillet si shtet nuk ka rrezik”, tha Hyseni.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit