3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Paradokse padrejtësie me barazinë dhe dhimbjen – Ervin Hatibi

Më të lexuarat

Paradokse padrejtësie me barazinë dhe dhimbjen

Ervin Hatibi

Të shpërndarë me vrap në drejtime të ndryshme, lëkurëkuqët trasportuan buzëqeshjen e tyre plot ligësi në pasqyrëzat që ua morën paftyrësisht për nja dy xhingla-mingla ari safi njerëzve të bardhë, kurse këta derëbardhët po ashtu shikonin se si ngërdheshja e tyre konkave bëhej edhe më konvekse ose, anasjelltas, në totemthat apo byzylykët e artë, që paftyrësisht për më pak se hiçgjë ua morën paganëve në shkëmbim të ca pasqyrave të krisura xhepi.

Gjithkush ishte i kënaqur dhe mu aty gjithkush mashtrues, dhe hajde ta mirëmbash dot kënaqësinë, se mashtrimi i tjetrit bëhet vrasje ndërgjegjeje, pastaj vuajtje dhe tjetër punë sesi u pa më vonë ky transaksion në manualet e NAFT-s (North American Free Trade Assh..); shkëmbimi funksionoi dhe gjithkush ishte ekonomikisht i kënaqur, sidomos për sa kohë që pasqyrat në lëkurëkuqërinë amerindiane ishin padyshim miliarda herë më të rralla sesa ari në vendet nga vinin pasqyrat dhe mbase anasjelltas. (Domethënë, më shumë kishte ar në Spanjë se pasqyra në Bolivi dhe më shumë ar në Bolivi sesa pasqyra në Spanjë. Po u desh që të lindte Bolivari, Simoni, që të kuptohej kjo). Nuk qe pra shkëmbim, por shkërbim. Megjithëse mbetet shkëmbim.

Sa i përket shkëmbimit të vuajtjes, ai bëhet i vërtetë vetëm në bazë të bujarisë. Në momentin ku dihet botërisht se askush nuk mund të vuajë sa dikush dhe, anasjelltas, të gjitha palët e përfshira në shkëmbim duhet ta flenë mendjen se përherë dikush vuan më shumë, po ec ta gjesh se kush është ky se! Dhe, a i hyn në punë gjallë në botë dikujt që vuan fakti se dikush vuaka më shumë… kështu që thjesht duhet pranuar ai qelqi me oksid në një faqe, e në faqen tjetër si këmbim do dhënë patjetër floriri i paramenduar. Për sa kohë që të gjithë jemi e do mbetemi kontinente mesjetarë, të gjitha shkëmbimet që ndodhin natyrshëm kanë vlerë reale, pavarësisht faktit se ç’mund të shkruajnë me ironi apo dhimbje orientaliste njëra palë për tjetrën, shekuj më pas.

Mungesa e sinqeritetit i kthen shkëmbimet në shkërbime, se po të kishte pasur kurajën ai amerindiani që krejt lakuriq e pa u skuqur nga turpi t’i thosh të bardhit: “O vëlla, më ndje se po bëj padrejtësi që po të marr këtë copë zhgjëndërr llamburitëse (pasqyrën) duke të ngarkuar si gomari me gjithë këto xhingla mingla floriri të cilat na janë mbushur tezgat e ambulantëve”; dhe, po të kishte pasur po ashtu mirësinë marinari t’i thoshte vendaliut se jo vetëm që po i jepte diçka që nuk i duhej (keni parë ndonjë marinar të krehur?) në këmbim të një thesari, po gjithashtu nuk po i hiqte sytë në asnjë çast transaksionit edhe nga busti i gruas së vendaliut (shiko sa bukur: lakuriqësia e lëkurëkuqeve kryesisht qëndron në faktin se ata janë të kuq edhe kur nga turpi janë skuqur për shkërbimin e shkëmbimit nuk u ka lëvizur fare lakmusi: imagjino ekuivalenti spanjoll, sikur largqoftë të ishte lakuriq, se si do ishte përprushur nga turpi deri në kërcinj. Le që do ta kishte djegur dielli para turpit. Ama për sa kohë që kishte edhe mjekër mesjetare, nga turpi dhe dielli thjesht mollëzat i janë puhitur ca me të kuq, e aq dukje nga gjithë ai ajsberg i përgjakur turpi që fshihte nën rrobat e lirisë si prushi poshtë hirit.)

Dhe, gjithë ajo që na hyn në punë tani, është pasoja, prapaskena e transaksionit ose prapaskena e shkërbimit të shkëmbimit. Imagjino dhimbjen e indigjenit sapo kthehet në shtëpi dhe sheh mu në korridor sa hyn statujëzën e perëndisë fisnore, që e pret prej disa orësh me një vështrim të ashpër. (Bile, meqë ka katër kokë, vështrimet janë më shumë, e të gjitha kërcënojnë). Ai e ka bërë shkeljen e madhe: ka mashtruar e grabitur mysafirin. I prihen gjunjët dhe bie duke qarë përpara stokut të pasqyrave që e dëshmojnë apo përpilojnë, shumëfishuar, bashkë me ato kokat kritike përmbi dhe nis e ha brenda e pendesa dhe pasqyrëzat mbyten në lotë disafish dhe përjetohet dhimbja.

Imagjino tani marinarin që kthehet duke brohoritur në latinishte vulgare, kurse grushtet plot të florinjta i tringëllojnë me piksama të buta kukurisje sit ë kishte në duar ndonjë çupëlinë, dhe sa ngjitet në anije, sa kapërcen rrotullat me litarë kërpi të kripur e thasët me pataten e porsazbuluar të kuzhinës, shtynë me bërryla derën e dhomëzës, dhe hedh thesarin në shtrat… e frenon përmbi statujëza e të kryqëzuarit që mirëmban ditë-natë aty një dhimbje e një siklet si vrasje këpucësh tendosur pafuqishëm në dhomën kutërbonjëse, dhe nis e qan marinari dhe gjunjëzohet nën vështrimin plagosës të kryqëtores dhe minjtë me skorbut i lëvrijnë në prehrin me ar fajtor e patate zhvarrosur. Dhe nis i dhemb për padrejtësinë.

Në këtë moment zbulojmë se bashkë me shkëmbimin e njëmendtë të ngazëllimit të floririt me ngazëllimin e pasqyrimit johidrik të marinës spanjolle, i cili shkëmbim u shoqërua me shkërbimin e pretendimeve për njëvlefshmëri të arit banal me të cilin ishin mbushur përrenjtë rrëzë Andeve me pasqyrat po aq banale, bile më pak, me të cilat qenë mbushur punëtoritë e Flandrës dhe Venedikut dhe tregjet e gjithë lagjes, bashkë me përputhjen e vizionit të të bardhit për të pronësuar me ar një copë botë Brenda pasqyrës, bashkë me këtë shkëmbimtari të ndërlikueshme, më në fund fare vjen vrasje e ndërgjëegjes edhe shkëmbimi mekanik i dhimbjes, por jo të bashkëjetuar. Askush nuk e di se ndodhi, as sa.

Gjithkush është i dobët për sa është njeri, dhe gjithkush rreket t’ia hedhë gjithkujt duke kërkuar t’i jepet vlera e panjohur e tjetrit në këmbim të pavlerës së mirënjohur të vet; puna është se edhe ai tjetri bën të njëjtën gjë, si zakonisht. Që të mos ketë shkërbim po shkëmbim, pa pasur nevojë për dordolecë e autoportrete qepe që i kemi humanizuar të na humanizojnë nga altari, skena të na bëjnë të qajmë, e thjesht duhet kujtuar se automatikisht jemi njerëz dhe çfarëdo që të japim dhe çfarëdo që të na japin për të do të jetë thjesht e pakryer e paplotë e paarrirë; dhimbje pra? Patjetër. Ama kjo na fut në një diskutim akoma më të gjatë për durimin, alkimia e të cilit e kthen në as pasqyrën e dhimbjes, etj., etj…

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit