-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Papunësia e lartë – jo të gjithë duan të punojnë

Më të lexuarat

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë qytetarët e Kosovës që nga paslufta.

Të dhënat zyrtare, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është mbi 35 për qind.

Papunësia kryesisht ka prekur të rinjtë e Kosovës. Niveli i papunësisë mes të rinjve, sipas një raporti të Bankës Botërore, mbetet i lartë – mbi 61 për qind.

Të shtyrë nga papunësia, shumë qytetarë të Kosovës patën imigruar ilegalisht në Evropën Perëndimore gjatë nëntorit 2014deri në qershor të 2015-s.

Autoritetet në Kosovë thanë të jenë të vetëdijshëm për nivelin e lartë të papunësisë që është në vend dhe se për këtë prioritet i Qeverisë së Kosovës është vënë zhvillimi ekonomik.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, thotë për Rel se papunësisë në Kosovë është një problem i madh, por niveli i saj është dukshëm më i ulët sesa që paraqitet në statistikat zyrtare.

“Përgjithësisht, nëse e konstatojmë gjendjen e papunësisë në Kosovë, është e madhe. Por, edhe kemi punëtorë që punojnë, por nuk janë të regjistruar, pasi që ata punësohen në punë sezonale për tre, gjashtë apo nëntë muaj, siç e kemi edhe ne, një masë aktive të punësimit në ministri, është praktikë që i njihet stazhi i punës, por nuk regjistrohen askund vetëm në ministrinë tonë, që janë persona të punësuar”, thotë Hajzeraj.

Nivelin e shkallës së papunësisë, shton zëvendësministrja Hajzeraj, e rrisin edhe një numër i qytetarëve, të cilët nuk janë shumë të interesuar të punojnë.

Ajo tregon se ata, të cilët nuk shprehin interesim për t’u punësuar, janë personat që tani e sa kohë marrin asistencë sociale nga Qeveria e Kosovës.

“Kemi raste të njerëzve që janë në skemat sociale, marrin social, por janë të aftë për punë. Ne kemi bërë programe që ata persona nga tre muaj deri në nëntë muaj të punësohen në punë sezonale, pastaj të kenë mundësinë të kthehen prapë në asistencë sociale, por ata nuk pranojnë, më shumë preferojnë të marrin social rreth 85 euro sa është asistenca sociale, sesa të punojnë punë sezonale”, thekson Hajzeraj.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë të regjistruara 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë, që marrin asistencë sociale.

Megjithëkëtë, ka të rinj të cilët janë mjaft të interesuar të punojnë, por nuk arrijnë në gjejnë punë.

Arianiti, një i ri nga Prishtina, tregon se ka aplikuar për punë si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, por nuk ka arritur të punësohet.

“Për një vend pune ka konkurrencë të madhe, ka shumë të papunë. Kam qenë në disa intervista pune, por jam dëshpëruar se nuk kam arritur të punësohem”, thotë ai.

Edhe Njomza, studente në Universitetin e Prishtinës tregon se pavarësisht interesimit të saj për t’u punësuar, ajo nuk ka arritur ta gjejë punë.

“Derisa po studioj, kam shikuar të punësohem diku që së paku t’i financoj vetë studimet, por ka qenë e pamundur ta gjej një punë. Tani vetëm po studioj dhe me shpresë që pas studimeve të arrij të punësohem”, thotë Njomza.

Niveli i lartë i papunësisë në Kosovë nga përfaqësuesit e bizneseve dhe ekspertë të kësaj fushe, thuhet të jetë nga niveli i dobët i zhvillimit ekonomik.

Gjatë gjashtë vjetëve të fundit Kosova nuk ka shënuar rritje ekonomike më shumë se 3.8 për qind. Kjo rritje ekonomike është konsideruar e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që ka vendi.

Ndërkohë, rritja ekonomike edhe për këtë vit, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, pritet të arrijë jo më shumë se deri në 3.7 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë, thotë se problemi i nivelit të lartë të papunësisë kërkon zgjidhje urgjente, në të kundërtën, Kosova do t’i bartë pasojat e një pakënaqësie të madhe sociale të qytetarëve.

“Është e vërtetë që me vite është folur për punësim, janë hartuar strategji dhe programe të ndryshme, kur krejt kësaj ia shtojmë që në kampanja zgjedhore ka pasur premtime të mëdha se do të jetë një prioritet zgjidhja e problemit të papunësisë, vërtet Kosova është duke u ballafaquar me një problem të rëndësisë substanciale. Niveli i lartë i papunësisë në Kosovë mund të jetë një bombë e kurdisur për ardhmërinë e Kosovës”, thotë Gërxhaliu.

Rritja ekonomike, shton Gërxhaliu, duhet të jetë shumë më e lartë se sa që është aktualisht dhe kjo mund të bëhet nëse mbështetet sektori privat dhe ai prodhues.

“Nëse në Evropë do të kemi rritje ekonomike 1 për qind dhe Kosova do të mbetet nga viti në vit me tre apo katër për qind, ne do të jemi ekonomikisht të barabartë me Evropën në vitin 2070. Atëherë, është koha kur rritja ekonomike në Kosovë duhet të jetë prioritet”, shton Gërxhaliu.

Ndryshe, me qëllim të krijimit të mundësive të reja të punësimit për punëkërkuesit dhe të papunët e rinj, institucionet e Kosovës kanë iniciuar javën e kaluar projektin e trajnimit në punë.

Nga ky projekt pritet të përfitojnë 600 punëkërkues të rinj në të gjitha komunat e Kosovës.

Supozohet se çdo vit, në tregun e punës në Kosovë, janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e më lart, derisa po ky treg mund të absorbojë nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 150 mijë persona që kërkojnë punë, nuk kanë asnjë kualifikim. Me shkollë të mesme janë 77 mijë persona, me kualifikim 22 mijë. Ndërkaq, rreth 7 mijë persona kanë kualifikim të lartë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit