8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Papa Françesku priti në audiencë private presidentin Thaçi

Më të lexuarat

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një audiencë private është pritur sot nga kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku në selinë e shenjtë në Vatikan

PRISHTINË (AA) – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një audiencë private është pritur sot nga kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, në selinë e shenjtë në Vatikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Presidenca thuhet se me këtë rast presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova vazhdon të ruajë durimin, besimin dhe vlerat si dashurinë dhe solidaritetin në familje dhe në shoqëri, respektin për dinjitetin e secilit, tolerancën dhe bashkëpunimin.

“Vatikani është udhërrëfyes dhe motivues për të qëndruar të paluhatur në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave. Prandaj, edhe jemi krenarë me Nenën Terezë, sepse askush më mirë se ajo nuk i ka mbrojtur dhe përhapur kudo në botë këto vlera”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi është shprehur i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë duke shtuar se “Por, do të dëshironim që këto të ngritën në nivelin e njëjtë që e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë të botës”.

Duke theksuar “Kosova është shembull i dialogut ndërmjet komuniteteve dhe bashkëjetesës fetare”, Presidenti Thaçi ka informuar Papa Françeskun për konsolidimin e shtetit të Kosovës, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe feve të ndryshme.

Presidenti ka falënderuar kreun e Kishës Katolike për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë Kosovës në kultivimin e paqes dhe demokracisë, ku falënderoi për dërgimin e Kardinalit Ernest Simoni në shugurimin Katedrales së Nënës Terezë në Prishtinë.

Presidenti Thaçi ka informuar Papën për organizimin e konferencës së përvjetshme, “Inter-Faith Kosova” ku diskutohet për thellimin e dialogut ndërmjet feve në tërë botën, si dhe për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim. “Synimi është që të mbyllim kapitullin e konfliktit dhe të hapim kapitullin e bashkëpunimit”, ka pohuar i pari i vendit.

Duke vënë në dukje se po zhvillojnë dialogun me Serbinë, në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, presidenti Thaçi ka thënë se “Po punojmë që të promovojmë, në Kosovë, në rajon dhe në botë, vlerat, si paqja, dialogu, bashkëpunimi, toleranca, bashkëjetesa. Kjo është Kosova e sotme, edhe pse shumë ende e kanë në mendje Kosovën e kaluar – atë të luftës dhe shkatërrimit”, ka thënë ai.

Në fund, presidenti Thaçi ftoi Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit