6.1 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Paniku dhe sëmundjet e zemrës

Më të lexuarat

Çdo njeri pushtohet nga ankthi, si në rastet kur është vonë për punë, shkollë ose për një takim të rëndësishëm. Por kur ky ankth është i vazhdueshëm a pa arsye, ai quhet çrregullim apo sulm paniku. Në raste të tilla njerëzit dallohen për pesimizëm. Në çdo gjë ata parashohin fatkeqësi dhe gjithmonë shprehin shqetësim të tepruar, madje edhe pse janë të vetëdijshëm se shqetësimi i tyre është pajustifikueshëm.

Shkencëtarët thonë se njerëzit që përjetojnë sulme të shpeshta paniku, shtojnë rrezikun për t’u prekur nga sëmundje të zemrës. Ata mendojnë se ky rrezik vjen nga ngurtësimi i artereve si pasojë e shtimit tej mase të veprimtarisë së sistemit nervor.

Statistikat tregonë se rreth 5 përqind e amerikanëve provojnë sulme paniku gjatë një periudhe të jetës së tyre dhe rreth 3 përqind i përjetojnë ato çdo vit. Gjithashtu është vënë re se shumë prej atyre që preken nga sulmet të vazhdueshme të ndjenjave të panikut, vuajnë nga sëmundje në zemër.

Kohët e fundit shkencëtarët pranë Kolegjit Universitar të Londrës studiuan lidhjen midis panikut dhe problemeve në zemër dhe arritën në përfundimin se paniku mund të jetë shkaktar i shtimit të goditjeve në zemër. Ata morrën në shqyrtim 57 mijë vetë që vuanin nga paniku që do të thotë se kishin provuar ankth të pakontrolluar për më shumë se 6 muaj. Në grupin tjetër ata përfshinë persona pa simptoma paniku. Shkencëtarët vunë re se personat e diagnostikuar me panik kishin 38 përqind gjasa për të pësuar një goditje në zemër dhe 44 përqind më shumë gjasa për t’u prekur nga ndonjë sëmundje në zemër. Shkencëtarët spekullojnë se kjo ndoshta vjen si pasojë e ngurtësimit të artereve tek personat me panik ku sistemi nervor detyrohet të veprojë në mënyrë tepër të sforcuar. Ata i botuan rezultatet e studimit të tyre në revistën evropiane mbi sëmundjet e zemrës.

Por gjatë studimit shkencëtarët zbuluan një paradoks; personat që vuanin nga paniku, megjithëse mund të prekeshin nga sëmundje të zemrës, ata kishin 25 përqind më pak gjasa për të vdekur nga sëmundje të tilla. Ekspertët thonë se shpjegimi i mundshëm është se pacientët që vuajnë nga paniku shkojnë rregullisht tek mjeku për të kontrolluar gjendjen e tyre, dhe kjo bën që rastësisht të dallohen edhe problemet në zemër e pastaj të diagnostikohen e trajtohen që në fazë më të herëshme, ndryshe nga personat e zakonshëm të cilët shkojnë tek mjeku një herë në 6 muaj a një vit, ose vetëm kur sëmëndja ka përparuar./voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit