Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se cilatdo qofshin motivet, armiku është duke i përdorur sulmet për të sjellë përçarje.
Sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Panetta thotë se janë ndërrmarë veprime të efektshme për të ndaluar “sulmet” e brendshme ndaj ushtarëve të NATO-s që kanë minuar besimin mes forcave të koalicionit dhe ushtarëve afganë.
Sekretari Panetta u tha ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel se cilatdo qofshin motivet e këtyre sulmeve, armiku është duke i përdorur ato për të sjellë përçarje mes partnerëve të koalicionit dhe afganasve. Sekretari amerikan i mbrojtjes tha se NATO mund të zmbrapsë armikun nga realizimi i synimeve të tij vetëm duke përdorur të gjithë aftësinë për t’iu përgjigjur sulmeve.
Më shumë se 52 pjestarë të koalicionit janë vrarë këtë vit nga homologët e tyre afganas. Në një tjetër zhvillim, po sot zoti Panetta tha se komandanti i NATOs- në Afgansitan, gjenerali amerikan John Allen, do të marrë postin e komandantit suprem të koalicionit
.
Ndihmës komandanti i marinës amerikane, gjenerali Joseph Dunford do të zëvendësojë gjeneralin Allen si kreu i forcës së NATOS dhe trupave amerikane në Afganistan, ndërsa trupat luftuese ndërkombëtare përgatiten të përfundojnë tërheqjen nga ky vend brenda vitit 2014.