1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pandemia është e rrezikshme, por pushteti tiranik është kurdoherë i papranueshëm

Më të lexuarat

FITIM ZEKTHI

Kur po miratonte në Parlament ndryshimet e reja në Kodin Penal, ndryshime me dënimet më të ashpra sesa çdo vend tjetër demokratik apo gjysmëdemokratik, kryeministri Rama iu përgjigj vrazhdë të gjithë atyre që këto ditë po e akuzojnë se po shfaq prirjet e tij totalitare, duke mos pyetur aspak për liritë apo për të drejtat, për parimet, demokracinë kushtetuese etj. Kryeministri tha se “pavarësisht se ç’thonë shumë ideologë të liridemokracisë, masat do të jenë shumë të ashpra dhe dënimet do të jenë shembullore sepse ne jemi në kohë lufte”

Pra, Kryeministri foli më mospërfillje për të gjithë ata që shohin tek ai dhe te masat që ai po merr shenja të pastra të një mendjeje totalitare dhe rrezik të vërtetë për liritë. Në fakt, gjërat kanë shkuar aq larg, sa sot të flasësh për këto gjëra duket se gati je duke bërë blasfemi. Kryeministri e ka nxjerrë përkohësisht, siç u tha, Shqipërinë edhe nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, duke qenë se jemi në “kohë pandemie”.

Gjuha e tij e kërcënimit për vdekjet masive që mund të pësojmë, paraqitja e arkivoleve nga Italia apo varreve nga Irani, përsëritja e kësaj gjuhe përditë, ka bërë që njerëzit të mpihen aq shumë, të terrorizohen në atë masë sa fjalët liri apo të drejta të humbin çdo kuptim.

Kjo sjellje dhe kjo gjuhë e Kryeministrit ka edhe mbështetjen e ethshme të një shpure të gjerë në media dhe të shumë mediave duke e bërë edhe më trullosëse për njerëzit “llahtarinë që na pret”. Masat, kufizimet që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, ndëshkimet e ashpra të miratuara në Kodin Penal nuk do të ishin të mundura kurrë në asnjë vend, me përjashtim të Kinës, Indisë apo Koresë së Veriut. Pavarësisht krizave, gjendjeve të jashtëzakonshme, pandemisë, njerëzit në një demokraci kurrë nuk mund të lejojnë një qeveri apo një Kryeministër t’u përçudnojë liritë dhe kuptimin mbi sistemin politik që i garanton këto liri.

Kur në Europë po merrnin jetë sistemet e reja politike, në kapërcyellin e mesjetës me modernitetin, mendimtarët, filozofët e politikës dhe të së drejtës kërkonin të ndërtohej një qeverisje që do të kishte në qendër të saj të drejtat civile të njerëzve. Etërit themelues të SHBA-ve dëshironin që të ngrinin, dhe e bënë, një sistem politik, një Kushtetutë që zgjaste “epoka”. Të frymëzuar nga mendimi i zhvilluar që herët në Britani (që kishte prodhuar herët Magna Carta-n dhe Habeas Corpus në shek.. e 13-të), të frymëzuar nga idetë e James Harrington, ata i panë liritë dhe të drejtat e tij si diçka që duhet të kishte përparuesi absolute. Duhet theksuar se i panë vërtetë, edhe tekstualisht, si diçka me përparësi absolute.

Kështu, brenda kësaj fryme, ata miratuan amendamentin e parë, i cili garanton lirinë e shprehjes, të besimit, të mbledhjes në mënyrë të lirë, të protestës etj. Këto të drejta janë të paprekshme. Më pas u miratua amendamenti i dytë që iu jep qytetarëve të drejtën të mbajnë armë. Kjo thonë dhjetëra e dhjetëra filozofë të drejtës apo konstitucionalistë të njohur, që nga Holmes, Cardozo, Marshall, Bork, Scalia etj., u bë me synimin e vetëm që njerëzit të kenë një alternativë ndaj armëve, ndaj policisë apo ushtrisë që ka qeveria. Pra, amendamenti i dytë është si të thuash edhe në shërbim të amendamentit të parë.

Pas amendamentit të dytë është miratuar gjithë “Karta e të drejtave”, që janë tetë amendamente të tjera kushtetuese që garantojnë gjyqin e drejtë, ndalimin e kontrollit në banesë, paprekshmërinë e pronës, paprekshmërinë e integritetit fizik etj.

Brenda këtij koncepti, qeveria është diçka që u përket njerëzve. Ajo u shërben vetëm atyre me miratimin e atyre dhe sipas mënyrës që ata duan që qeveria t’ua japë këtë shërbim. Qeveria nuk mundet kurrë të prekë liritë e tyre dhe aq më tepër të mendojë se ajo mund të shkruajë liri të tjera, të heqë liri apo të përkufizojë liri.

Jay Cost thotë se këto parime, kjo frymë, e ka parashikuar faktin që mund të dalin qeveri dhe të thonë se për të mirën e njerëzve duhet kufizuar liria e shprehjes, se duhet të kufizohet liria fetare, se duhet të mos mbahen armë, se duhet të ndalohet lëvizja etj. Prandaj, kjo frymë i jep qeverisë pak pushtet, e vë atë nën kontrollin e Parlamentit dhe të gjykatave, nën ‘kërcënimin’ llogarikërkues të njerëzve, gazetarëve, intelektualëve dhe mediave, etj. Në Shqipëri, rruga për të lejuar një qeveri apo një Kryeministër të shkatërrojë liritë më elementare ka kohë që është çelur. Ne kemi mbërritur sot në këtë pikë gati fundore teksa muaj pas muaji Kryeministri është lejuar të shpartallojë pengesat. Kryeministri ka shumë kohë që nuk ka më (as si trupë fizike) Parlament që mund ta kontrollojë. Ai në vitin 2017 bleu në mënyrë kirurgjikale, me anë të parave, strukturave të organizuara të një përzierje shumë të helmuar mes krimit dhe korrupsionit politik, aq mandate sa të mund të merrte drejtimin e qeverisë. Me përbërjen e sotme karikatureske, Parlamentit nuk ke as ç’t’i thuash. Për gjykata është e kotë të flasësh se ato as nuk janë fare.

Media është në masën dërrmuese në shërbim të Kryeministrit. Po përmendim vetëm një shembull në këtë kohë pandemie. Kur ekipi i Presidentit Trump dhe vetë Presidenti dalin në konferencë të përditshme për shtyp për të raportuar për pandeminë, të gjitha televizionet amerikane nuk e japin atë kurrë të plotë, por e ndërpresin (gjatë kohës që ai flet) dhe në studio analistë, opinionistë, ekspertë, ish-drejtues të sektorëve të shëndetit debatojnë apo kritikojnë ato që po thotë Presidenti. Këtë e bëjnë të gjitha televizionet, edhe Fox News edhe CNN, edhe CBS edhe ABC, edhe NBC edhe PBS. E njëjta gjë në Britani apo Gjermani (ku ka shanse të flasë me orë të tëra Merkel apo Macron në të gjithë TV-të kurrë). Te ne, jo Rama, por edhe një zv/drejtor apo një zv/ministër që nxjerr Rama, transmetohet live pa u ndërprerë nga askush. Ndërsa Rama, ai flet edhe me orë të tëra përditë live në të gjithë tv-të.

Kritikëve u turret Kryeministri kudo që të jenë edhe ne “Facebook”, edhe në studio, edhe në opozitë. Kjo duket se e përmbyll plotësisht mënyrën sesi Rama e sheh sistemin politik. Gjithë thelbi i sistemit, në të cilin ne jemi, është i lidhur me kritikët, është i lidhur me ata që kundërshtojnë qeverinë. Roger Scruton shkruan se “edhe sikur një qytetar i vetëm të jetë kundër qeverisë, pikërisht ai qytetar është thelbi i sistemit tonë, sepse ai po thotë apo po bën diçka që nuk është në anën e fuqisë, që ka shumë më shumë arsye të jetë në anën e drejtë dhe në anën e moralit.

Nëse një shoqëri nuk ka respekt për këtë qytetar, atëherë ajo nuk ka ndonjë lidhje me demokracinë, liritë apo të drejtat”. Le të mos flasim për sulmet që Rama i bën opozitës. Përsëritja e tyre përditë, me tërsëllimë, me sharje, me tallje tregon se Rama ka probleme me pluralizmin, ka probleme me idenë se ekziston një entitet apo një forcë që është alternativë ndaj pushtetit të tij, që mund të zëvendësojë atë, që mund të fitojë zgjedhjet. Por kjo është temë tjetër.

Le të rrimë te raporti i Ramës me njerëzit dhe liritë. Ndryshe nga tradita mbi dyshekullore e përpjekjeve për të ndërtuar një sistem që ka në qendër liritë dhe të drejtat e njerëzve duke i parë si të patëhuajësueshme, ndryshe nga lufta për një sistem politik ku qeveria iu përket njerëzve, ne jemi sot përballë një qeverie që ka kthyer përmbys gjithçka. Rama, siç është paralajmëruar nga etërit themelues në letrat e federalistit, nga mësimet e Burke-t apo të Tocqueville-it dhe nga dhjetëra e dhjetëra mendimtarë, po grabit liritë dhe po skllavëron njerëzit në emër të së mirës së popullit, në emër të mbrojtjes së shëndetit, në emër të “luftës me armikun e padukshëm”. Siç është thënë qartë nga James Madison apo Jay Willson në diskutimet në Asamblenë e Filadelfias, se do të ketë gjithnjë njerëz dhe qeveri që do vijnë për të skllavëruar popullin në emër të të mirës dhe të mbrojtjes së popullit, bash ashtu ka ardhur Rama dhe bash atë gjë ai po bën.

Në fakt, për Ramën qeveria është diçka që i përket atij. Për të, qeveria nuk është e njerëzve dhe nuk ai është një i punësuar i tyre, aq më tepër një i punësuar i kritikëve, i mosbesuesve ndaj tij. Për të, njerëzit nuk janë subjekte që kanë zgjedhur qeverinë, por objekte të drejtueshme, të rregullueshme, të dominueshme, të nënshtrueshme nga qeveria dhe nga ai vetë. Ai është babai, ai është mësuesi, ai është gjyqtari i rreptë, por edhe gjyqtari që fal, ai është mbrojtësi i jetës, në mos jetëdhënësi.

Çfarëdo që të thotë Rama, çfarëdo përbetimi apo përdëllimi për dashurinë ndaj njerëzve apo për shërbimin ndaj njerëzve, ai nuk e fsheh dot faktin që e sheh qeverinë si diçka të tijën dhe njerëzit si objekte. Dy elementët që kanë farkëtuar në jetë të jetëve tiranitë apo çdo formë perverse qeverisjeje janë të shikuarit e qeverisë si diçka që nuk është e njerëzve dhe të shikuarit e njerëzve si objekte që rregullohen, që dominohen apo që drejtohen nga qeveria. Pra, qeveria është e Kryeministrit dhe njerëzit janë objekte. Këto janë dy gjërat më të largëta me demokracinë dhe me lirinë. Në çdo gjë që Rama bën, me gjithë përpjekjen e pazakontë për të fshehur kuptimin pervers që ai ka mbi demokracinë, me gjithë përpjekjen gati vetëmohuese për të bërë si i ditur gjithandej, si njeri që di të të respektojë liritë kushtetuese, si i drejtë, si i dhembshur, si mbrojtës i njerëzve, si rojtar i shëndetit, ai nuk ia del dot. Në çdo gjë, ai shfaq Ramën që e mendon qeverinë të tijën dhe njerëzit objekte në një kohë që ai duhet të jetë i punësuar dhe në shërbim të njerëzve që janë subjekte mbi të. Pak kohë më parë, ai publikoi një video ku policia rrihte njerëzit në rrugë. Rama tha se “ja se si policia në Spanjë sillet me njerëzit që dalin në rrugë në kohën e distancimit social”. Ajo video ishte nga Algjeria, një diktaturë ushtarake që ka kryer krime që nuk numërohen. Rama tha se videon ia dërgoi një mik nga Italia dhe nuk e dinte që bëhej fjalë për Algjerinë. Ai tha se bëri një lapsus. Në fakt, Rama mund të ketë bërë lapsus, por pikërisht ky lapsus tregon Ramën dhe mënyrën se si ai kupton qeverinë. Rama mendon se në një demokraci, policia mund t’i ndjekë njerëzit në rrugë dhe t’i rrahë. Rama mendon se qeveria në Spanjë mund ta bëjë këtë. Kurrë nuk mund të bëjë qeveria në Spanjë një gjë të tillë. Por e pavetëdijshmja e tradhtoi Ramën dhe e bëri të shfaqë këtë kuptim mbi lirinë.

Në këto kushte, pavarësisht tmerrit që po mbjell Rama në kokat e njerëzve me kërcënimin për vdekjet apo për varret që mund të hapë koronavirusi, duhet të kihet parasysh se liria nuk mund të shkelet si të jetë asgjë. Qeveria nuk mund të lejohet t’i shohë njerëzit si objekte dhe Kryeministri nuk mund të lejohet të sillet si zotërues suprem i qeverisë, si zotërues i përhershëm. Me këtë ngarendje për pushtetin e përhershëm dhe të plotë, i cili nuk mund të arrihet kurrë sepse ai i takon vetëm Zotit, njerëz si Rama u shkaktojnë njerëzve dhimbje dhe vuajtje shumë të mëdha.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit