Të gjithë aktorët politikë në këtë situatë duhet të mendojnë mirë se Shqipërisë nuk duhet t’i hapen më plagë të rënda dhe rrënuese për vendin, për sigurinë kombëtare dhe demokracinë. Edhe një herë bie në sy përgjegjësia e historiografisë shqiptare që nuk është marrë si duhet me këto shfaqje të rënda të këtyre dukurive të 30 viteve të fundit dhe tani i lihet terren revanshizmit politik dhe historiografik
Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë
Në publicistikën time jam prirë të trajtoj nga një këndvështrim politologjik një sërë problemesh që i përkasin në radhë të parë sferës së historiografisë. Për këtë jam motivuar mjaft nga sentenca kuptimplotë e Eduard Augustus Friman-it (Edward Augustus Freeman – 1823-1892): “Historia është politikë e së shkuarës dhe politika është historia e së tashmes” (“History in Quotations”, UK 2004). Mendimet e mia mbi klishetë e stereotipat e ngurosura në historiografinë e kohës së komunizmit dhe në rrymat e mendimit politik më të hershme i kam i shprehur më të plota e të sistemuara në librin “Dilema historike”, botuar në dhjetor të vitit 2011.
* *
Tani, pas 8 vitesh, vihet re një ringjallje historiografike me frymë të theksuar të vjetër politike. Kam bindjen se dilemat e njohura historike jo vetëm nuk janë zbehur, por vazhdojnë të dalin gjithnjë e më shumë në pah dhe sherret historiografike po shumohen. Dikur kam pas lexuar shkrimin “A i njohim shqiptarët” (gazeta “Borba”, 26.4.1998), ku ish-diplomati jugosllav në Tiranë, Arso Milatoviq, jepte një skemë të kontradiktave midis grupeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare:
- Shtet i pavarur apo autonomi nën Perandorinë Osmane. (Në ditët tona debati shqiptar bëhet rreth alternativës bashkim kombëtar apo mjafton integrimi, pra strehimi në një perandori të re shumëkombëshe);
- Luftë e armatosur apo bisedime e kompromis me osmanët. (Në ditët tona dilema gozhduese ka qenë: lëvizje paqësore apo luftë e armatosur për çlirimin e Kosovës. Kjo dilemë ende mbetet për sa i përket zgjidhjes së plotë të çështjes së bashkimit të trojeve etnike në një shtet kombëtar).
- Përcaktimi i alfabetit të njësuar dhe hapja e shkollave shqipe. (Në ditë tona ka lindur një dilemë më e madhe: një, dy apo më shumë shtete shqiptare dhe entitete të veçuara shqipfolëse në Ballkan, një apo dy gjuhë të dallueshme mbi rrënojat e shqipes zyrtare).
- Për zgjedhjen e aleatëve të shqiptarëve. (Lidhur me këtë në ditët tona ka më shumë çoroditje në mendimin politik se në kohën e Rilindjes. Shqiptarët i kanë braktisur me radhë disa “miqësi të mëdha” të panatyrshme dhe tani përpëliten në dilemën “vetëm me Perëndimin apo edhe me Lindjen”).
- Marrëdhënie tolerante apo të ashpra me fqinjët? (Në ditët tona kjo mbetet dilema më therëse për të cilën ka ndarje të fortë në mendimin politik e, sidomos, në propagandë. Toleranca shqiptare nuk i ka sjellë rezultatet e pritura. Iluzionet për marrëdhënie të përzemërta me fqinjët po prodhojnë vazhdimisht diziluzione. Këtë po e dëshmojnë acarimet më të fundit midis Shqipërisë e Greqisë dhe Kosovës e Serbisë).
- Lidhur me kufijtë dhe aspiratat kombëtare të shqiptarëve. (Në këtë drejtim dilemat shqiptare janë bërë më turbulluese se çdoherë tjetër, sepse anohet shumë nga panballkanizmi, eurocentrizmi e globalizmi, por në dëm të aspiratave për bashkim kombëtar dhe çështja e kufijve etnikë trajtohet tashmë si relikt historik, e jo si problem politik i kohës i shtruar për zgjidhje).
Këtyre dilemave u shtohen edhe të tjera që kanë të bëjnë me kontradiktat brenda shoqërive e shteteve shqiptarë, me trashëgimitë e rënda nga sistemit socialist dhe me pritshmëritë e shumë shqiptarëve që problemet e tyre t’i zgjidhin vetëm faktorët ndërkombëtarë. Prandaj, kryedilema e tanishme është “A po e njohim si duhet veten ne shqiptarët apo duhet përsëri të na mësojnë të tjerët se kush jemi, çfarë interesash kryesore kemi dhe të na përcaktojnë se çfarë duhet të kërkojmë e çfarë duhet të lëmë në harresë nga të drejtat dhe gjëja jonë? Ka një fushatë propagandistike (duke përfshirë dhe ndonjë shkrim në “Shenja”), që shqiptarët të mendojnë, më së pari, si ballkanas dhe europianë, e pastaj si shqiptarë. Flitet e shkruhet shumë për rrezikun rus për Ballkanin, kur dihet fare mirë nga historia se pjesa sllavo-ortodokse e Ballkanit asnjëherë nuk e ka ndjerë e përjetuar rrezikun rus njësoj si shqiptarët. Rusia në Ballkan përbën rrezik kryesisht për shqiptarët, e jo për sllavo-ortodoksët në lindje të “Vijës së Theodhosit” që i ka pasur e do t’i ketë të vetët. Ja, pra, përse për disa nga arsyet mbetet dilemë më vete dhe detyrë parësore që historia shqiptare të rishkruhet, më saktë të shkruhet nga e para.
* * *
Por, tani në Shqipëri opinioni publik po vihet gjithnjë e më hapur nën trysninë e një revanshizmi historiografik nga struktura shoqërore e politike, nga mjete të propagandës dhe nga mjaft individë nostalgjikë për të shkuarën komuniste ose edhe për disa rryma politike të kohës para komunizmit. Ky kthim historiografik mbrapa ishte i pakonceptueshëm në fillimet e demokracisë, kur edhe protagonistë të thekur të historiografisë komuniste dhe bartës kokëfortë të ideologjisë e të nostalgjisë për pushtetin e vjetër, e ndjenë veten ngushtë dhe lanë përshtypjen sikur po vendosnin të gjykonin me mendje më të hapur dhe po hiqnin dorë nga stereotipat e shabllonet e vjetra më anakronike. Tani po vihen re prirje drejt qëndrimesh e shkrimesh të kundërta jo vetëm nga veteranët e mendësive komuniste, por edhe te një brez më i ri studiuesish, propagandistësh e politikanësh. Ndarjet e vjetra, sipas vijash ideologjike e politike, ose sipas dallimeve e kontradiktave të njohura krahinore e fetare në të kaluarën, tani po kalojnë tek rekrutë të rinj në secilin krah. Edhe organet e shtypit të lirë e “të pavarur” kanë zënë pozicione sipas llogoreve përkatëse, sidomos në frontin ku ballafaqohet trashëgimia doktrinare dogmatike e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare me kolaboracionistët ose të akuzuarit për kolaboracionizëm me pushtuesit ose edhe me krahun politik të atyre të përndjekurve politikë që kërkojnë të dënohen deri në fund krimet e kohës së komunizmit.
* * *
Tani është kristalizuar një manovër historiografike e ngathët se kush ngulmon në dënimin e demaskimin e krimeve të regjimit komunist hidhka baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare që bëri populli shqiptar nën drejtimin e komunistëve. Ky revanshizëm historiografik komunist u shfaq menjëherë pas përmbysjes me dhunë të pushtetit demokratik në vitin 1997 dhe po merr gjithnjë e më shumë revan. Këtë po na e dëshmon arroganca me të cilën shumë nostalgjikë të së kaluarës komuniste u revoltuan në shtyp kundër nderimeve zyrtare qeveritare, që iu bënë Mit’hat Frashërit me rastin e riatdhesimit të eshtrave të tij. Ka rënë shumë në sy qëndrimi i veteranit 91-vjeçar Sevo Tarifa, ish-punonjës në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, që ka shpallur se donte të dorëzonte teserën e dokumentin e anëtarësimit në Partinë Socialiste meqenëse kryetari i saj, Edi Rama, mbajti një fjalim vlerësues për figurën e Mit’hat Frashërit ditën e varrimit të eshtrave. Kanë rënë në sy edhe kundërshtimet me qëndrimet e Ramës të profesorit të sociologjisë, Fatos Sevo Tarifa, demaskimi i historianit Prof. Pëllumb Xhufi e të filozofit Prof. Servet Pëllumbi e të tjerëve, si dhe të propagandistëve në gazetën “Dita”, që i kanë dhënë Edi Ramës ultimatum “Përcaktohu, me apo kundër Luftës Nacional-Çlirimtare!”. Pra, në rastin e varrimit të eshtrave të Mit’hat Frashërit shpërtheu fuqishëm ajo frymë që ka pasur gjithmonë historiografia komuniste për ndarjet midis shqiptarëve në kohën e ndarjes që u krijua midis shqiptarëve qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore, që çoi në luftën civile ende pa u çliruar vendi dhe që vazhdoi gjatë gjithë kohës së luftës së klasave.
* * *
Kapitullin XIII të “Dilema historike” e kam pas titulluar “Jetë e trazuar shtetërore në atmosferë lufte civile”, duke e nisur analizën nga koha kur shpërthyen ballafaqimet e luftës për pushtet midis Ismail Qemalit e Esat Pashë Toptanit. Edhe tani e ritheksoj se lufta civile, edhe kur nuk ka prodhuar flakë, është djegur si prushi në hi. Por, nuk janë të pakta rastet kur flakët e luftës civile e kanë përvëluar Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore e pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë luftës së klasave nën sundimin komunist dhe pas përmbysjes së sistemit komunist, si gjatë rebelimit të vitit1997, kur social-komunistët, për të marrë pushtetin, e rrënuan Shqipërinë e demokracinë.
Tentativa për të marrë pushtetin me dhunë u përsërit nga socialistët, tashmë të udhëhequr nga Edi Rama, edhe më 21 janar 2011, kur demonstruesit e rrethuan dhe e sulmuan selinë e qeverisë me parullën “dorëzojeni pushteti ose do t’ju heqim zvarrë”. Qeveria e kryesuar nga Sali Berisha, në koalicion me Ilir Metën dhe ministër të Brendshëm Lulzim Bashën, nuk e dorëzoi pushtetin dhe orvatja për grusht shteti dështoi pas përdorimit të armëve të zjarrit nga forcat e rendit, që lanë katër të vdekur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Megjithëkëtë kthesë tragjike të ngjarjeve, e kam quajtur të përligjur atëherë qëndresën qeveritare si kryerje të detyrimit shtetëror. Opozita e sotme, e kryesuar nga Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi (bashkëshortja e Ilir Metës) ka disa kohë që shpall si strategji politike marrjen e pushtetit me dhunë dhe përmbysjen e qeverisjes së Edi Ramës. Prandaj, demonstrata e protestës që u organizua më 22 nëntor 2018 para Parlamentit dhe kërcënimet e demonstruesve për të hyrë me forcë brenda sallës së Parlamentit tërhoqi vëmendjen dhe ngjalli shqetësimin se mund të bëheshin dhe përpjekje për ta instrumentalizuar këtë demonstratë sipas skenarësh të ngjashëm me të kaluarën. Këtë herë Rama dhe qeveria e tij u pozicionuan pas arsyetimit se ata do të mbrojnë autoritetin e shtetit dhe të pushtetit të zgjedhur, nga kërcënimet. Këto zhvillime e ngritën më tej tensionin politik në Shqipëri dhe ato provojnë se edhe atmosfera e luftës civile vazhdon si përherë. Të gjithë aktorët politikë në këtë situatë duhet të mendojnë mirë se Shqipërisë nuk duhet t’i hapen më plagë të rënda dhe rrënuese për vendin, për sigurinë kombëtare dhe demokracinë. Edhe një herë bie në sy përgjegjësia e historiografisë shqiptare, që nuk është marrë si duhet me këto shfaqje të rënda të këtyre dukurive të 30 viteve të fundit dhe tani i lihet terren revanshizmit politik dhe historiografik.
* * *
Zymtësinë e historiografisë shqiptare e kanë diktuar edhe shumë rrethana të tjera të pafavorshme historike, politike dhe ideologjike, nga brenda e jashtë Shqipërisë. Së pari duhet përmendur “mosha e re” e historiografisë së mirëfilltë shqiptare mbi themele institucionale politiko-shtetërore dhe akademike. Është pak vepra e Barletit mbi historinë e Skënderbeut ose disa vepra të tjera më pas në këtë vazhdë, për të thënë se qysh herët u hodhën themelet e historiografisë shqiptare. Në rastin shqiptar është më i përshtatshëm se për çdo rast tjetër vlerësimi se: “Historiografia deri në kohën e Revolucionit Francez vështrohej si një art letrar, më konkretisht si një degë e retorikës… dhe shumë të vërteta, madje dhe historia vetë, mund t’i paraqiteshin lexuesit vetëm me teknikën letrare…” (Fatma Gëçek, shkrim në librin e Hans Luka Kieser “Turkey beyond nationalism”, 2006 f. 86). Këto tipare të paraqitjes së historisë shqiptare u ruajtën edhe në veprat kryesore të rilindësve, që i pasuruan për nevoja praktike dhe me doza të forta romantizmi kombëtar. Ishin pikërisht këto vepra që ngulën piketat për një historiografi nacionaliste shqiptare. Shumë prej atyre piketave janë shkulur tashmë e rrezikojnë të shkulen, deri te e fundit, nga keqpërdoruesit e historiografisë me frymë antinacionaliste.
Periudha nga shpallja e Pavarësisë deri te vënia në binarë të shëndoshë e stabilizimit të pushtetit politik (1925) ishte më e vështira në jetën e shtetit të pavarur modern shqiptar dhe nuk ishte koha për të ngritur institucione historiografike. Arritjet dhe dështimet e shtetit shqiptar edhe më pas (1925-1939) kanë qenë e mbeten në qendër të debateve të shumta kundërshtuese dhe të vlerësimeve kontradiktore në politikën e historiografinë shqiptare. Kësaj periudhe i janë kushtuar mjaft studime e kujtime, por ende nuk janë përpunuar vlerësime të pranuara nga të gjithë ose nga shumica; nuk janë mbyllur shtigjet për kontradikta të reja në vlerësimin e natyrës e të dobisë të zhvillimeve që kanë ndodhur atëherë, e as për rolin e vendin e figurave më të shquara të asaj kohe në historinë e Shqipërisë.
* * *
Pas rivendosjes së sovranitetit shtetëror të Shqipërisë, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore nisi periudha më e gjatë nën regjimin diktatorial komunist, e quajtur zyrtarisht “socialiste” ose “diktaturë e proletariatit”. Gjatë kësaj kohe u shënuan arritjet më të mëdha në fushën e institucionalizimit të mirëfilltë të historiografisë dhe njëkohësisht u krijuan dhe u malcuan problemet më të rënda e plagët më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare dhe në sistemin ekonomiko-shoqëror, nga të cilat vendi dhe populli vuajnë edhe sot. Këto janë dritë-hijet që u pasqyruan në historiografi nga ajo periudhë, kur subjektivizmi, fryma e komandimit njëpartiak, stereotipizmi shkencor e shabllonizmi metodologjik e mbuluan me zymtësi historiografike edhe atë çka ishte bërë mirë me institucionalizimin e përgatitjen e kuadrove të kësaj historiografie. Kjo ka krijuar shumë ngatërresa për historiografinë e periudhës paskomuniste. Prandaj, edhe tani ndodhin qasje të gabuara e përplasje të dëmshme në vlerësimin e ngjarjeve të shkuara e të figurave madhore të këtyre ngjarjeve, deri te qëndrimet e pamoralshme për të mohuar një copë truall për një varr për shqiptarë që kanë vdekur në mërgim politik.
* * *
Mjerisht, në historiografinë shqiptare, kryesisht të kohës së komunizmit, për shumë shqiptarë u profiluan dy dukuri anakronike provokuese. Pas mitizimit pozitiv të frymës e të vlerave atdhetare, të besnikërisë e të vetëmohimit për interesat e kombit nga koha e Skënderbeut dhe ngritjes në piedestalin më të lartë të figurës së tij legjendare, u hoq një vijë vazhdimësie nga Abdyl Frashëri tek Ismail Qemali, Fan Noli, Enver Hoxha. Nga ana tjetër, u krijua një tablo “mistifikimi negativ”, duke nisur po nga koha e Skënderbeut me portretet tradhtare të Ballaban Pashë Matit, Hamza Kastriotit, Moisi Golemit, për të vazhduar pastaj me rreshtimin e “simboleve të së keqes”: Esat Pashë Toptani, Haxhi Qamili, Musa Qazimi, Ahmet Zogu, Mustafa Kruja etj.. Këto profilime, që krijonin ndarje si me thikë në vlerësime, e kanë rënduar krizën e historiografisë shqiptare të sotme dhe ndikojnë ende negativisht në psikologjinë popullore. E keqja bëhet më e madhe nga gjeografia e mitizimit dhe mistifikimit. Figurat që përfshihen në grupin e parë, përveç Gjergj Kastriotit, i përkasin zonës në Jug të lumit Vjosa, ndërsa to të grupit të dytë i përkasin zonës nga Tirana në Dibër, dikur shteti i Arbrit, principata e Kastriotëve, me të cilën lidhet më së shumti lavdia mesjetare shqiptare, që u bë epiqendër e jetës së shtetit modern shqiptar.
* * *
Prandaj, mendoj se shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë ta mësojnë dhe ta njohin historinë e tyre të vërtetë, ashtu siç është bërë, të shkruar me përgjegjësi politike e shkencore, me ndjesi e mendësi kombëtare, me profesionalizëm e kujdes, mbi bazën e dokumenteve e studimeve të mirëfillta dhe të thelluara. Vetëm një histori e vërtetë, e shkruar nga historianë seriozë, por e kaluar në shoshën e mendimit politik nga të gjitha shtresat e segmentet e shoqërisë, mund të ndihmojë në qetësimin e shpirtrave e në qartësimin e mendjeve të qytetarëve të Shqipërisë, që janë të trazuara si asnjëherë tjetër në rrethanat e çoroditjes së një demokracie të përdhosur, në një atmosferë të pashëndetshme të “tribunizmit politik parlamentarist” të rremë, në një periudhe të re “shthurësie masono-demokratike”.
* * *
Në kushtet kur trojet etnike shqiptare, pra atdheu i përbashkët i shqiptarëve, janë ende të ndara midis gjashtë shtetesh ballkanike, shkenca historiografike shqiptare, shkencat e tjera shoqërore, mjetet e informimit dhe të formimit të opinionit publik, kanë detyrë parësore t’i pasqyrojnë drejt e në frymë të shëndoshë kombëtare proceset e zhvillimit të shtetit shqiptar dhe ta përfytyrojnë me përgjegjësi kombëtare të ardhmen e tij, si dhe t’u përmbahen kritereve të qarta kur i nxjerrin në pah fajet e përgjegjësitë e vetë shqiptarëve për ato që u kanë ndodhur dhe mëkatet e të huajve për vështirësitë që na i kanë krijuar dhe dëmet që na i kanë shkaktuar. Vetë shqiptarët duhet të bëjnë shumë më tepër seç kanë bërë për të shpëtuar nga intrigat e jashtme dhe të mos rendin shumë pas iluzioneve se gjërat e mira do t’u vinë gjithmonë si dhuratë nga të tjerët ose vetëm në saje të koniukturave ndërkombëtare. Kur dëgjojmë pyetjen “i kujt është faji, i vetë shqiptarëve, apo i të huajve?”, përgjigjja e natyrshme duhet të jetë “secilit t’i lihet faji që ka!”.