Ministria e Jashtme e Palestinës ka marrë vendim të hapë ambasadë në Paraguaj pasi ky i fundit vendosi të transferojë ambasadën e tij në Izrael nga Kudsi në Tel Aviv
Ministria e Jashtme e Palestinës ka marrë vendim të hapë ambasadë në Paraguaj pasi ky i fundit vendosi të transferojë ambasadën e tij në Izrael nga Kudsi në Tel Aviv, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate me shkrim të ministrit të Jashtëm palestinez Riyad El-Maliki, vendimi për hapjen e ambasadës palestineze në kryeqytetin Asuncion është marrë me urdhër të presidentit Mahmud Abbas, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA.
Maliki ka thënë se shteti palestinez e vlerëson vendimin për rizhvendosjen e ambasadës nga Kudsi në Tel Aviv, duke shtuar se ambasada palestineze do të hapet “menjëherë” në Paraguaj.
Ministri palestinez u ka bërë thirrje shumë shteteve të hapin ambasadat në Paraguaj për shkak të “këtij qëndrimi parimor”, ndërsa ka theksuar se do të shqyrtohet mundësia që ambasada palestineze të hapet së bashku me ministrin e jashtëm të Paraguajit Luis Alberto Castiglioni.
Ndryshe, duke e njoftuar vendimin për rizhvendosjen e ambasadës, shefi i diplomacisë paraguajane Castiglioni, ka thënë se “Paraguaji dëshiron të kontribuojë në intensifikimin e përpjekjeve diplomatike rajonale për të garantuar një paqe të gjerë, të drejtë dhe të përhershme në Lindjen e Mesme”.
Pas kësaj, zyra e kryeministrit izraelit paralajmëroi se Izraeli do të mbyllë ambasadën në Paraguaj dhe do të thërrasë ambasadorin për një takim konsultativ në Izrael.
Paraguaji kishte zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Kuds më 21 maj, pas Guatemalës.
Në ceremoninë e hapjes kishin marrë pjesë ish-presidenti paraguajan Horacio Cartes dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.