-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Pakoja fiskale rëndon shportën e konsumatorit

Më të lexuarat

Ligji i ri i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, që ka filluar së zbatuari nga fillimi i këtij muaji në Kosovë, si pjesë përbërëse e paketës fiskale të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk do të përmirësojë, por po e rëndon shportën e konsumatorit.

Kështu thonë disa qytetarë, ekspertë dhe përfaqësues të bizneseve. Mirëpo, zyrtarë të Qeverisë shprehen se efektet kryesore do të vërehen te qytetarët me gjendje jo të mirë sociale.

Me këtë ligj është reduktuar norma e Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar. Për disa artikuj bazë norma është ulur nga 16 në 8 për qind, kurse për produktet tjera norma e tatimit është ngritur në 18 për qind.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, apo TVSH-ja, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime, pa marrë parasysh origjinën e tyre.

Disa nga shërbimet dhe mallrat që do të tatohen me tetë për qind, janë faturat e shpenzuara të ujit, ato të energjisë elektrike dhe të ngrohjes.

Kurse, produktet janë prodhimet nga drithërat, qumështi dhe produktet e tij, vajrat për gatim, librat shkollor, pajisjet e teknologjisë së informacionit e të tjera.

Ndërkaq, për produktet ose shërbimet tjera, TVSH-ja është shtrenjtuar për dy për qind.

Disa qytetarë, të cilët kanë vizituar dyqane të ndryshme, thonë se cmimet për shumicën e produkteve janë ngritur.

Violeta Berisha, me profesion ekonomiste, ka treguar se ka paguar më shtrenjtë faturën, për gjërat e njëjta që ka blerë edhe më herët.

”Çmimet kishin pësuar ndryshime, për shumë artikuj, çmimet ishin ngritur, kurse disa artikuj tjerë në vitrina ishin pa çmime, për shkak se ende nuk është kalkuluar TVSH-ja. Ashtu së paku na thanë. Ata artikuj që i mora unë, nuk vërejta lirim në TVSH. Të gjitha produktet e nevojshme që i mora, i mora me ngritje të çmimeve”, ka thënë Violeta Berisha.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, ka thënë se konsideron që vlera e produkteve, për të cilat është përgjysmuar tatimi është jashtëzakonisht e vogël, kurse për mbi 100 mijë produkte të tjera TVSH-ja është rritur për 2 për qind. Kjo, sipas tij, nuk ndikon në përmirësimin e gjendjes sociale të qytetarëve.

“Rritet vlera e TVSH-së edhe në derivate, derivatet e sigurojnë buxhetin më të madh për shtetin. Derivatet e naftës janë shpenzim ditor, produktet higjienike, produktet e mishit, produktet e tekstilit, amvisërisë, ato të ndërtimtarisë janë shtrenjtuar. Dhe këto janë kosto shtesë që qytetarët e Republikës së Kosovës do të paguajnë”, ka thënë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar rëndësinë e fillimit të zbatimit të pakos së re fiskale në Kosovë.

Kjo pako, sipas tij, “do të jetë në dobi të zhvillimit ekonomik dhe të përfitimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, konkretisht, ka thënë ai, do të përfitojnë të gjithë qytetarët, ose shportat familjare të qytetarëve, të cilët kanë të ardhura të ulëta dhe të mesme”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ndërkohë, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Nahit Sharku, në një konferencë të mbajtur të premten, ka thënë se pakoja e re fiskale, do t’u mundësojë të gjitha bizneseve që të dalin në treg me çmime më të lira dhe më konkurruese.

“Mbi 90 për qind e të gjitha kërkesave që janë bërë për 15 vjet nga komuniteti i biznesit, janë futur brenda kësaj pakoje fiskale. Ishte kërkesa e vazhdueshme e sektorit të biznesit që të kemi lirime në importimin linjave të prodhimit dhe makinerisë dhe këtë e kemi në pako, ishte kërkesa që të kemi lirime në importin e lëndës së parë edhe këtë e kemi dhe të sqaruar shumë mirë brenda ligjit”, ka sqaruar Sharku.

Por, eksperti për çështje ekonomike, Artan Loxha, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se norma e reduktuar e TVSH-se do të sjellë efekte pozitive më shumë për mbushjen e buxhetit të shtetit, se te konsumatori.

Sipas Loxhës, ulja e TVSH-së për produktet bazike lehtë do të mund të kompensohet me rritje të TVSH-së te produktet e tjera.

“Pra, efekti te qytetarët, në përgjithësi, për konsumatorin e thjeshtë, do të jetë negativ për faktin që meqë çmimet nuk zvogëlohen për produktet bazike, tek e cila aplikohet TVSH-ja e reduktuar, por rritet në produktet jobazike, te të cilat TVSH-ja është ngritur në 18 për qind. Atëherë efekti neto për nivelin e çmimeve në Kosovë do të pësojë rritje. Dhe, kësisoj qëllimi kryesor i Qeverisë për t’i ndihmuar shtesat e varfra,do të pësojë disfatë”, është shprehur Loxha.

Edhe Agim Shahini konsideron se nga këto reforma do të përfitojë vetëm buxheti i shtetit:

“Sa herë që shteti dhe institucionet shtetërore bëjnë reforma, gjithmonë si bazë e kanë qëndrueshmërinë buxhetore. Kjo reformë ka bërë një ndryshim, ka siguruar buxhet shtesë për buxhetin e shtetit. Sipas vlerësimeve të Aleancës Kosovare të Biznesit janë mbi 66 milionë euro. Por, ato do të mund të jenë shumë më shumë, për arsye se vlera financiare e produkteve, të cilat janë shtrenjtuar nga 16 në 18 për qind, është vlerë shumë e madhe”.

Edhe disa hulumtime të publikuara nga organizatat joqeveritare në Kosovë, kanë nxjerrë të dhëna se ndryshimet tatimore nuk do të sjellin përfitime për qytetarët e Kosovës, por do të rrisin koston e tyre.

Sipas këtyre organizatave, thuhet se ndryshimet që do t’i pësojë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të sjellin rritje të çmimeve në shportën e konsumatorit.

Ndryshe, paga mesatare nëKosovë, në administratën shtetërore, sipas shifrave zyrtare, arrin në 429 euro, në sektorin privat 349 euro, derisa konsumi për ekonomi familjare në vit llogaritet të jetë 7.611 euro, kurse për kokë banori 1,386 euro ose 115 euro në muaj.

Sa i përket konsumit të ekonomive familjare, pesë kategoritë kryesore i përbëjnë: ushqimi dhe pijet joalkoolike me 3,366 euro ose 44 për qind në vit, pasuar nga banimi, transporti, veshmbathja, si dhe alkooli e duhani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit