2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Pakistan: Talibanët rikthehen në “zonat e pastruara”

Më të lexuarat

Në Bajaur të Pakistanit janë kthyer luftimet për më shumë se një javë. Militantët janë vërsulur nga strehët e sigurta përgjatë kufirit me Afganistanin. Vetëm një vit më parë kjo zonë ishte shpallur e lirë nga kryengritësit, si rrjedhojë e një operacioni trevjeçar të Islamabadit.

Me rikthimin e trazirave, janë ngritur edhe shqetësimet se sa mund të jetë e efektshme një strategji, kur zonat e sigurta mund të gjenden lehtë përgjatë kufirit me Afganistanin.

Mijëra banorë të papërgatitur janë larguar. Në mesin e tyre edhe Azam Khan, nga fshati Batvar.

“Kur talibanët e armatosur kanë ardhur të zona, ata kanë kërkuar nga ne që të largohemi për të shmangur dëmet. Andaj, jemi larguar pa marrë asgjë. Nuk kemi as rroba, as batanije. Jemi larguar pa asgjë”, thotë Khan.

Shoukat Ullah, ministër federal i Pakistanit, i ngarkuar me zonat fisnore dhe rajonet kufitare, thotë se luftimet kanë zbrazur pothuajse tërë fshatin Batvar dhe hapësirat përreth tij.

“Më shumë se 2,000 familje kanë lënë zonën deri më tash. Secila familje ka disa anëtarë dhe kjo do të thotë se janë prekur shumë persona. Banorët lokalë, gjetkë në Bajaur, përpiqen t’i strehojnë”, thotë Ullah.

Në ditët e fundit, forcat e sigurisë kanë thënë se kanë pastruar shumë pjesë të fshatit Batvar, ndonëse vende-vende vazhdon të ketë rezistencë të militantëve.

Se sa militantë janë të përfshirë në luftime, nuk është e qartë. Ushtria ka raportuar për dhjetëra militantë të vrarë në 12 ditët e fundit, duke sugjeruar se atje mund të ketë qindra luftëtarë. Po ashtu është raportuar për të plagosur, por jo edhe të vdekur, në mesin e trupave pakistaneze. Megjithatë, shifrat zyrtare të viktimave nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Sipas ushtrisë, të gjithë militantët janë anëtarë të Tehrekut – grupit që Islamabadi ka thënë se e ka dëbuar plotësisht nga Bajauri, në gusht të vitit të kaluar.

Në atë kohë, qeveria ka kërkuar që qindra-mijëra banorët e larguar tre vjet më parë, t’iu kthehen shtëpive të tyre.

Por, tani, rishfaqja e Tehrekut sugjeron se grupi ka shfrytëzuar dëbimin për t’u rigrupuar dhe për të rekrutuar ushtarë të rinj. Tehreku përfshin anëtarë të grupeve të ndryshme etnike, të cilët lidhen së bashku me një interpretim fundamentalist të Islamit dhe me qëllim përmbysjen e qeverisë dhe vendosjen e Ligjit të Sheriatit.

Gazetari pakistanez, Rahimullah Jusufzai, parasheh luftë të gjatë. Ai thotë se strategjia, deri më tash, ka qenë e suksesshme në dy zona – të dyja në kufi me Afganistanin.

“Ata nuk kanë pasur ende fitore të plotë. Ushtria pakistaneze ka pasur disa suksese kundër talibanëve në Svat dhe në Malakand. Në këto zona, tani nuk ka prani të talibanëve. Por, për mendimin tim, është luftë e gjatë dhe do të jetë vështirë të arrihet fitorja e plotë”, thotë Jusufzai.(v.t.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit