Zyrtarë pakistanezë thanë se disa militantë kanë sulmuar një bazë të forcave ajrore ku ruhen avionë ushtarakë, në veriperëndim të Pakistanit, duke shkaktuar një betejë të ashpër me forcat e sigurisë.
Zyrtarët thanë se sulmi mbi bazën ushtarake në Kamra, rreth 60 kilometra në veriperëndim të Islamabadit, nisi përpara agimit të ditës së sotme. Forcat speciale të bazës iu përgjigjën sulmeve dhe luftimet kanë vazhduar për disa orë. Dëshmitarët thanë se mund të dëgjonin të shtëna armësh dhe raketash si dhe shpërthime granatash, nga baza.
Nuk ka patur njoftime të menjëhershme për viktima.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Në vitet e fundit, Talibanët pakistanezë kanë ndërmarrë sulme ndaj një sërë bazash ushtarake.
Në Kamra ndodhet Kompleksi Aeronautik Pakistanez, ku ndërtohen avionë luftarakë.