Mbi 1.000 të vdekur dhe spitalet e mbushura nga pacientët e dehidruar është bilanci i vapës së madhe që në pesë ditët e kaluara goditi pjesët jugore dhe qendrore të Pakistanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Situata më alarmante ishte në Karaçi, në kryeqendrën tregtare të Pakistanit dhe qendrën administrative të rajonit Sindh, ku sot, megjithatë, filloi të bien shirat para-monsun. Nga Zyra Meteorologjike thanë se temperatura në Karaçi ka rënë nga 45 në 34 gradë Celsius.
Qeveria e krahinës Sinhd ka shpallur sot ditë jo punë në mënyrë që njerëzve t’ju mundësohet që sa më pak të qëndrojnë jashtë.
Sipas të dhënave të dhjetë spitaleve në Karaçi në pesë ditët e fundit nga pasojat direkte të vapës kanë vdekur 815 persona, 65 prej të cilëve humbën jetën sot në mëngjes.
Kryeministri i krahinës Sindh, Syed Qaim Ali Shah ka bërë të ditur se mbi 200 persona në pjesë tjera të rajonit kanë vdekur gjithashtu nga pasojat e temperaturave ekstremisht të larta.
Në anën tjetër, lideri i opozitës, Khursheed Shah pretendon se numri i vdekurve në Karaçi është shumë më i lartë nga ai zyrtarisht i konfirmuar dhe shton se nga 20 qershori deri më tani si pasojë e vapës së madhe në këtë qytet kanë vdekur më shumë se 1.200 persona.
Mbi 3.000 persona janë shtruar në spitalet në Karaçit, ndërsa në shumicën e spitaleve janë mbushur të gjitha kapacitetet e akomodimit. Turma më të mëdha shënon spitali më i madh shtetëror Jinnah ku pacientët ndodhen edhe nëpër korridoret dhe të gjitha hapësira në të cilat mund të vendosen shtretër spitalorë.
Shefi i Shërbimit të Emergjencës në spitalin Jinnah, Seemi Jamali ka deklaruar se të gjitha ekipet e emergjencës punojnë në terren për të zvogëluar numrin e pacientëve që vijnë spital dhe se nga nivelet më të larta të qeverisë kërkuan shtretër shtesë dhe pajisjet e nevojshme për kujdesin numrit gjithnjë më të madh të pacientëve.
Problemi me të cilin përballen në Karaçi është edhe reduktimi në furnizimin me energji elektrike, i cili edhe deri në 12 orë në ditë i lë qytetarët pa energji elektrike, dhe shumë besojnë se pikërisht kjo çështje është një nga shkaqet kryesore të një numri kaq të madh të viktimave. Shumë pjesë të Karaçit në të njëjtën kohë po mbesin pa ujë, pasi pa energjinë elektrike nuk mund të punojnë as pompat uji. Kompanitë përgjegjëse për fuqizimin elektrik dhe me ujë pretendojnë se reduktimet janë të pashmangshme duke pasur parasysh se konsumi është rritur jashtëzakonisht shumë për shkak të vapës.
Qyteti Karaçi edhe më parë ka patur probleme me hapësirë të kufizuar për varreza, kështu që familjet e të vdekurve nga vapa kanë probleme shtesë të gjejnë vend të lirë për varrimin e të afërme.
“Në morg kemi më shumë se 300 trupat e të vdekurve. Presim që familjarët t’i marrin, por më parë duhet gjetur vend për varrim”, ka thënë zëdhënësi i fondacionit Edhi.
Vapa ekstreme muajin e kaluar ka goditur edhe Indinë ku nga pasojat direkte të temperaturave të larta kanë vdekur mbi 2.000 persona.