-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Pakicat në Kosovë kërkojnë akoma vende të rezervuara në parlament

Më të lexuarat

Hajredin Kuçi: Për kërkesën e pakicave për vendet e rezervuara në parlament, nevojitet një konsensus i gjerë politik.

Përfaqësuesit politikë në parlamentin e Kosovës nga radhët e komuniteteve pakicë, vazhdojnë të kërkojnë që t’u zgjatet mandati për vendet e rezervuara në kuvend edhe për të paktën dy mandate të tjera legjislative.

Në bazë të pakos së Marti Ahtisarit, pakicave kombëtare u rezervoheshin 20 ulëse në dy mandate pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa, pas dy mandateve ato shndërrohen në ulëse të garantuara. Kjo do të thotë që pakicat 20 ulëset e rezervuara i gëzonin qysh në fillim të mandatit dhe mund të merrnin edhe vende tjera varësisht nga votat sa mund të fitonin në zgjedhje. Ndërsa, me ulëset e garantuara pakicat marrin gjithsej 20 vende e jo më shumë.

Më e zëshmja për vazhdimin e praktikës së vendeve të rezervuara për pakicat, është Partia Liberale e Serbëve të Kosovës SLS. Petar Miletiq, nga kjo parti që është edhe nënkryetar i kuvendit të Kosovës, thotë se “vazhdimi i praktikës së vendeve të rezervuara do t’i inkurajonin serbët më shumë për integrim në institucionet e Kosovës”.
Vendet e rezervuara në parlament do t’i joshin serbët për integrim të shpejtë në institucione. “Ne kemi thënë që vendet e rezervuara të përfshihen në reformën zgjedhore edhe për dy mandate tjera në mënyrë që të dërgojmë edhe një mesazh bashkëkombësve tanë në veri se në Kosovë të drejtat e bashkësive etnike nuk do të cenohen”, thotë Petar Miletiq.
Çështja e vendeve të rezervuara për pakicat, sidomos për atë sebe, është përfolur se mund të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhenieve Kosovë-Serbi.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, thotë për DW se partitë politike dhe institucionet e Kosovës duhet të bëjnë veprime që janë atraktive për pakicat, por, në rastin konkret, për vendet e rezervuara në parlament sipas tij, nevojitet një konsensus i gjerë politik.
Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë veprime që janë atraktive për qytetarët serbë. “Ne duhet të bëjmë veprime që janë atraktive për qytetarët serbë të të Kosovës, ne duhet të bëjmë veprime edhe në kuptimin politik, ekonomik dhe të tjera. Ne kemi parë që në kuvendin e Kosovës nuk rrezikohet Kosova dhe vendimarrja në kuvend nga prezenca pak me e madhe apo më e vogël e pakicave në vecanti edhe e pakicës serbe”, thotë Hajredin Kuci.
Zëvëndëskryeministri Kuçi, thotë se përfaqësuesit e pakicave kanë qënë shumë konstruktiv në parlamentin e Kosovës, prandaj sipas tij “Kosova nuk duhet t’i ketë frikë veprimet e pakicave”. “Viteve të fundit ata kanë qenë shumë bashkëpunues edhe me veprimet dhe vendimet që i kemi marrë, duke mos harruar edhe vendimin për heqjen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Pra, unë mund ta them edhe si nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ( PDK ) që ne do të jemi fleksibil. Këtu korkohet një koncensus i gjerë politik dhe kërkohen dy të tretat e votave në kuvendin e Kosovës”, thotë Hajredin Kuci.
Disa parti të shumicës janë kundër vendeve të rezervuara për partitë e pakicave
Por, kërkesa e pakicave, sidomos e serbëve për vazhdimin e praktikës së vendeve të rezervuara në kuvend nuk është kaq e thjeshtë. Kjo për faktin që duhet të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese sikundër që duhet të ketë një kompromis të gjerë të spektrit politik.
Dy parti parlamenare, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje, hapur e kundërshtojnë kërkesën e partive të pakicave.

Shefi i grupit parlamenar të partisë më të madhe në opozitë LDK-së, Ismet Beqiri, konsideron se çështja e vendeve të rezervuara tashmë është e mbyllur.
Vazhdimi i praktikës për vende të rezervuara është shkelje e kushtetutës: “Nuk e shohim të arsyeshme që të ketë vazhdim të mandateve të rezervuara. Kushtetuta e Kosovës dhe Pakoja e Presidentit Ahtisaari e ka paraparë që ulëset e rezervuara të jenë për dy mandate dhe ato po përmbyllen me këtë legjislaturë”, thotë Ismet Beqiri.
Kuvendi i Kosovës pak para heqjes së mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, ka miratuar 22 amendamente kushtetuese, ku kishte vendosur që vendet e rezervuara për pakicat t’i shndërroheshin në vende të garantuara. Çdo kthim prapa tash do të shënonte shkelje të Kushtetutës së Kosovës, pos në rastin kur për një ndryshim të tillë mund të votojnë pro 80 deputetë, dy të tretat e deputetëve të kuvendit të Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit