Janë 25 deputetë të pakicave që kanë parashtruar kërkesë për ndryshime kushtetuese, me qëllim rikthimin e një neni për kthimin e vendeve të rezervuara në Kuvend. Për këtë kanë thënë të kenë mbështetjen e vendeve të Quintit.
Qeveria vetë do të iniciojë procedurën për ndryshime të tilla kushtetuese, por paraprakisht do të krijohet një klimë e tillë që deputetët shqiptarë të mos refuzojnë votimin e amendamentit që rikthen nenin për vendet e rezervuara.
Një burim i Kohës Ditore ka thënë se norma do të rikthehet pas insistimit të komuniteteve dhe pas garancisë që u është dhënë atyre nga faktori ndërkombëtar.
Sipas këtij burimi, deputetët nga komunitetet joshumicë kishin kushtëzuar një muaj më parë votimin e amendamenteve për përmbylljen e mbikëqyrjes, me mosfshirjen e nenit 148.
Kërkesa nuk mund të realizohej shpejt për shkak procedurash, e votimi duhej bërë para 10 shtatorit kur është vendosur heqja ndërkombëtare e mbikëqyrjes.
Tashmë deputetë të komuniteteve joshqiptare kanë nënshkruar një kërkesë për ndryshimin e normës. Nëpërmjet ministrit serb në Qeveri, Nenad Rasic, ajo është prezantuar, me lutjen që Qeveria të iniciojë ndryshimin. Por, nuk ka marrë pëlqimin e tashpërtashëm të Ekzekutivit.kohaislame