Tashmë kanë kaluar 22 vite që nga përfundimi i luftës. Përgjatë kësaj lufte, në Kosovë janë kryer krime të shumta nga Serbia. Serbët për kryerjen e masakrave e shkatërrimin e gjithçkaje që ju ka dalë përpara, ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar.
Por, si duket rahatisë së Serbisë po i vjen fundi. Kjo pasi qeveria e Kosovës tashmë ka marrë hapat për nisjen e padisë ndaj Serbisë.
Duke e marrë parasysh që Kosova nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ministrja e drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Shqipëria mund ta padisë Serbinë për gjenocid në emër të Kosovës.
Sipas, ekspertëve Shqipëria e ka për obligim që të bëjë një padi të tillë ndaj Serbisë, por ata kanë propozuar një shtet tjetër që mund ta ngrit një padi për gjenocidin e kryer në Kosovë.
Njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Shqipëria po tenton që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe për këtë çështje nëse do të griste padi ndaj Serbisë, mund të ketë qasje detruktive nga shtetet tjera.
“Po mund ta bëjë këtë edhe pse mendoj se këtë mund ta bëjë më lehtë Kroacia. Për shkak se Shqipëria është duke tentuar të jetë pjesë e BE e mund të ketë ndonjë qasje detruktive nga shtetet tjera”, ka potencuar ai për “Bota sot”.
Sipas tij, më mirë në këtë fazë do të ishte që një padi të tillë ndaj Serbisë ta bënte shteti i Kroacisë.
“Pra, më mirë e më saktë dhe më qartë do të mund ta bënte Kroacia. Në këtë fazë më mirë do të ishte që Kroacia ta bënte këtë padi në emër të Kosovës”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.
Ndërkaq, edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike politike, Islam Krasniqi, ka deklaruar se Shqipëria mund ta bëjë një padi ndaj Serbisë.
Por, ai tregon se për çfarë do të ishte problem që të ngrihet një padi e tillë nga Shqipëria.
“Shqipëria ka mundësi të padis shtetin serb, mirëpo është problem që të ndodhë një gjë e tillë, pasi që edhe sikur të donte ta bënte, bashkësia ndërkombëtare do ta pengonte”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tej, Krasniqi ngre pikëpyetje se a do të mundet Shqipëria të bëjë padi ndaj Serbisë për shkak të afrimeve viteve të fundit ndërmjet tyre.
“Shteti shqiptar mund ta bëjë, por a do ta bëjë është një jo e madhe sepse ata janë përafruar shumë mes vete e ku synojnë edhe bashkë të shkojnë drejt BE-së, duke i mbyllur sytë nga e vërteta”, ka potencuar ai për “Bota sot”.
Në fund, Krasniqi ka shtuar se kjo padi për gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbisë është dashur të bëhet vite më parë.
“Padia është dashur të bëhet shumë vite më parë, e jo të pritet deri në këtë, kur çdo gjë është kthyer kundër nesh, e që siç po shihet nga presioni i BE-së dhe SHBA-së edhe ne sikur të mundemi, s`do të na lejonin, pasi që ata duan që ta mbyllin dialogun dhe s’duan që problemi të vazhdojë akoma mes dy vendeve”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.
Ndërkaq, Profesori Refik Hasani, ka deklaruar se Kosova sa më parë duhet të ushtrojë padi ndaj Serbisë.
“Republika e Kosovës, pa asnjë vonesë e zvarritje të ushtrojë padi ndaj Serbinë për gjenocid që ka kryer, gjatë kësaj legjislature të parlamentit të Kosovës. Mos ngritja e padisë ndaj Serbisë për gjenocid që ka kryer, pozicioni i Kosovës zyrtare është ulur, kurse Serbia zyrtare gjithnjë paraqitet sikur nuk ndien asnjë faj përkundër gjenocidit të kryer kjo është dëshmuar edhe në bisedime për një dekadë dhe asnjë sukses nuk është arritur”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, ai ka treguar se çfarë miratimi duhet bërë Kosovë, në mënyrë që të ngrihet padia, si dhe ka theksuar se një gjë e tillë është dashur të bëhej vite me parë.
“Republika e Kosovës, ka një moment historik që sa më parë të miraton gjithë atë që është e domosdoshme duke miratuar infrastrukturën ligjore dhe duke ngritur komisionin-Trupën Punuese profesionale në bashkëpunim, koordinim e harmonizim edhe me Akademinë e Shkencës dhe Arteve të Kosovës dhe Institute e instanca tjera shkencore që do të ndihmojnë që Kosova të ushtrojë PADI ndaj Serbisë për gjenocidin që ka kryer. Republika e Kosovës, është dashur të përgatisë për Ushtrim të Padisë ndaj Serbisë për gjenocid që ka kryer para 22 vite dhe asgjë nuk ka ndërmarrë në këtë drejtim”, ka thënë Hasani për “Bota sot”.
Gjithashtu, profesori ka përmendur se çfarë duhet të përfshihet në padinë e Kosovës ndaj Serbisë.
“Ushtrimi i padisë nga Kosova ndaj Serbisë për gjenocid që ka kryer është e drejtë e natyrshme sipas akteve e konventave ndërkombëtare, prandaj nuk do të duhej të humbet ky rasti e as të vonohet më tej. Padia ndaj Serbinë për gjenocid që ka kryer, do të duhej të përfshin gjithë dëmet e shkaktuar e të cilat do të duhej të llogariten e kalkulohen në mjete financiare. Gjermania ende paguan dëme të luftës së dytë botërore. Serbia do të duhej të paditet për gjenocid që ka kryer gjithnjë, duke përfshirë edhe koston financiare që do të obligohet ndërkombëtarisht të shlyejë për dëmet që i janë shkaktuar Kosovës”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.
Në fund, profesori ka theksuar se Shqipëria e ka për obligim moral, institucional e kombëtar të ofrojë ndihmën e duhur për ngritjen e Padisë ndaj Serbisë.
“Shteti amë-Shqipëria ka obligim moral, institucional e kombëtar të afrojë ndihmën e duhur për ngritjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid që ka kryer. Ne jemi një popull, kemi një gjuhë e një flamur, prandaj nuk dua të besoj që Shqipëria nuk do të mbështet që Kosova të ushtrojë padinë ndaj Serbisë për gjenocid që ka kryer”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.