Vitin e kaluar zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka kërkuar aleatë për ta ndaluar “privatizimin e keq” të aseteve publike të cilin është duke e bërë Qeveria, nën drejtimin e Hashim Thaçit. Tani kur aleatë i janë bërë tri parti opozitare, ai është përcaktuar të vihet në mbështetje të shefit të ekzekutivit.
Deputetët e Koalicionit për Kosovë të Re, me përjashtim të Muhamet Mustafës, që është shprehur publikisht kundër “privatizimit me çdo kusht”, të pasurisë publike, kanë vendosur që të enjten të votojnë në mbështetje të Rezolutës së PDK-së, për vazhdim të privatizimit në formën e deritashme.
Shefja e grupit parlamentarë të KKR-së, Myzejene Sulejmani, ka mohuar që koalicioni të ketë devijuar nga programi ekonomik i vitit 2010, por nuk e ka parë të arsyeshme që procesi i privatizimit të ndalet ashtu siç pretendon Vetëvendosja.
“Ne, edhe pse jemi partner në Qeveri, çdo herë e kemi bërë të qartë se jemi për një tjetër lloj privatizimi. Mirëpo, mes dy opsioneve: të ecet apo të pezullohet ky proces, ne e shohim me të drejtë opsionin e parë”, ka thënë Selmani për “Kohën Ditore”.
Ajo ka shprehu bindjen se bllokimi i privatizimit, e sidomos ai i PTK-së, nuk do të jetë në interes të vendit.
“Është shumë lehtë ta bllokojmë privatizimin e PTK-së. Por shtrohet pyetja se çka do të fitojmë nga ky veprim. Nga praktika e deritashme është parë se sa më shumë që zvarritet procesi i privatizimit të këtij aseti, aq më shumë i bie vlera”, ka deklaruar Selmani.kohaislame