1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pacolli: Zyrtarët serbë që mohojnë krimet e kryera në Kosovë do të shpallen persona non-grata

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së homologut të tij serb Ivica Daçiq, i cili ka mohuar masakrën e Reçakut të vitit 1999.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata.

Postimi i plotë i Pacollit:

“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve.

Arsyeja pse Daçiq dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen e atyre para drejtësisë që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë. Nuk kishte kurrë një de-nazifikim të Beogradit. Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer.

Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, ka shkruar Pacolli.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq me anë të një deklarate skandaloze është munduar që të arsyetoj masakrën e Reçakut në vitin 1999.

Në një intervistë me “Vesti Rusia”, diplomati serb foli edhe për bombardimet e NATO-s në vitin 1999. “Ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejt i bombardimeve. Ata hipokritisht e quajtën këtë veprim ‘Engjëlli i Mëshirës’.”, u shpreh Daçiq.

Zyrtarët e lartë shtetërorë serbë kanë nisur një fushatë të egër të mohimit të krimeve serbe në Kosovë. Masakrën e Reçakut e kanë mohuar edhe ministri serb I Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ndërkohë, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se do të iniciojë krijimin e një gjykate, e cila do të merrej me krimet serbe në Kosovë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit