Zëvendëskryeministri Pacolli ka thënë se është duke shqyrtuar ofertën e një misioni ndërkombëtar i paqes, mirëpo nuk ka pohuar se do të pranojë atë.
“Është një mision paqeje në një kontinent specifik, por vendimi është jo i lehtë, nevojitet kohë për të vendosur”, ka thënë Pacolli për Express, pa dashur të japë detaje tjera për misionin nga i cili thotë të ketë marrë ftesë.
Ndërkohë, ka pothuajse një vit që Pacolli po shfaqet i lodhur nga qeverisja dhe politika në përgjithësi. Disa herë në media, ai është shprehur edhe i zhgënjyer nga partnerët e tij politikë, për të cilët ka pasur edhe kritika.
Këto thuhet të jenë edhe arsyet që e kanë shtyrë Pacollin të kërkojë rrugë tjera për të bërë politikën e tij jashtë qeverisjes së vendit.
Në opinion madje është krijuar përshtypja se Pacolli po përgatitet për të dalë nga koalicioni qeverisës, të cilin e ka me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit.
Por, diçka e tillë është mohuar nga Pacolli, duke thënë se në tetor të këtij viti ka mundësi që të largohet vetëm ai personalisht pa AKR-në, e cila, sipas tij, do të mbetet në koalicion.
“Jo, tani, nëse po në tetor, por vetëm unë”, ka thënë Pacolli.
Një zyrtar i lartë i AKR-së i ka thënë gazetës se shefi i tij tashmë ka menduar edhe për zëvendësimin e tij, në rast se pranon ofertën e misionit ndërkombëtar. Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila thuhet të jetë e përzgjedhura e Pacollit.
“Mimoza do të jetë ajo. Është personi i vetëm i cili konsiderohet adekuat për atë pozitë në AKR edhe nga ana e Pacollit”, ka thënë Zyrtari.
Por, burime të tjera thonë se oferta ndërkombëtare për Pacollin po shfrytëzohet për opinion për të përgatitur terrenin e daljes së tij nga Qeveria.
Sipas të njëjti burim, Pacolli nuk e ka ndërmend ta pranojë atë ofertë.
“Ai nuk do ta pranojë atë ofertë sepse është diçka me rrezik. Bëhet fjalë për një mision në vende të krizave dhe normalisht që ai nuk është i interesuar të bëhet pjesë e problemeve, por është fakt që është lodhur nga politika, andaj edhe po shikon mundësitë e largimit të tij, gjë që është vështirë të besohet se do të ndodhë”, ka thënë një person i afërt me Pacollin.
Ky i fundit është një prej akterëve më aktivë në politikën kosovare që nga maji i 2006’ës, kur edhe u certifikua partia e tij. Madje në mars të vitit të kaluar, Pacolli pati edhe privilegjin që të gëzojë 30 ditë në postin e të parit të shtetit.
Ish-Presidenti aktualisht mban postin e Zëvendëskryeministrit të Kosovës, duke kontribuar në fushatën e lobimit për njohjen e shtetësisë së Kosovës, si dhe atë të Kryetarit të AKR-së./Indeksonline/kohaislame