Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se 90% të kohës ia ka kushtuar Gjakovës dhe Mimoza Kusarit, dukë lënë anash çdo gjë tjetër nëpërmjet investimeve marramendës, që janë më tepër se miliona.
Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për InfoPress, ka akuzuar rëndë ish-zëvendësen e tij në AKR, Mimoza Kusari-Lila, duke thënë se ajo e ka qenë përfituese dhe se ka shfrytëzuar AKR-në si trampolinë.
Kryetari i AKR-së ka thënë se nuk matet vlera e fushatave të Mimoza Kusarit vetëm me mjete financiare, ose para, pasi janë vlera më të ulëta sesa vlera emocionale.
“Vlera e investimeve në dy fushatat e Mimoza Kusarit, nuk kalkulohen vetëm me mjete ose para praktike të cilat janë vlera më të ulëta se vlera emocionale e njerëzve që kanë punuar në atë fushatë, energjia që është investuar, koha e shumë tjera”, tha ai.
Pacolli ka theksuar se investimet e tij kushtuar Gjakovës dhe Mimoza Kusarit janë marramendëse, siç thotë ai, më tepër se miliona.
“Unë personalisht gjatë tërë kohës, 90% ia kam kushtuar Gjakovës dhe Mimoza Kusarit, dukë lënë anash çdo gjë tjetër. Këto të fundit janë investime marramendëse, më tepër se miliona. Unë fushatës së saj, i kam përkushtuar javë të tëra, e ju e dini se sa kushton dita ime. Fushatës së saj, nuk i ka munduar asgjë nga logjistika dhe përcjellja profesionale e mediatike”, thotë Pacolli.
Ai po ashtu tha se Kusari-Lila ka qenë e përkëdhelur në parti dhe ka ndikuar negativisht tek anëtarët tjerë të AKR-së.
“Mimoza Kusari-Lila ka qenë e përkëdhelur në AKR, prej ardhjes së saj asnjë grua nuk ka ardhë në AKR, pos që janë larguar masivisht….95 për qind e asamblistëve në Gjakovë nuk e kanë përcjell Kusari-Lilën, sepse ajo është sjellë në mënyrë arrogante”, është shprehur Behgjet Pacolli.
Në anën tjetër, Mimoza Kusari-Lila është në prag të finalizimit të një projekti të ri politik që pritet të dalë publikisht së shpejti. /