Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) tha se zgjedhjet presidenciale në SHBA ndodhën në një ambient shumë garues dhe pluralist dhe u administruan profesionalisht.
Por OSBE thotë se janë edhe disa shqetësime specifike lidhur me sistemin e zgjedhjeve atje, të cilat Amerika duhet t’i adresojë, transmeton rel.
Kryetari i misionit të OSBE-së për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Daan Everts tha përmes një deklarate se “ka shqetësime reale lidhur me çështje si të drejtat e votuesve, saktësia e listave të votimit, transparenca e financimit të fushatave, procedurat e rinumërimit dhe qasja e vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin zgjedhor”.
Ai i quajti zgjedhjet amerikane “komplekse dhe të decentralizuara”, duke shtuar se legjislacioni në disa shtete nuk siguron inspektim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve, gjë që është në kundërshtim me zotimin e SHBA-ve, si anëtare e OSBE-së. /REL/kohaislame